• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kovaçevski dhe Mariçiq: Kremtimi i sotëm dinjitoz i lindjes së Dellçevit është mësim për vitet në vijim

Kovaçevski dhe Mariçiq: Kremtimi i sotëm dinjitoz i lindjes së Dellçevit është mësim për vitet në vijim

Shkup, 4 shkurt 2024 (MIA) - Ish kryeministri dhe kryetar i LSDM-së Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri i obliguar për Çështje Evropiane në Qeverinë teknike, Bojan Mariçiq shprehën kënaqësi nga kremtimi i sotëm dinjitoz i lindjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçev.

Kremtimi i tillë, porositën, duhet të jetë mësim për vitet në vijim.

"Në mënyrë vërtet dinjitoze u shënua 152 vjetori i lindjes së Goce Dellçevit. Më vjen mirë që në këtë mënyrë e përkujtuam këtë ditë të madhe në historinë e Maqedonisë. Jemi këtu në kishën "Shën Spas" ku Dellçevi kërkoi të varroset, në Republikën e pavarur sovrane të Maqedonisë. Ne mund të jemi krenarë, jo vetëm që ai prehet në një Maqedoni të pavarur, por edhe në Maqedoninë që po përparon, e cila është pjesë e NATO-s, e cila do të bëhet pjesë e BE-së dhe me të vërtetë, ai dhe të gjithë ne mund të jemi krenarë për atë që kemi bërë në dekadat e kaluara", tha Kovaçevski pas ceremonisë.

Sipas Mariçiqit, emri dhe vepra e Goce Dellçevit meriton të shënohet pa konflikte, nacionalizëm dhe keqpërdorim.

"Sot patëm një rast dhe mundësi të bukur që të kujtojmë veprën e Dellçevit dhe të respektojmë gjithçka që ka bërë për lirinë e atdheut tonë. Në këtë moment është mirë të tregojmë respekt, por edhe unitet në kremtimin e emrit dhe veprës së tij, por edhe në respektimin e tij - kështu duhet si sot që kremtojmë,  pikërisht kështu është me vend të respektojmë dhe kjo është shumë më mirë se si në vitet e kaluara apo disa vite të tjera kur kjo festë, e cila duhej të bashkojë, shkaktoi përçarje. Shpresoj që ky vit të jetë një mësim për të gjitha vitet në vijim. Qeveria po ndërmerr gjithçka që është e nevojshme që dita e sotme të kalojë në rendin më të mirë", tha Mariçiq.

Pyetjes së një gazetari se pse atmosfera është e qetë dhe pa tension, ai u përgjigj se veprimet politike dhe institucionale janë marrë në kohë. Ai tha se situata në Bullgari tani është ndryshe - ka një qeveri të re dhe kjo është pjesë e normalizimit të marrëdhënieve.

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR