• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: VMRO-DPMNE të mbetet me qëndrimin për pjesëmarrje në procesin e ndryshimeve kushtetuese

Kovaçevski: VMRO-DPMNE të mbetet me qëndrimin për pjesëmarrje në procesin e ndryshimeve kushtetuese

Shkup, 25 qershor 2023 (MIA) -  VMRO-DPMNE duhet të mbetet me qëndrimin e tyre të shprehur publikisht për pjesëmarrje në procesin e ndryshimeve kushtetuese, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski. Afatet janë në kuadër të Kornizës së dakorduar negociuese, potencon ai, por ne nuk dëshirojmë të marrim vendime të përshpejtuara. Kovaçevski thotë se bisedimet e grupeve të punës midis pushtetit dhe opozitës për ndryshimet kushtetuese nuk kanë filluar akoma.

"Ne do t'u japim hapësirë ​​për të marrë pjesë në këtë proces. Normalisht, procesi nuk do të ndalet për shkak të pavendosmërisë së tyre. E shihni që ka një debat për këtë temë dhe bashkë me Mariçiqin kam pasur një takim me organizatat joqeveritare, brifing me mediat, takime me organet e partive, partnerët e koalicionit tashmë kanë thënë se për ta është e pranueshme hyrja e VMRO-DPMNE-së në Qeveri. Të gjitha këto janë supozime që çojnë në një zgjidhje të përbashkët të këtij procesi shumë të rëndësishëm, për të cilin ne kemi mbështetje si kurrë më parë nga të gjithë partnerët tanë strategjikë dhe nga SHBA-ja dhe vendet anëtare të BE-së", deklaroi Kovaçevski.

Për atë se deri ku janë bisedimet me VMRO-DPMNE-në, kryeministri tha se zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane çdo ditë e telefonon partinë opozitare për të parë nëse janë të gatshëm të bisedojnë.

"Sapo të ketë përgjigje pozitive ai do t'ju informojë", tha Kovaçevski.

Pohon se ai nuk ka komunikim me cilindo deputet, pa dallim se nga cila parti politike është, jashtë proceseve të Kuvendit.

Ai tha se Qeveria gjatë periudhës së ardhshme do t'i shqyrtojë në detaje materialet e Ministrisë së Drejtësisë të dorëzuara nga grupi i punës dhe ato më pas do të dorëzohen në Kuvend.

"Ndërsa Kuvendi në pajtim me kushtet e siguruara për votim do ta organizojë edhe punën e saj. Ky është proces për të cilin duhet shpejtuar", tha Kovaçevski, duke shtuar se nuk na duhet një zgjidhje e përshpejtuar dhe se ai akoma e respekton këtë qasje të punës.

"Pa u shpejtuar gjithsecili të mund të kyçet në këtë proces shumë të rëndësishëm pasi si shtet do të vazhdojë më tej dhe do t'i duhen akoma vendime të rëndësishme strategjike me shumicë prej dy të tretash. Skriningu tashmë ka filluar të tregojë mangësi në shumë sfera në shtet. E shikoni çfarë po ndodhë në gjyqësi. Do të duhet të bëhen reforma. Ato janë ligje me dy të tretat", potencoi Kovaçevski.

Në pyetjen nëse është i gatshëm të shtyhen afatet, kryeministri tha se Korniza negociuese është shumë e qartë dhe po punohet në pajtim me këto afate. Potencon se do ta pranonte kërkesën e VMRO-DPMNE-së që ndryshimet kushtetuese të vlejnë me veprim të prolonguar.

"Pranova të vlejnë nga momenti i mbajtjes së konferencës së dytë ndërqeveritare. Kështu është në pajtim me Kornizën negociuese. VMRO-DPMNE nuk mund të vendosë kushte jashtë Kornizës negociuese", potencoi Kovaçevski.

Ai ritheksoi se deputetët e kanë obligim që të punojnë në përputhje me vendimet e mëparshme të Kuvendit. "Vendimi i mëparshëm me të cilin është miratuar Korniza negociuese është votuar me 68 deputetë “pro” dhe asnjë kundër. Nëse do të kishin diçka kundër, është dashur të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë kundër. Nuk është heroizëm të ikësh. Kjo nuk është mënyrë në të cilën ju thoni se jeni kundër diçkaje", potencoi Kovaçevski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se deri ku është procesi i ndryshimeve kushtetuese, ai e përsëriti se është shumë e rëndësishme se mungon retorika e tradhtarëve dhe mbrojtësve.

"Takimi i liderëve i 7 qershorit në Klubin e deputetëve tregoi se LSDM-ja dhe partnerët e koalicionit janë në rrugën e duhur dhe po marrin vendime reale për integrimet evropiane të vendit. Një përfundim kyç nga ai takim është se VMRO-DPMNE publikisht nga kryetari i tyre prof. dr. Hristijan Mickoski tha para mediave se nuk kanë asnjë problem dhe nuk janë kundër ndryshimit të Preambulës së Kushtetutës dhe futjes së pjesëve të tjera të popujve, përfshirë edhe popullin bullgar. Së dyti, ai aty e konfirmoi legjitimitetin e Kuvendit për të marrë një vendim të tillë sepse ishte kontestuese, ndërsa paraprakisht edhe legjitimiteti i Qeverisë për të propozuar një vendim të tillë duke e pasur parasysh që publikisht para kamerave tha se dëshironte që DPMNE të ishte pjesë e Qeverisë me 50 për qind nga postet ministrore që i ka LSDM-ja", tha Kovaçevski.

Përkujtoi se edhe BDI-ja ka pranuar të mos jetë pjesë e kësaj Qeverie, por tha se edhe ASH dhe Besa po i japin hapësirë shtesë VMRO-DPMNE-së pasi deklaruan se nuk do të hynin në një Qeveri të tillë.

"VMRO-DPMNE mund të ketë numër serioz të ministrave në këtë Qeveri. Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur më pas pasi të gjithë e keni atë konferencë shtypi. Gjatë ditës së nesërme, më datën tetë pati qëndrime mjaft jokonsistente nga përfaqësues të ndryshëm të VMRO-DPMNE-së që më pas të fillojnë sërish të tërhiqen", tha Kovaçevski.

Sipas tij, tani ata daljen e shohin në sondazhet e porositura.

Sipas vendimit të Këshillit qendror të LSDM-së, potencoi ai, ne kemi formuar grup pune dhe, siç thotë, aty është vendi ku duhet të dakordohen detajet për atë që është dakorduar në takimin e liderëve, pasi aty janë vendosur konturat kryesore dhe detajet lidhur me datat dhe duhet të dakordohen kësisoj edhe më tej.

 

QËNDRONI TË LIDHUR