• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski: Unë të isha në listën e zezë të SHBA-së, jo vetëm se do të jepja dorëheqje, por këtë do ta konsideroja për dështimin më të madh në karrierën time

Kovaçevski: Unë të isha në listën e zezë të SHBA-së, jo vetëm se do të jepja dorëheqje, por këtë do ta konsideroja për dështimin më të madh në karrierën time

Shkup, 22 qershor (MIA) - Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot përsëri, i pyetur për rastin me kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merko, tha se nëse ai ishte në listën e zezë të SHBA-së, jo vetëm se do të jepte dorëheqje, por këtë do ta konsideronte si dështimin më të madh në karrierën e tij personale dhe profesionale.

Ai përsëriti se pretendimet e SHBA-së, për të cilat Merko është vendosur në listën e zezë janë serioze dhe për të është e "pakuptimtë se si mund institucionet e SHBA-së, të cilat janë 8.000 kilometra larg prej këtu, të kenë informata, të parashtruara përmes personave të tyre zyrtarë, për atë se çka ka ndodhur në shtetin tonë, ndërsa organet tona hetuese dhe gjyqësore të mos i kenë ato informata".

"Për këtë shkak në fillim duhet komuna e Strugës të jetë e hapur për ndarjen e të gjitha informatave për organet kompetente, e ato të jenë efikase në punën e tyre", tha Kovaçevski.

Ky rast, sipas kryeministrit Kovaçevski, tregon se nuk mund të gjeneralizohet se tërë sistemi nuk funksionon dhe se çdo sistem është i përbërë nga individë, duke përmendur përgjegjësinë individuale.

"Megjithatë, kur t'i shihni bazat e vendosjes në listë të zezë, atëherë këtë përgjegjësi individuale mund ta identifikoni nëse institucionet, të cilat janë të obliguara për këtë, e nuk janë në kompetencë të Qeverisë, të merren me rastin dhe të mund të locojnë përgjegjësi individuale edhe në vende tjera dhe të sanksionojnë nëse ka nevojë", tha Kovaçevski.

Ai vlerëson se edhe këshilltarët në Komunën e Strugës do të duhet të mendojnë në cilën mënyrë më tej do të funksionojnë, duke marrë parasysh atë se Merko tashmë disa mandate ka qenë kryetar i komunës dhe ka bashkëpunuar me këshilltarë të disa partive.

"I shoh kumtesat e VMRO-DPMNE-së. VMRO-DPMNE-ja është parti politike, selia e së cilës është vendosur në ndërtesë të konfiskuar dhe në mënyrë kriminele të përfituar, e cila krahas gjithave, është edhe ndërtim pa leje. Pra, le të pyeten deri ku është rasti i tyre dhe në cilin sirtar gjendet. Dhe për këtë shkak, të gjitha grupet këshilltare duhet të ulen, të shohin se çka do të bëjnë në të ardhmen së bashku me kryetarin, në cilën mënyrë planifikojnë të vazhdojnë, duke marrë parasysh se janë zgjedhur që të mbrojnë dhe t'i avancojnë të drejtat e qytetarëve", tha Kovaçevski.

Ai thotë se nëse ndonjë ministër i Qeverisë gjendet në listën e zezë të SHBA-së, në të njëjtin çast ai do të shkarkohet. bsh/

Foto: MIA Arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR