Kovaçevski: LSDM-ja mëson nga gabimet, por mbështetja për VMRO-DPMNE-në nënkupton kthim në të kaluarën
- LSDM-ja pranoi ndëshkimin nga qytetarët në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe di të mësojë nga gabimet e veta dhe nuk do t'i përsërisë, por dhënia e mbështetjes për VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet e ardhshme do të thotë kthim në të kaluarën dhe ndalim të të ardhmes së vendit, theksoi sonte kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, në tubimin parazgjedhor të koalicionit për ardhmëri evropiane në Koçan.
- Post By Qefsere Abduli
- 22:27, 3 maj, 2024
Koçan, 3 maj 2024 (MIA) - LSDM-ja pranoi ndëshkimin nga qytetarët në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe di të mësojë nga gabimet e veta dhe nuk do t'i përsërisë, por dhënia e mbështetjes për VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet e ardhshme do të thotë kthim në të kaluarën dhe ndalim të të ardhmes së vendit, theksoi sonte kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, në tubimin parazgjedhor të koalicionit për ardhmëri evropiane në Koçan.
"E di që ai ndëshkim më 24 prill na është dhënë neve dhe jo idesë së Maqedonisë evropiane. Ajo që nuk do t'i pranoj janë kritikat nga VMRO-DPMNE dhe nga Hristijan Mickoski, studenti i Nikolla Gruevskit dhe kandidatja e tij për president Siljanovska, të cilët po tentojnë të sabotojnë sërish të ardhmen e shtetit. Kjo do të thotë se në VMRO nuk ka ndryshuar asgjë në periudhën e kaluar dhe as nuk kanë mësuar nga gabimet e tyre. Kjo është e njëjta VMRO që ndërtoi një pallat të bardhë në qendër të Shkupit dhe prej andej sunduan si mbretër, pa ndjenjën e përgjegjësisë ndaj askujt përveç vetes. Nëse një parti e djathtë si VMRO-DPMNE merr shumë pushtet, do të thotë fundi i perspektivës sonë evropiane, sepse do ta vonojnë pafundësisht integrimin evropian, sepse nuk kanë plan dhe nuk janë konsistent në arritjen e qëllimeve strategjike të shtetit, na duhet një e ardhme evropiane, pa u kthyer 20 vjet pas në të shkuarën e hidhur", theksoi Kovaçevski.
Ai në fjalimin e tij para të pranishmëve ka kritikuar bashkëpartiakët e djeshëm që kanë krijuar partinë e tyre për të dëmtuar LSDM-në.
Në tubimin në Koçan foli edhe bartësja e listës në Njësinë e tretë, Sanja Lukarevska e cila u bëri thirrje qytetarëve që më 8 maj të dalin në qendrat e votimit dhe të votojnë për të ardhmen evropiane të vendit.
"Më 8 maj, vetëm ju, me fuqinë e votës suaj, vendosni se në ç'vend do të jetojmë të gjithë, ju ftoj në një përgjigje masive ndaj zgjedhjeve të dyfishta, të merrni pjesë aktive në krijimin e së ardhmes tuaj, sepse në demokraci zakonisht votat e atyre që nuk dalin për të votuar e përcaktojnë fituesin. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është në dorën tonë, mos i lini të na largojnë nga ajo rrugë, alternativa e asaj rruge është katastrofike për Maqedoninë. Dhe duan apo s'duan disa, LSDM-ja do të shkruhet në histori si një forcë e organizuar politike që riktheu lirinë dhe e ktheu shtetin në rrugën e duhur, dhe të mos harrojmë se LSDM-ja gjithmonë ka bërë betejat më të vështira, nga pavarësia e deri më sot", tha Lukareska. qa/
Foto: MIA