• e shtunë, 21 dhjetor 2024

KSHPK: Nga 56 nisma për fillimin e procedurës për ndjekje penale, asnjë nuk është proceduar

KSHPK: Nga 56 nisma për fillimin e procedurës për ndjekje penale, asnjë nuk është proceduar

Shkup, 31 janar 2024 (MIA) - Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit gjatë mandatit të tij pesëvjeçar formoi gjithsej 2.872 lëndë, nga të cilat 2.788 ishin raporte në fushën e parandalimit të korrupsionit, dhe 84 raste u formuan me iniciativë vetanake. Me këtë rast janë zgjidhur 2.451 lëndë, ndërsa janë parashtruar 59 iniciativa për përcaktimin e përgjegjësisë së personave udhëheqës dhe zyrtarë dhe 56 iniciativa për fillimin e procedurës për ndjekje penale. Asnjë iniciativë për ndjekje penale nuk është proceduar, tha kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, në brifing me gazetarët me rastin e përfundimit të mandatit.

"Nga nismat tona për ndjekje penale të paraqitura në prokuroritë publike, deri më tani nuk ka pasur një vendim të vetëm të prokurorisë publike që ka arritur në gjykatë, jo vetëm nga kjo përbërje por nga ekzistenca e këtij institucioni që nga viti 2002, me përjashtim të lëndës“Baçillo”. Janë gjithsej mbi 200 nisma të ndjekjes penale që kanë dalë nga këtu në njëzet vitet e fundit të këtij institucioni", shprehet Ivanovska.

Lidhur me atë se çfarë duhet të bëhet për ta ndryshuar këtë, ajo beson se pyetja duhet t'i parashtrohet organeve gjyqësore, ku, siç theksoi ajo, nevojiten ndryshime rrënjësore, por shtoi se secili institucion duhet të bëjë edhe punën e tij për të cilën është kompetent.

"Mungon momenti i dytë, që është zbatimi i vendimeve tona jo vetëm nga KSHPK, por edhe nga organet e pavarura. Ju lexoni raportin e KE-së, çdo vit përsëritet i njëjti rekomandim - institucionet të veprojnë më tej në iniciativat, në rekomandimet e organeve të pavarura, në mënyrë që rastet të kenë fundin e tyre. Me miratimin e një Kodi Penal për 24 orë, i cili uli dënimet, anuloi mbi 200 çështje, dhe me një përqind besim në gjyqësor, rezultatet janë siç i shohim. Pra, së pari duhet të jemi të qartë nëse jemi në favor të një lufte të sinqertë kundër korrupsionit, apo për deklarative", thekson Ivanovska.

E pyetur se për çfarë janë më të kënaqur me punën e tyre, ajo renditi 56 nismat për fillimin e procedurës për ndjekje penale dhe 59 nismat për përcaktimin e përgjegjësisë së udhëheqësve dhe zyrtarëve, të cilat në praktikë, thotë ajo, janë nisma për shkarkimin e funksionarëve të lartë.

"Të gjitha ato i referohen profileve të larta të funksionarëve, dhe të gjitha janë të mbështetura me prova që Prokuroria duhet t'i kishte marrë parasysh, jo t' i trajtonte si kërkesë nga një qytetar i zakonshëm. Sepse disa nga këto gjetje mbështeten në raportet e revizionit. Ne jemi gjithashtu krenarë për të gjitha kërkesat në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse ato u refuzuan - si për një ish-president që kishim iniciativën, ashtu edhe për "Behtel dhe Enka" për të kaluar ligjin në një procedurë të shkurtër, sepse Kushtetuta shkelet prej saj, por kështu funksionon shteti dhe sa më shpejt që të jetë e mundur kjo duhet të ndryshojë", thotë Ivanovska.

Ajo theksoi se mund të bënin shumë më tepër nëse kushtet e nevojshme për punën e tyre do të plotësoheshin më shpejt, ndërsa vuri në dukje dorëzimin elektronik të fletave anketuese, të cilat filluan vetëm në vitin e fundit të mandatit të tyre.

Lidhur me atë nëse janë përballur me presione apo kërcënime në mandatin e tyre, ajo thotë se nuk janë përballur me situata të tilla, por edhe se qëndrimi i tyre i shprehur publikisht ishte një lloj dige për përpjekje të tilla eventuale. Sipas saj, presionet ishin publike, siç janë njoftimet nga tre zëvendëskryeministrat që komentuan gjetjet e KSHPK-së, pastaj paraqitja e Prokurorisë Publike kur tha se po ndërpret bashkëpunimin. "Ne kemi pasur përgjigje publike për të gjitha këto presione publike", shprehet Ivanovska.

Si një lloj presioni, anëtari i Komisionit Vlladimir Georgiev vuri në dukje ankesën penale të paraqitur kundër tij si rezultat i kërkesës së tyre të parashtruar në Prokurori kundër Naumçe Mojsovskit, drejtorit të Agjencisë për Rininë dhe Sport në temën e vauçerëve, për të cilën ai thotë se mbështetet nga faktet, nga hulumtimi i tyre dhe nga gjetjet në Raportin e ESHR-së.

"Në Prokurori, procedura është në vazhdim, pritet të shihet nëse do të ketë një vendim nga Prokuroria Publike. Ne gjithashtu i kërkuam Qeverisë që ta mbajë drejtorin përgjegjës, Qeveria e refuzoi atë dhe unë fitova një padi për shpifje nga drejtori sepse po bëja punën time", shprehet Georgievi.

Georgiev gjithashtu informon se kohët e fundit morën një njoftim nga Prokuroria se iniciativa e tyre për ndjekje penale ndaj zyrtarëve në Drejtorin evidencës amë u refuzua, megjithëse ai thotë se në procedurën për iniciativën ata morën pjesë me gjetjet e tyre dhe Policinë Financiare dhe Drejtorinë për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilat gjetën mangësi serioze dhe parregullsi në funksionimin e kësaj Drejtorie.

Për anëtarin e Komisionit, Nuri Bajrami, është e qartë se politikës i mungon vullneti për të reformuar, pasi institucionet shërbejnë për të shpërblyer kuadrot partiakë duke vendosur funksione udhëheqëse.

"Duhet të bëhet një institucion hibrid nga disa institucione, pjesë e të cilit do të ishte KSHPK-ja, dhe vendimi përfundimtar do të merrej nga Prokuroria për krim të organizuar në mënyrë që rastet të përfundojnë më shpejt në një afat të arsyeshëm. Sepse për disa iniciativa nuk kemi përgjigje edhe pas tre vjetësh", shprehet Bajrami.

Në pyetjen e gazetarëve për keqpërdorimin e automjeteve zyrtare nga ana e kryeministrit teknik, Ivanovska tha se tre ditë para përfundimit të mandatit ata nuk do të paraqesin asgjë dhe pritet të reagojnë nga Kabineti i Gërkovskës për sa i përket sjelljes etike dhe abuzimit me përdorimin e automjeteve zyrtare.

"Sistemi duhet të vazhdojë të funksionojë. E jona mbaroi. Kemi evidentuar në mënyrë të përsëritur keqpërdorimin e automjeteve zyrtare dhe ambienteve zyrtare. Deri më tani, ata zyrtarë janë paralajmëruar, por rezultati është se paralajmërimet nuk janë të mjaftueshme. Duhet të ketë masa pak më rigoroze në atë pjesë. Arsyeja e përsëritjes së kësaj sjelljeje është mosndëshkimi, nëse keni parë dikë të ndëshkohet për keqpërdorim të automjeteve zyrtare. Propozuam që regjistrimet e të gjitha automjeteve zyrtare të lyhen me një ngjyrë dhe të jenë në dispozicion të qytetarëve për të parë dhe monitoruar se si lëvizin zyrtarët me automjete zyrtare, por nga viti 2021 ky propozim nuk zbatohet sepse nuk ka vullnet të sinqertë për të parandaluar abuzime të tilla.

Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, me rastin e përfundimit të mandatit të saj, shprehu kënaqësinë që gjatë mandatit të saj u siguruan kushtet e nevojshme hapësinore dhe kapaciteti i stafit, dhe u rrit buxheti i institucionit, për të cilin ajo thotë se mbështetja kryesore u mor nga organizatat ndërkombëtare. Me urdhërpagesat e lëshuara për shkelje të përcaktuara të ligjit, në Buxhetin e Shtetit janë derdhur rreth 7.8 milionë denarë. Pret më shumë rezultate nga përbërja e re e KSHPK-së për sa i përket pjesës së regjistrimit dhe monitorimit të pasurive, sepse ato kanë futur të gjitha ndryshimet manualisht deri në vitin 2023, dhe që nga viti i kaluar softueri i ri në lidhje me institucionet përkatëse është në veprim dhe ato ndryshime merren automatikisht.

Përbërja aktuale e KSHPK-së do të mbajë një seancë tjetër të hënën brenda mandatit të saj. Përbërja e re e KSHPK-së, e cila u zgjodh nga Kuvendi, do të marrë detyrën më 8 shkurt.

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR