• e martë, 12 nëntor 2024

Kurti për Al Xhezairën: Vuçiqi dhe Radojiçiqi janë të njëjtë si Millosheviqi dhe Arkani në vitet e 90-ta

Kurti për Al Xhezairën: Vuçiqi dhe Radojiçiqi janë të njëjtë si Millosheviqi dhe Arkani në vitet e 90-ta

Prishtinë, 30 shtator 2023 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmi i së dielës në veri të Kosovës nuk ka qenë rezistencë civile ose vepër e bandave, por sulm i formacioneve të armatosura paraushtarake të pajisuara dhe të përgatitura nga Beogradi. 

Në intervistë për Al Xhezirën, Kurti theksoi se dukshëm sulmi ishte kryer me urdhër të Serbisë. 

I pyetur nëse autoritetet e Kosovës kanë ndonjë informacion të inteligjencës për sulmet e reja, Kurti u përgjigj se ka shumë informacione dhe se këto "grupe të armatosura", të cilave, siç shtoi ai, forcat e armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion, janë duke kryer vazhdimisht stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe "po përgatiten për luftë".

"Nuk përjashtohet ri-agresioni", tha Kurti, duke shtuar se Serbia donte që lufta të fillonte të dielën, më 24 shtator.

Ai e akuzoi Beogradin dhe grupet e armatosura se duan të përsërisin skenarin e fillimit të luftës në Sarajevë.

Sipas Kurtit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilët, siç tha, kanë marrë përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës, janë "Slobodan Millosheviq dhe Zheljko Raznatoviq Arkan" të cilët dëshirojnë ta kthejnë rajonin në vitet e 90-ta.

Ai tha dhe se "grupet paramilitare" në Kosovë janë të lidhura edhe me grupe nga Rusia, si Vagner, duke i quajtur Vuçiqin dhe Radoiçiqin "Putin dhe Prigozin".

Kryeministri i Kosovës e akuzoi Vuçiqin se "deshi një luftë tjetër dhe një gjenocid, sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë".

"Ashtu siç Rusia zhvilloi një luftë hibride në Ukrainë në fillim, Serbia po bën kundër nesh", deklaroi Kurti për Al Xhezairën. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR