Kallas: BE-së i nevojiten 27 armata të afta për të mbrojtur Evropën vetë nëse është e nevojshme
- BE-ja nuk ka nevojë për një armatë të vetme evropiane, por për 27 armata evropiane që janë të afta dhe mund të punojnë së bashku në mënyrë efektive për të penguar rivalët dhe për të mbrojtur Evropën, mundësisht me aleatët dhe partnerët tanë, por nëse është e nevojshme edhe vetëm, tha sot përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Kaja Kallas në fjalimin e saj në Konferencën Vjetore të Agjencisë Evropiane të Sigurisë në Bruksel.
- Post By Sara Ademi
- 14:20, 22 janar, 2025
Bruksel, 22 janar 2025 (MIA) - BE-ja nuk ka nevojë për një armatë të vetme evropiane, por për 27 armata evropiane që janë të afta dhe mund të punojnë së bashku në mënyrë efektive për të penguar rivalët dhe për të mbrojtur Evropën, mundësisht me aleatët dhe partnerët tanë, por nëse është e nevojshme edhe vetëm, tha sot përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Kaja Kallas në fjalimin e saj në Konferencën Vjetore të Agjencisë Evropiane të Sigurisë në Bruksel.
Sipas Kallas, Bashkimi Evropian duhet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes për t'u "përgatitur për më të keqen" dhe të jetë në gjendje të mbrohet kundër një Rusie luftarake, nëse është e nevojshme.
"Presidenti amerikan (Donald Tramp) ka të drejtë kur thotë se nuk shpenzojmë mjaftueshëm. Është koha të investojmë", tha Kalas.
Duke theksuar se për tre muaj Rusia mund të prodhojë më shumë armë dhe municion se sa të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së së bashku për 12 muaj, Kallas theksoi se nevojiten investime për mbrojtjen si nga vendet anëtare edhe nga sektori privat në bllok, ashtu edhe nga buxheti i përbashkët evropian.
"Duhet të shpenzojmë më shumë se një për qind", theksoi Kallas, duke aluduar në shpenzimet e BE-së për mbrojtjen.
Shefja e diplomacisë evropiane theksoi se induistria e mbrojtjes është shumë intensive dhe kërkon mjete, njerëz dhe kohë. "Kemi para dhe njerëz, por nuk kemi kohë. Ukraina vetëm po na blen kohën", beson Kallas.
Ajo kujtoi gjithashtu deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Mark Rute muajin e kaluar se vendet evropiane duhet të reduktojnë shpenzimet për pensionet, kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale për të siguruar fonde për shpenzimet e mbrojtjes dhe për të garantuar sigurinë afatgjatë në Evropë.
"Mesazhi i BE-së për SHBA-në është i qartë. Ne duhet të bëjmë më shumë për mbrojtjen tonë dhe të marrim pjesën tonë të drejtë të përgjegjësisë për sigurinë e Evropës", përfundoi Kallas, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të mbeten "aleati më i fortë i Evropës".
Sipas saj, BE-ja duhet të lidhë një marrëveshje të re të mbrojtjes me Mbretërinë e Bashkuar si një "partner kyç" në përballjen e kërcënimit nga Rusia.
"Ne kemi nevojë për një marrëdhënie reciproke të dobishme për sigurinë dhe mbrojtjen. Një marrëveshje e re është hapi i radhës logjik për këtë, shtoi Kallas në fjalimin e saj në tubim.
Në konferencë foli edhe Komisari Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, i cili theksoi se një qasje kolektive ndaj mbrojtjes mund të rrisë gatishmërinë e Evropës për t'u përballur me kërcënimet ushtarake dhe hibride.
"Nuk mund të përballojmë më një qasje të fragmentuar. "Ne kemi nevojë për qasjen e duhur për të rritur prodhimin dhe prokurimin e mbrojtjes," tha Kubilius.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për sisteme mbrojtëse të ndërveprueshme, prokurime të përbashkëta të industrisë së mbrojtjes dhe më shumë projekte me interes të përbashkët evropian. sa/
Foto: EBS