• e hënë, 23 dhjetor 2024

Kostadinovski për MIA-n: Pas 33 vitesh Gjkatë Kushtetuese, në shtator fillon reforma me Aktin e ri

Kostadinovski për MIA-n: Pas 33 vitesh Gjkatë Kushtetuese, në shtator fillon reforma me Aktin e ri

Shkup, 1 shtator 2024 (MIA) - Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, në një intervistë për MIA-n, thekson se Gjykata bëri një reformë të madhe në qershor kur miratoi Aktin e ri, i cili praktikisht e përmirësoi punën që i ishte nënshtruar më parë për 30 vjet kritika për manipulimin e gjyqtarëve, të kryetarit të Gjykatës, për kompromise me politikën lidhur me çështje të ndjeshme, për ngadalësinë në veprim dhe vendimmarrje.

Një nga risitë më të rëndësishme në Akt, që do të zbatohet nga sot, siç thuhet, janë kufizimet dhe afatet kohore për gjyqtarët dhe kryetarin e gjykatës në procedimin e çështjeve.

“Gjyqtarit raportues i parashikohet një afat prej gjashtë muajsh për të paraqitur përmbledhjen e seancës, në të kundërt duhet të shpjegojë arsyet e tejkalimit të afatit. Gjithashtu, ka afat që Kryetari i Gjykatës t'i paraqesë në seancë abstraktet e dorëzuara brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit, përndryshe të njoftojë Gjykatën për tejkalimin e afatit. Me këtë ndryshim të rëndësishëm, kompetenca e gjyqtarit raportues dhe e kryetarit të gjykatës kufizohet dhe kompetenca i kalon Gjykatës, në vendosjen e argumenteve nga nëntë gjyqtarë. Procedurave u jepet një afat kohor i caktuar. Më herët këtë ndërhyrje në Akt e kam quajtur “masë antimanipuluese”. Publikisht theksoj se në vazhdimësi do t'i respektoj dispozitat e Aktit, i cili hyn në fuqi sot (1 shtator)”, thekson Kostadinovski.

Në vijim intervista e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski:

Z. Kostadinovski, kjo është intervista e parë për MIA-n pasi jeni emëruar kryetar i Gjykatës Kushtetuese, prandaj me atë rast do ta shfrytëzoj rastin që këtë intervistë ta filloj me shqyrtimin tuaj të asaj që është bërë deri më tani. A keni arritur të impononi ritmin tuaj të punës, çfarë keni ndryshuar dhe a jeni në rrugën e duhur për të filluar të realizoni prioritetet tuaja të shpallura publikisht?

Në konferencën time të parë për shtyp, kam shpallur prioritetet e mia, të cilat do të bëj gjithçka për t'i realizuar. Për t'i kujtuar publikut se cilat janë prioritetet. Pa kompromis në sigurimin e autonomisë dhe pavarësisë së Gjykatës, pa kompromis në çdo përpjekje politike apo çdo përpjekje për të ndikuar në Gjykatën dhe gjyqtarët, aktivizmin gjyqësor dhe transparencë më të madhe të Gjykatës, bashkëpunimin intensiv me shkencën, bashkëpunimin intensiv ndërkombëtar, avancimin e kulturës kushtetuese dhe juridike. Nëse analizoni me kujdes periudhën nga zgjedhja ime më 4 qershor e deri më sot për një periudhë relativisht të shkurtër, është evidente se janë mbajtur disa seanca me tema me interes më të gjerë për publikun dhe kam njoftuar gjithashtu se në shtator dhe tetor do të vendos të gjitha të ashtuquajturat tema të ndjeshme, dhe dy seancat e para tashmë janë caktuar për në shtator dhe rendi i ditës është publikuar. Kam lidhur një Memorandum Bashkëpunimi me Fakultetin Juridik dhe kemi përshkruar konturet e bashkëpunimit për periudhën në vijim. Kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me përfaqësues ndërkombëtarë të cilët ofrojnë mbështetje për avancimin e shtetit të së drejtës dhe ngritjen e mekanizmave mbrojtës për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, për transparencën dhe hapjen e Gjykatës, si dhe punoj intensivisht në agjendën ndërkombëtare dhe kalendarin e takimeve dhe shkëmbimeve të vizitave me gjykatat e tjera për periudhën e ardhshme. Kam njoftuar se do të punoj intensivisht për propozimin tim që seancat e Gjykatës në pjesën e shqyrtimit të çështjeve të transmetohen drejtpërdrejt dhe do të bëj gjithçka që kam në dorë që të marr mbështetjen e gjyqtarëve për këtë ide. Sa i përket aktivizmit gjyqësor, publiku tashmë do të ketë mundësinë të shohë në shtator se nuk janë vetëm fjalë boshe. Si kryetar dhe si Gjykatë, ne kemi reaguar ndaj çdo sulmi të papërshtatshëm apo të pahijshëm ndaj Gjykatës apo gjyqtarëve. Kjo pasqyrë e asaj që është bërë deri më tani tregon qartë një ritëm të ri pune dhe ndryshimesh, të gjitha për shkak të një prioriteti imperativ që i kam vënë vetes, rikthimit të besimit të qytetarëve tek shteti ligjor dhe tek institucionet e sistemit.

Meqë përmendët tema të rëndësishme, ndër to siç shihet edhe nga rendi i ditës së seancës së caktuar për më 18 shtator është edhe çështja “Balancuesi” siç njihet në popull. Çfarë duhet të presim nga Gjykata, nëse kemi parasysh se kjo çështje po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme edhe në qarqet politike. Kryeministri shpalli heqjen e tij, Ministri i Administratës Publike e mbështeti në këtë ide. Nisma është dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), a mund të ndërhyjë qeveria apo duhet të presë që Gjykata Kushtetuese të vendosë, duke qenë se ju keni një lëndë aktive?

Nga Gjykata mund të pritet një seancë në të cilën do të prezantohen dhe përplasen faktet dhe argumentet kushtetuese-juridike dhe një vendim që do të jetë i qëndrueshëm dhe ekskluzivisht i bazuar në kushtetutë.Kultura kushtetuese-juridike, e cila është thelbësore në rastet kur një demokraci e qëndrueshme synon të kalojë në një demokraci të pjekur, nënkupton respektimin e kufijve të secilit prej autoriteteve të veçanta të përcaktuara nga Kushtetuta, respektimin e Kushtetutës, pra të kompetencave dhe autorizimeve të normatizuara nga të gjithë. Pyetja është ngritur në Gjykatën Kushtetuese dhe ne jemi të detyruar t'i përgjigjemi, dhe çdo autoritet tjetër shtetëror mund të veprojë, të mos veprojë, të presë përfundimin e Gjykatës Kushtetuese etj. Nuk është detyra ime apo nuk janë në kompetencat e mia që të komentoj njoftimet, planet, reagimet, qëndrimet e politikanëve apo bartësve të funksioneve shtetërore që lidhen me të ashtuquajturin “Balancues”,

Vetëm nëse secili prej autoriteteve e kupton dhe respekton drejt parimin e ndarjes së pushteteve, që është vlerë themelore e rendit tonë kushtetues, i përmbahet kompetencave dhe autorizimeve, mund të flasim për një shtet juridik në të cilin mbizotëron ligji, vetëm kështu do të rikthehet besimi i qytetarëve në institucionet e sistemit. Fatkeqësisht, realiteti ynë kushtetues, realiteti ynë shpreh diçka krejt tjetër, pra thotë se shumë kohë më parë shkelja dhe devijimi nga kjo vlerë themelore rezultoi në një shtet të rrënuar të së drejtës dhe një mosbesim historikisht më të lartë të qytetarëve në institucionet e sistemit”,

Çfarë duhet të presim nga Gjykata Kushtetuese?

E thashë tashmë, pres një diskutim të bazuar vetëm në argumente juridike dhe një vendim të Gjykatës si shprehje dhe rezultat i një analize kushtetuese juridike, pa premisa emocionesh, arsyetime politike, kombëtare apo të tjera. Vetëm një vendim i argumentuar ligjërisht dhe i arsyetuar mund të ndikojë në besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit. Institucion shtetëror (KSHPK) është parashtruesi i asaj iniciative, pyetja që është parashtruar në Gjykatë padyshim që krijon dilema në shoqërinë tonë, është detyra jonë që të heqim dilema të tilla në mënyrë juridiko-autoritative që do të pranohen nga të gjithë.

Është edhe një çështje tjetër interesante në pritje për të marrë vendim, Ligji për Gjuhët. Opinioni publik ka kohë që flet për atë rast dhe pret një vendim, duke qenë se është themeluar në vitin 2019. Pritshmëritë janë që brenda një kohe të shkurtër të ketë një vendim, duke qenë se kryetarja e mëparshëm ka njoftuar se keni një Konkluzion për ta çuar çështjen për diskutim. Hipotetikisht, sido që të jetë vendimi, do të ketë qytetarë të pakënaqur. A do të arrijë Gjykata Kushtetuese të balancojë me mençuri pa i prishur marrëdhëniet politiko-etnike në vend, sidomos pas informimit të kryeministrit për sfida të mundshme të sigurisë këtë vjeshtë?

Lënda e Ligjit për Gjuhët përbëhet nga 13 nisma nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme dhe është themeluar që nga viti 2019. Lënda është trajtuar nga disa gjyqtarë dhe unë jam kryetari i katërt i Gjykatës që do të kem mundësi ta prezantoj rastin në seancë. Për sa i përket rezultatit, do të distancohem nga opinion im personal edhe pse kam një qëndrim për këtë çështje që kur na është shpërndarë raporti i parë. Opinion publik do të mund të dëgjojë edhe argumentet për këtë çështje pasi do të jetë në rendin e ditës së Gjykatës në javën e parë të tetorit.

Por në lidhje me pyetjen tuaj nëse Gjykata do të jetë në gjendje të balancojë me mençuri pa prishur marrëdhëniet politiko-etnike në vend si dhe sfidat e mundshme të sigurisë, më lejoni që për ju dhe opinionin të shfrytëzoj këtë mundësi dhe të jap mendimin tim dhe sa sa e lejon hapësira, një sqarim.

Jemi të vetëdijshëm se Gjykata Kushtetuese mban barrën më të madhe për të vendosur për çdo çështje delikate, por për këtë punë është Gjykata. Si një nga gjyqtarët me shërbimin më të gjatë në përbërjen aktuale, kam qenë dëshmitar i disa situatave të tilla.Përvoja më ka treguar dy gjëra të rëndësishme, të cilat janë të rëndësishme edhe për mandatin tim si kryetar.

E para është: a është e justifikuar vonimi i vendimit për një çështje të caktuar në emër të ndjeshmërisë dhe reagimeve dhe implikimeve të mundshme shoqërore dhe a ia ka arritur qëllimit? Jo, ndjeshmëria e çështjeve të tilla nuk kufizohet me një hark kohor, ndjeshmëria nuk zvogëlohet me kalimin e kohës, ato kanë qenë dhe janë lëndë të ndjeshme para katër vitesh si dhe sot, dhe nga ky aspekt është më mirë dhe më e shëndetshme që Gjykata të procedojë sa më shpejt dhe pa kalkulime për të vendosur, ekskluzivisht me argumente kushtetuese-juridike, prandaj si kryetar me këtë përvojë do të angazhohem për një vendim sa më të shpejtë për lëndët, pavarësisht shkallës së ndjeshmërisë së tyre.

Gjëja e dytë ekskluzivisht relevante si për Gjykatën ashtu edhe për këto çështje të rëndësishme që po flasim, por edhe për shtetin e së drejtës është: A jemi të gatshëm dhe të pjekur si shoqëri për t'u përballur me vendimet e Gjykatës, të cilat sigurisht që janë me interes të lartë publik.Pra duhet të jemi të sinqertë dhe të pyesim veten nëse jemi një demokraci e qëndrueshme, a është e nevojshme dhe e domosdoshme që të bëjmë hapin dhe kalimin në një demokraci të pjekur? Qëndrimi im është i qartë. Qëndrimi im është se është e nevojshme, se është koha për ta bërë atë hap drejt një demokracie të pjekur. Realiteti ynë kushtetues, është se jetojmë në një demokraci të qëndrueshme, por jo ende të pjekur. Një demokraci e pjekur, nënkupton një nivel të lartë të kulturës kushtetuese dhe politike, respekt të fortë për shtetin e së drejtës, institucione të qëndrueshme të pavarura, institucione që i kanë rezistuar kohës dhe mund të përballen me efektivitet me sfida si krizat politike, ekonomike, shëndetësore, çdo lloj rënie, norma të rrënjosura thellë demokratike që respektojnë liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Edhe demokracitë e pjekura mund të përballen me periudha jostabiliteti, por me këtë, siç thotë ai, nuk e humbasin karakterin e tyre themelor demokratik.

Prandaj, shoqëria maqedonase nuk mundet dhe nuk duhet të "dridhet" duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për një çështje të caktuar. Është e pamundur që shumë aktorë politikë në mëngjes të mos e heqin nga goja përkushtimin për shtetin ligjor, për standardet evropiane dhe pasdite vendimet e Gjykatës Kushtetuese t'i etiketojnë si politike, etnike, fetare etj. Nuk është e mundur që politika të vendoset mbi ligjin, të kapërcejë kufijtë e përcaktuar nga Kushtetuta, të krijojë kaos ligjor, që krijon kaos politik dhe kur Gjykata i jep përgjigje ligjore kaosit, atëherë etiketohet ose tiparet e Gjykatës janë një rast për disa tensione politike. Është koha për të kaluar në një demokraci të pjekur, nga e cila do të përfitojnë të gjithë qytetarët pa përjashtim.

