Kremlini: Skadoi urdhëri i Putinit për të mos sulmuar infrastrukturën energjetike të Ukrainës
- Urdhëri i lëshuar nga presidenti rus, Vladimir Putin më 18 mars për ndalimin njëmujor të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ka "skaduar", njoftoi sot Kremlini.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:52, 18 prill, 2025

Moskë, 18 prill 2025 (MIA) - Urdhëri i lëshuar nga presidenti rus, Vladimir Putin më 18 mars për ndalimin njëmujor të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ka "skaduar", njoftoi sot Kremlini.
"Muaji (i moratoriumit) skadoi. Deri tani, nuk ka udhëzime tjera nga komandanti i përgjithshëm, presidenti (Vladimir) Putin", tha zëdhënësi i presidentit rus, Dmitrij Peskov në konferencën e tij të përditshme për mediat në Moskë.
Me këtë, pala ruse i jep fund moratoriumit të brishtë, për të cilin Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje.
Moska, megjithatë, e përshëndeti armëpushimin e pjesshëm si "progres të caktuar" në rrugën e zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë.
Presidenti rus Vladimir Putin më 18 mars njoftoi se kishte urdhëruar ushtrinë, pas bisedimeve me homologun e tij amerikan, Donald Tramp, të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës për një periudhë prej 30 ditësh.
Disa ditë më vonë, SHBA-ja njoftoi se ka arritur marrëveshje për këtë çështje me Rusinë nga njëra anë dhe Ukrainën nga ana tjetër.
Donald Tramp, i cili dëshiron që konflikti të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, fillimisht propozoi një armëpushim të pakushtëzuar dhe të plotë, i cili u pranua në parim nga Kievi, por u refuzua nga Moska. qa/bsh/
Foto: Arkivi i MIA-s