Ndahen vendime pune për 28 specializantë në Spitalin klinik të Tetovës
- Në Spitalin Klinik të Tetovës sot 28 mjekë të cilët përfunduan specializimin në këtë institucion shëndetësor morën vendime për punë në afat të pacaktuar. Nënshkrimi i vendimeve u bë në një ceremoni në të cilën morën pjesë drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi dhe Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
- Post By Ramize Qamili
- 16:47, 3 dhjetor, 2025
Shkup, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Në Spitalin Klinik të Tetovës sot 28 mjekë të cilët përfunduan specializimin në këtë institucion shëndetësor morën vendime për punë në afat të pacaktuar. Nënshkrimi i vendimeve u bë në një ceremoni në të cilën morën pjesë drejtori i Spitalit të Tetovës, Erzen Elezi dhe Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Drejtori Erzen Elezi më pas në një konferencë për mediat theksoi se ky është konkursi i parë për punësimin e specializantëve, ndërsa në vazhdim ështe është i dyti, me të cilin do të punësohen më shumë mjekë.
"Specializantët në institucionin tonë Spitalin Klinik të Tetovës, kanë pasur specializime të ndryshme si ortopedi, neurologji, kirurgji, gjinekologji, terapi fizikale dhe të tjera. Spitali ynë Klinik ka ende nevojë për specializime. Në Ministrinë e Shëndetësisë ka një konkurs tjetër për punësimin e specializantëve të rinj, kemi nevojë për departamentet e sëmundjeve infektive, hematologjisë, radiografisë dhe kirurgjisë. Mendoj, me këtë konkurs (të ashtuquajturin të dytë) do të jemi 100 për qind të mbuluar me specialistë të rinj", theksoi Elezi.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot e vizitoi Spitalin Klinik të Tetovës me rastin e ndarjes së vendimeve për punësim të mjekëve–specializantë nga disa fusha.
“Me kënaqësi të madhe marr pjesë në ndarjen e vendimeve për punësimin e 28 mjekëve specializantë. Bëhet fjalë për specializantë privatë nga fusha të ndryshme, me ç’rast përmirësohet ndjeshëm kujdesi shëndetësor specialistik në këtë institucion. Specializantët privatë punësohen përmes konkursit publik të shpallur, testimeve të realizuara, intervistave dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore. Në kuadër të përpjekjeve për regjionalizimin e shërbimeve shëndetësore dhe forcimin e spitaleve klinike rajonale dhe atyre të përgjithshme në mbarë shtetin, pikërisht Spitali Klinik i Tetovës është një nga fokuset kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë,” theksoi Aliu.
Ai kujtoi se, në kuadër të këtyre përpjekjeve për regjionalizim, në këtë institucion po punohet edhe në shpërndarjen e shërbimeve onkologjike, me qëllim që pacientët t’i marrin shërbimet e nevojshme shëndetësore më afër vendbanimit të tyre. rq/
Foto: MIA