• e hënë, 23 dhjetor 2024

KSHZ-ja konfirmoi kandidaturat për president të shtetit

KSHZ-ja konfirmoi kandidaturat për president të shtetit

Shkup, 21 mars 2024 (MIA) - Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot në mbledhje njëzëri i konfirmoi kandidaturat për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2024, të paraqitura nga Stevo Pendarovski i mbështetur nga LSDM, Bujar Osmani nga BDI, Arben Taravari nga koalicioni opozitar shqiptar VLEN,  Stevçe Jakimovski i mbështetur nga GROM, Maksim Dimitrievski nga Partia ZNAM,  Biljana Vankovska Cvetkovska nga e Majta, dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski informoi se kandidatët Jakimovski dhe Taravari në afat prej 48 orëve duhet të dorëzojnë numrin e vetëm tatimor dhe llogarinë e transaksionit.

Dashtevski bëri të ditur se të gjitha listat e kandidatëve për president të shtetit janë dorëzuar me kohë.

Anëtari i KSHZ-së, Boban Stojanoski, theksoi se në përputhje me nenin 160 të Kodit Zgjedhor, në KSHZ është dorëzuar kërkesë për akreditim të vëzhguesve nga OSBE/ODIHR - Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut për 34 akreditime me listën e vëzhguesve të dorëzuar në KSHZ për vëzhgim në zgjedhjet për president dhe në zgjedhjet për deputetë. Anëtarët e KSHZ-së njëzëri e miratuan këtë kërkesë.

KSHZ-ja miratoi Udhëzim për pamjen e bexhave për identifikimin e organeve zgjedhore, administratës zgjedhore, përfaqësuesve të autorizuar të parashtruesve të listave të kandidatëve, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendorë për zgjedhjet për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe zgjedhjet për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për 24 prill të këtij viti fillon më 4 prill në ora 00:00 dhe do të zgjasë deri në orën 24:00 të datës 22 prill. Po vijojnë edhe afatet për përgatitjen e listave për deputetë. Listat e kandidatëve për deputetë në Kuvend nga përfaqësuesit e autorizuar të propozuesve i dorëzohen KSHZ-së jo më vonë se 2 prilli në mesnatë. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR