• e diel, 25 gusht 2024

Kurti për ndryshimin e patent shoferëve serbë me ato të Kosovës: Serbët bënë hap të rëndësishëm drejt integrimit

Kurti për ndryshimin e patent shoferëve serbë me ato të Kosovës: Serbët bënë hap të rëndësishëm drejt integrimit

Prishtinë, 25 gusht 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e vlerësoi ndryshimin e patent shoferëve të lëshuara për qytetarët kosovarë nga organet serbe në ato zyrtare të Republikës së Kosovës, si hap të rëndësishëm drejt integrimit të serbëve në shtet, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Ai njoftoi në Fejsbuk se janë bërë gjithsej 6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

“6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok”, ka shkruar Kurti.

Afati për regjistrim, i cili filloi më 9 maj dhe ishte i paraparë të përfundonte më 9 gusht, u shty për dy javë të tjera deri më 23 gusht, "për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve", sipas Kurtit.

Ai vuri në dukje se kjo periudhë tre mujore kaloi pa asnjë incident apo ankesë.

Kryeministri shprehu mirënjohje ndaj qytetarëve të komunitetit serb që e shfrytëzuan këtë mundësi për të bërë një hap drejt integrimit dhe gjithashtu falënderoi zyrtarët e institucioneve për punën dhe asistencën e ofruar gjatë procesit të aplikimit.

"Ky është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të plotë të të gjithë qytetarëve tanë në Republikën e Kosovës” ka shkruar tutje Kurti në Fejsbuk.

 

QËNDRONI TË LIDHUR