• e shtunë, 24 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Kos-Zheljazkov: Integrimi evropian sjell stabilitet dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor

Kos-Zheljazkov: Integrimi evropian sjell stabilitet dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor

Shkup, 17 prill 2025 (MIA) - Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor dhe rëndësia e zgjerimit të Unionit ishin në fokus të takimit të kryeministrit bullgar Rosen Zheljazkov dhe eurokomisares për zgjerim Marta Kos, e cila u takua me përfaqësuesit më të lartë politikë bullgarë në Sofje dhe gjithashtu mori pjesë edhe në forumin "BE-ja takohet me Ballkanin".

Zheljazkov, pas takimit me Kos, tha se Bullgaria gjithmonë i ka trajtuar përpjekjet për integrim të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE me vëmendje të veçantë dhe shkallë të lartë të përgjegjësisë. Ai theksoi se qëndrimi bullgar është i qartë dhe konsistent dhe se Sofja mbështet rrugën evropiane të çdo vendi në Ballkanin Perëndimor, sipas parimeve të qasjes individuale dhe progresit të arritur.

"Ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë proces, sepse e konsiderojmë si pjesë të vizionit tonë strategjik për një kontinent evropian të qëndrueshëm, të begatë dhe të bashkuar", tha Zheljazkov pas takimit me eurokomisaren, duke shtuar se "historia, kultura dhe afërsia gjeografike me vendet e rajonit na japin besimin dhe mundësinë për të qenë jo vetëm ndërmjetës midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, por edhe forcë lëvizëse në këtë proces, si dhe përfaqësues i tij".

Sipas tij, pa integrimin e këtij rajoni, projekti evropian thjesht nuk mund të përfundojë.

"E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor është një garanci prosperiteti dhe paqeje, por edhe një lloj parandalimi nga ndikimi i forcave që synojnë përçarje dhe destabilitet - si në rajon ashtu edhe në Evropë në tërësi. Gjithashtu, integrimi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor është një zgjedhje strategjike që lidhet me sigurinë, stabilitetin dhe konkurrencën e të gjithë kontinentit", tha Zheljazkov.

Kryeministri shprehu besimin se përkushtimi ndaj reformave duhet të jetë i ndërsjellë – si nga kandidatët ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se nevojitet largpamësi, ndershmëri, qartësi dhe dialog.

Sipas tij, sot, kur Evropa po përballet me sfida të reja, konflikte ushtarake, kërcënime hibride, presion migrator dhe pasiguri energjetike, integrimi i Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie të veçantë për Bullgarinë dhe qeverinë bullgare.

Eurokomisarja Marta Kos falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e saj për zgjerimin, duke theksuar se zgjerimi është një nga prioritetet më të rëndësishme të Komisionit aktual Evropian.

"Aderimi i fqinjëve tuaj në Bashkimin Evropian do të sjellë shumë përfitime për bizneset në Bullgari. Ai do të nxisë tregtinë, do të përmirësojë mundësitë e investimeve dhe do të përmirësojë aksesin në Evropën Qendrore", tha Kos, duke shtuar se integrimi evropian do të çojë në stabilitet dhe siguri në rajon.

Kos paraprakisht është takuar edhe me kreun e shtetit bullgar Rumen Radev, i cili ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së për të qenë i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm duhet të ndërtohet mbi zbatimin e vërtetë të kritereve të Kopenhagës për anëtarësim.

Заменик-министерот за надворешни работи и надворешна трговија, Зоран Димитровски денеска во Софија учествуваше на форумот „ЕУ го среќава Балканот“, во организација на Атлантскиот клуб од Буга

Në forumin “BE takohet me Ballkanin" mori pjesë edhe zëvendësministri i Maqedonisë për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme Zoran Dimitrovski, i cili theksoi se Maqedonia është kampione në Evropë për mbrojtjen e të drejtave etnike dhe se ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë në vetvete nuk paraqesin problem.

"Ajo që po shqetëson është e gjithë paketa me kuadrin e negociatave, përfshirë edhe protokollet.  Nëse integrimi i Maqedonisë në BE varet nga rezultatet e punës së Komisionit të përbashkët Maqedono-Bullgar për Çështje Arsimore dhe Historike, atëherë mund të vonohet shumë. Komisione të tilla historike ndërshtetërore pas Luftës së Dytë Botërore, si ato midis Gjermanisë dhe Francës ose Gjermanisë dhe Polonisë, mund të punojnë për dekada përpara se të japin rezultate. Është e nevojshme që çështjet dypalëshe të identitetit dhe historisë të jenë jashtë procesit të negociatave", theksoi Dimitrovski.

Në forum foli edhe nënpresidentja bullgare Iliana Jotova, e cila tha se "Bullgaria nuk vendos kushte shtesë për procesin dhe negociatat e Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt Evropës". Ajo theksoi se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve nuk janë problem për dështimin e Maqedonisë së Veriut për të filluar negociatat me BE-në, duke theksuar se kjo është "tezë e politikanëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe e disa politikanëve dhe ekspertëve evropianë".

Këtë javë, në një intervistë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA, eurokomisarja Kos tha se KE-ja po punon për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut që të fillojë negociatat sipas klasterëve dhe se ajo është e angazhuar personalisht në çështjen bilaterale me Bullgarinë dhe në këtë kuadër do të udhëtojë në Sofje "për takime me politikanë bullgarë, e më pas do të kontaktojë edhe me politikanët në vend". sa/

Foto: Arkivi i MIA-s, Qeveria e Bullgarisë 

QËNDRONI TË LIDHUR