Shekerinska: Partneriteti mes NATO-s dhe BE-së është i një rëndësie shumë të madhe
- Mbrojtja e BE-së është me rëndësi të madhe për Evropën dhe për sigurinë evropiane, por gjithashtu edhe për NATO-n, sepse ajo është e lidhur në mënyrë të pandashme me sigurinë transatlantike, porositi sot zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Radmilla Shekerinska gjatë fjalimit në Konferencën vjetore të Agjencisë evropiane të sigurisë në Bruksel.
- Post By Arta Bunjaku
- 15:40, 22 janar, 2025

Bruksel, 22 janar 2025 (MIA) - Mbrojtja e BE-së është me rëndësi të madhe për Evropën dhe për sigurinë evropiane, por gjithashtu edhe për NATO-n, sepse ajo është e lidhur në mënyrë të pandashme me sigurinë transatlantike, porositi sot zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Radmilla Shekerinska gjatë fjalimit në Konferencën vjetore të Agjencisë evropiane të sigurisë në Bruksel.
"Si dikush që vjen nga Maqedonia e Veriut, dhe nuk është 'insajder' në BE, mund të pyetni nëse jam më kompetentja të flas për bashkëpunimin NATO-BE. Por, posaçërisht duke e pasur parasysh prejardhjen time nacionale, besoj se vendi im saktësisht ka treguar se sa është i rëndësishëm bashkëpunimi i NATO-s dhe BE-së", tha Shekerinska.
Sipas saj, partneriteti i afërt mes NATO-s dhe BE-së është e një rëndësie tejet të madhe, jo vetëm kur bëhet fjalë për mbështetje të Ukrainës, por edhe për ripërtëritje të bazës industriale transatlantike të mbrojtjes dhe për përforcim të rezistencës.
Ajo potencoi se përforcimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së është me rëndësi thelbësore dhe duhet të jetë qëllim i përbashkët në kushte kur të dy organizatat po përballen me "konkurrentë të ashpër të cilët e sfidojnë edhe sigurinë tonë, por edhe mënyrën tonë të jetës".
Sipas saj, jemi dëshmitarë të një fushate gjithnjë e më të madhe destabilizuese kundër vendeve në Evropë, e cila përfshin sulme kibernetike, akte të sabotimit dhe përhapje të dezinformatave.
Shekerinska potencoi se nevojitet të investohet më shumë dhe më mirë në mbrojtje dhe të përshpejtohet prodhimi i kapaciteteve themelore mbrojtëse.
Sipas saj, nëse Perëndimi nuk shpenzon "më shumë dhe më mirë", rrezikon të mbetet prapa Rusisë, ndërsa në ato përpjekje, rolin e vet e luan edhe BE-ja me rritjen e gatishmërisë së vet mbrojtëse dhe prëforcimin e bazës industriale mbrojtëse evropiane. ab/
Foto: NATО