• e diel, 22 dhjetor 2024

Kryetarja e Këshillit gjyqësor, Vesna Dameva jep dorëheqje të parevokueshme

Kryetarja e Këshillit gjyqësor, Vesna Dameva jep dorëheqje të parevokueshme

Shkup, 2 dhjetor 2024 (MIA) - Kryetarja e Këshillit gjyqësor, Vesna Dameva sot ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetares së Këshillit për shkak, siç tha, “pamundësisë së autoriteteve ekzekutive dhe legjislative për të siguruar drejtësi të shpejtë dhe efikase, si dhe përpjekjet për të minuar integritetin e saj nga funksionarë të lartë të pushtetit”.

"Kur nuk ka vesh për përmirësimin e situatës në gjyqësor dhe e njëjta pengohet nga pushteti dhe në mënyra të ndryshme edhe kryetari i qeverisë njashtu edhe politikanët nga partia në pushtet, nga foltorja e Kuvendit apo nga Pres shërbimi, shprehin qëndrim negativ ndaj Këshillit gjyqësor, ndaj anëtarëve në Këshill, por më irrituese nga të gjitha është se ata shprehin qëndrim negativ ndaj gjyqtarëve, shumica e të cilëve realisht nuk e meritojnë këtë, mendoj se e vetmja gjë që më ka mbetur është mbrojtja e integritetit tim personal dhe paqja dhe qetësia e vetes dhe familjes sime, prandaj dorëzoj dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut", deklaroi Dameva. 

Pretendimet të cilat nga foltorja e Kuvendit i solli kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski për falsifikimin e procesverbaleve në Këshillin gjyqësor, Dameva tha se synojnë të dëmtojnë reputacionin e Këshillit dhe t'i tregojnë opinionit se nuk e kryen punën e saj me ndërgjegje.

"Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski pikërisht nga foltorja e Kuvendit pretendoi se Këshilli gjyqësor me të cilën udhëheq unë, ka disa klane dhe të dhënat janë të falsifikuara. Në të njëjtën kohë, në disa raste ai, por edhe politikanët e pushtetit aktual, kanë folur me qëndrime negative për anëtarët e Këshillit gjyqësor, lidhjen e tyre me politikanë të caktuar të pushtetit të kaluar dhe të gjitha këto për t'ia paraqitur opinionit publik se unë ose anëtarët e Këshillit nuk e kryejmë funksionin me profesionalizëm, ndërgjegjshmëri dhe përgjegjësi, ndërsa Këshilli gjyqësor së bashku me Këshillin e prokurorëve publikë u llogaritën si organe që duhet të shpërndahen. Madje ai në një dalje televizive theksoi se në vendin tonë, në vend të anëtarëve të përhershëm të këshillave duhet të vijnë njerëzit e ‘tyre’, supozoj se bëhet fjalë për gjyqtarë apo prokurorë që janë të afërt me partinë politike në pushtet. Dhe kjo, në një shtet demokratik është shumë serioze për të mos thënë shkatërruese", theksoi Dameva. 

Këshilli, për të ruajtur reputacionin e tij, tha, se në disa raste nuk ka reaguar ndaj deklaratave të politikanëve, të cilët, siç ka thënë, kanë vënë në dukje disa gjyqtarë në publik dhe kanë interpretuar situata juridike.

Ajo edhe njëherë iu referua kohëzgjatjes së mandatit të saj.

Mandati i pozitës së kryetarit të Këshillit gjyqësor zgjatë dy vite. Dameva u shkarkua në prill të vitit të kaluar pasi donte të vinte përgjegjësinë e gjyqtarit të Apelit, Enver Bexheti në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi më pas kërkoi votim për shkarkimin e saj, me shtatë anëtarë që e përkrahën, pas së cilës deklaroi se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës. Ajo bëri padi kundër vendimit për shkarkim në Gjykatën administrative dhe më 3 janar gjykata e ka rrëzuar atë vendim dhe e ka rikthyer në detyrë Damevën.

Dameva tashmë javën e kaluar deklaroi se mandati i kryetarit të Këshillit gjyqësor zgjat dy vjet, sipas nenit 8 paragrafi 2 i Ligjit për Këshillin gjyqësor. Ajo tha se janë befasuese interpretimet për gjoja zgjatjen e mandatit përtej afatit të përcaktuar ligjor prej dy vitesh, kur ka një fakt të padiskutueshëm se ka ndërprerje. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR