• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski në Forumin Ekonomik të Vjenës: Integrimi në BE përveçse në pjesën politike, duhet të ndodhë edhe në pjesën ekonomike

Kovaçevski në Forumin Ekonomik të Vjenës: Integrimi në BE përveçse në pjesën politike, duhet të ndodhë edhe në pjesën ekonomike

Shkup, 13 nëntor 2023 (MIA) - Pas kësaj dinamike të re gjeostrategjike që e kemi në Evropë, fjala kyçe është integrimi, jo vetëm në BE por edhe në NATO. Prandaj integrimi duhet të ndodhë në pjesën politike, por edhe në atë ekonomike. Dhe kjo është arsyeja pse ne e mbështetëm dhe kërkuam me vendosmëri Planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor nga Presidentja e KE-së Ursulla fon der Lajen, meqë ai mbështetet dhe qëndrion mbi përfitimet e integrimit.

Këtë e theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalën e tij në seancën e panelit “Ndërtimi i bashkëpunimit ekonomik në kohë të vështira”, në kuadër të Forumit të 20-të ekonomik të Vjenës, ku mori pjesë së bashku me kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, Kosovës, Albin Kurti, Bullgarisë, Nikollaj Denkov, si dhe ministrin e Ekonomisë së Moldavisë, Dumitru Alaiba.

"Një gjë është e sigurt. Pas kësaj dinamike të re gjeostrategjike që kemi në Evropë, fjala kyçe është integrimi, jo vetëm në BE, por edhe në NATO, meqë me siguri dy nga vendet më të zhvilluara në Evropë, Suedia dhe Finlanda, tani duan të anëtarësohen në NATO. Njëri prej tyre është tashmë anëtar, e tjetri është në proces ratifikimi. E njëjta gjë vlen edhe për BE-në. Është vërtetuar se Bashkimi Evropian nuk mund të ketë dy kufij, kjo nuk është e qëndrueshme, dhe për momentin kemi një kufi të jashtëm të BE-së dhe kemi një kufi të brendshëm që është pikërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor", tha Kovaçevski.

Kryeministri theksoi se në dy vitet e fundit, në kohë krize, Maqedonia e Veriut ka arritur shumë gjëra relevante, veçanërisht në fushën e forcimit të marrëdhënieve me BE-në.

"Ne e ndërtuam të gjithë këtë me anëtarësimin në NATO, kështu që në vitin 2016 investimet e huaja direkte në vend ishin rreth 350 milionë euro në vitin më të madh të krizës, në vitin 2022 investimet e huaja direkte ishin rreth 760 milionë euro, që është dyfish më shumë", tha Kovaçevski.

 

 

Ai përkujtoi se në pjesën e pagave, paga minimale u rrit për 100 për qind, ndërsa pensionet për 40 për qind.

"Por kur kthehemi në shfrytëzimin e fondeve evropiane, është e rëndësishme të theksohet se Maqedonia e Veriut është dëshmuar se i zbaton të gjitha procedurat, dhe me qeverisje të mirë në pjesën e bujqësisë në veçanti, ne arritëm të jemi vendi i parë që hapëm programin IPARD 3 me 40 për qind rritje të fondeve të BE-së dhe të shpenzojmë atë paketë, që madje edhe disa anëtarë të BE-së nuk ia dolën ta arrijnë. Prandaj them se nëse dikush është i përkushtuar, çdo qëllim mund të arrihet", theksoi ai.

Sipas Kryeministrit, duhet të theksohet edhe rëndësia e Procesit të Berlinit, meqë ai ofron një mundësi për të punuar në legjislacionin, derisa Iniciativa e Ballkanit të Hapur, siç tha ai, është dëshmi se përmes sendërtimit të bashkëpunimit ekonomik sjell kontribute për qytetarët.

"Tregtia, pas nismës, me Serbinë dhe Shqipërinë u rrit për 20 për qind. Tregtia e Maqedonisë së Veriut me Serbinë u rrit për 50 për qind dhe ajo e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë për 40 për qind, ndërsa turizmi lulëzoi pasi qytetarët gjetën mundësi për të vizituar vendet të rajonit. E gjithë kjo shkon paralelisht me marrëdhëniet e mira politike, sepse pa marrëdhënie të mira politike nuk mund të ketë integrim ekonomik", theksoi Kovaçevski.

Për sa i përket infrastrukturës, theksoi ai, Ballkani Perëndimor, si asnjë rajon tjetër në Evropë, ishte pa infrastrukturë adekuate për dekada, ndërsa Korridori 8, siç tha ai, për arsye politike nuk u ndërtua asnjëherë në të kaluarën, meqë një pjesë e vendeve ishin pjesë e Paktit së Varshavës, ndërsa vendi ishte pjesë e Jugosllavisë.

 "Për sa i përket energjetikës, kemi parë progres në vitet e fundit, vendi flamuri i të cilit mban diellin është vendi me ditët më me diell në botë, e ne jemi ai vend. Ne kemi marrë parasysh Marrëveshjen e gjelbër evropiane dhe aktualisht instalojmë burime të rinovueshme dhe jemi pionierë në rajon. Në dy vitet e fundit kemi lëshuar 658 licenca për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme. Po punojmë gjithashtu në projekte strategjike me vendet tona fqinje, veçanërisht Greqinë, dhe do të fillojmë deri në fund të vitit me menaxhimin e projektit për zbatimin e tubacionit të ri të gazit që do t'ia mundësojë Maqedonisë së Veriut t'i bashkëngjitet Tubacionit trans-adriatik, e me këtë do të fitojmë pavarësi energjetike dhe diversifikimin në vend, theksoi kryeministri.

 

 

Kryeministri bullgar Nikollaj Denokov, nga ana e tij tha se Korridori 8 është i rëndësishëm për mobilitetin e NATO-s, ndërsa është i rëndësishëm edhe për diversitetin e naftës dhe të produkteve energjetike.

“Korridori 8 shkon nga Shqipëria drejt Bullgarisë dhe kur flas për jugun drejt veriut konsideroj se këto janë portet kryesore në Greqi, Aleksandropuli, Selanik dhe Kavallë, e më pas lidhen përmes porteve bullgare përmes Danubit deri në Rumani, dhe kjo është diçka që nëse e shikojmë në hartë është mënyrë krejtësisht natyrore për t’u zhvilluar ky rajon lindor. Thjeshtë, një vit më parë Greqia, Bullgaria dhe Rumania garonin për rutat nga Lindja drejt Perëndimit, theksoi Denkovi.

Sipas tij, njëra prej pjesëve më të vështira është që të ndryshohet mendësia e njerëzve në vendet tona. “Të kuptohet se jemi bullgarë qytetarë të Bullgarisë, por jemi edhe pjesë e Evropës, dhe nëse nuk kuptojmë se kjo sot është më e rëndësishme do ta kemi të vështirë që të përparojmë”, tha Denkovi.

 Në pyetjen e moderatorit pse Bullgaria ende nuk ka mentalitet të fortë evropian dhe cilat janë arsyet për këtë, Denkovi tha se ky është kombinim i dy arsyeve të ndryshme.

“Njëra prej është se ne kemi marrëdhënie shumë të fuqishme kulturologjike, historike, shkencore me Rusinë. Madje kur isha student mësoja kimi dhe fizikë nga librat shkollorë rusë. Ndërsa arsyeja për këtë, një pjesë e asaj është propagandë që ishte pjesë e jetëve tona që nga kopshti për fëmijë, e deri në shkollën fillore. Arsyeja e dytë është tejet e ndryshme, është fakt se qëkur Putini vendosi se nuk do të ndjekë agjendën evropiane të Rusisë, që ishte shumë e mundshme në fillim, ai vendosi që të ndjekë qasjen imperialiste dhe kështu vështirë jepet shembull pozitiv dhe ai tentoi t’i përfitojë këto vende me propagandë, me luftë hibride. Kjo luftë hibride zgjatë tashmë disa vite në Evropë, por në vendin tonë, zgjatë me dekada dhe kombinimi i këtyre të dyjave është me të vërtetë shumë e vështirë për t’u tejkaluar”, vlerësoi Denkovi.  

Foto: Printskrin

 

Фото: Принтксрин

QËNDRONI TË LIDHUR