• e diel, 22 dhjetor 2024

Kovaçevski: Integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është i rëndësishëm për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit

Kovaçevski: Integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është i rëndësishëm për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit

Shkup, 29 qershor 2023 (MIA) - Integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe mundësitë për përparimin ekonomik, zhvillimin social, si dhe mbështetjen e hapur të Gjermanisë në këtë drejtim ishte tema e diskutimit të ekspertëve  të organizuar nga Fondacioni "Fridrih ebert" në Berlin ku mori pjesë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski në suaza të vizitës së tij dyditëshe në Repubikën Federale të Gjermanisë.

Siç kumtoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, në debatin ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri  për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, morën pjesë përfaqësues të komunitetit akademik dhe joqeveritar gjerman, si dhe deputetë të Bundestagut gjerman, Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme dhe Partisë Socialdemokrate Gjermane.

Në debat, Kryeministri Kovaçevski rikonfirmoi rolin e Republikës Federale të Gjermanisë si partner i dëshmuar në rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Një marrëdhënie e tillë bazohet në tre dekada të marrëdhënieve të zhvilluara dypalëshe, si dhe në qasjen dhe kontributin e vazhdueshëm objektiv të Gjermanisë në përparimin e vendit tonë.

"Duke përmendur zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Kovaçevski theksoi se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm çështje zgjerimi, por edhe pozicionimi gjeostrategjik në rajon, ndërsa në kontekstin e agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë", citohet në kumtesë.

Zhvillimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve miqësore është reflektuar edhe në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtinë mes dy vendeve, i cili vetëm vitin e kaluar arriti në 3.2 miliardë euro. Bashkëpunimi bazohet gjithashtu në investime të rëndësishme strategjike, si dhe në objekte të mëdha prodhuese që kompanitë gjermane po hapin në Maqedoninë e Veriut.

Gjithashtu u diskutua edhe për mbështetjen e Bashkimit Evropian, konkretisht për mbështetjen financiare e cila përmes fondeve IPA deri më tani është mbi një miliard euro, gjë që konfirmon pozicionin e BE-së si donatori më i madh në vend. Në periudhën e ardhshme, përmes instrumentit IPA 3, Maqedonia e Veriut do të ketë në dispozicion 180 milionë euro deri në vitin 2027, si dhe 97 milionë euro fonde të pakthyeshme për bujqësinë përmes IPARD 3.

Kryeministri Kovaçevski përshëndeti rolin e fondacionit "Fridrih Ebert" në vendin tonë dhe mbështetjen aktive të tij në reformat dhe ndërtimin demokratik të vendit në 27 vitet e fundit, qëndron në kumtesë. sa/

 

Фото: Влада

QËNDRONI TË LIDHUR