Vendimet e Gjykatës nuk duhet të shihen si kërcënim ndaj dikujt apo diçkaje, as si vendime që rrisin apo pakësojnë të drejtat e dikujt, por duhet të pranohen dhe të jenë një pikë referimi, një kornizë për të vepruar në përputhje me konstatimet e Gjykatës për të gjithë autoritetet e tjera, legjislative, ekzekutive, gjyqësore, monetare ose lokale. Për t'i ndihmuar, veprimet, rregulloret apo vendimet e tyre janë në përputhje me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese është në majë të piramidës që quhet shteti ligjor, është më e referuara për të pasqyruar sigurinë juridike, respektimin e rendit juridik. Për këtë janë gjykatat kushtetuese, as më shumë, as më pak.

Kjo është përgjigja ime për ju, dhe në të njëjtën kohë një apel për qytetarët, autoritetet shtetërore, politikanët, nëse vërtet mendojnë mirë për Republikën, nëse duan vërtet një shtet ligjor në të cilin do të sundojë ligji, pikëpamjet e tyre të shpallura publikisht për Standardet evropiane, për shtetin e së drejtës, t'i rakordojnë me veprat dhe veprimet e tyre në praktikë, për t'i rakorduar me nevojat reale të qytetarëve për një shoqëri të pjekur demokratike si më të dëshirueshmen për ta. Për mua çdo veprim jashtë këtyre kornizave është manipulim i pastër i qytetarëve. Nëse vendimi i Gjykatës për këtë apo ndonjë çështje tjetër mund të prishë, siç thoni ju, marrëdhëniet politiko-etnike, atëherë lind pyetja se a jemi me të vërtetë një demokraci e qëndrueshme?

Ndryshime të mëdha janë bërë që nga hyrja në fuqi e Ligjit, të gjitha institucionet kanë ndryshuar emërtimet e tyre duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, ka probleme të dukshme gjatë zbatimit, për shembull në gjyqësor ka pasur një rast të Prokurorisë Speciale Publike (PSP) disa vite më parë e cila u bllokua për shkak se avokati kërkoi që gjithçka të përkthehej në shqip, edhe pse në sallën e gjyqit ishte siguruar një përkthyes. Shteti padyshim nuk ka kapacitet në çdo gjykatë në çdo qytet për të përkthyer dokumente në gjuhë të tjera përveç maqedonishtes. A ka mundësi që Gjykata Kushtetuese të “kapë” disa fusha që janë rezultuar më problematike në praktikë dhe jo të gjithë Ligjin?

Siç e theksova, me këtë Ligj politika krijoi një lloj kaosi juridik, i cili rezultoi në kaos politik, mosbesim, dilema. Opinioni tashmë e ka parë edhe raportin e Komisionit të Venecias. Jemi të vetëdijshëm për

interesin publik dhe për pasojat e mundshme nëse Gjykata vendos të shfuqizojë ose të lërë në fuqi këtë ligj ose të ndërhyjë në dispozita të caktuara, është e mundur që të ketë pakënaqësi. Ajo që është e rëndësishme është që të shohësh objektivisht argumentet në çdo vendim përpara se të bësh ndonjë koment. Vendimi i Gjykatës duhet të respektohet dhe të pranohet si shprehje e pjekurisë së politikës dhe shoqërisë, vendimi duhet të jetë kornizë udhëzuese për veprimin e ligjvënësit. Fakt është, se Ligji zbatohet dhe krijon probleme në zbatimin e tij dhe nga ky aspekt, nga 1 shtatori, me hyrjen në fuqi të Aktit të ri të Gjykatës, për të shmangur pasoja të dëmshme për qytetarët, Gjykata Kushtetuese ka mundësinë që me një vendim të mundshëm të nisë procedurën për përcaktimin e afatit në të cilin ligjvënësi duhet të respektojë dhe të heqë çdo dispozitë problematike kushtetuese brenda një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj. Nuk mund ta parashikoj nëse kjo do të ndodhë.

Shkurtimisht dhe në fund për këtë temë, a duhet të presim një vendim “politik” të Gjykatës Kushtetuese nëse ky është çmimi i paqes në vend, duke qenë se janë prekur partnerët e koalicionit, jo vetëm në këtë aktual, por edhe në çdo qeveri nëse merret parasysh përbërja?

Gjykata Kushtetuese në asnjë mënyrë nuk merr vendime politike, por vendime kushtetuese që padyshim prekin çështje dhe procese të rëndësishme politike në vend dhe ky është fakt. Çelësi për raste të tilla është ajo që e kam theksuar tashmë, që fillimisht të merren vendimet në kohë, e jo lëndët të mbahen në sirtar me vite, sepse në atë mënyrë vetë mosvendimi i Gjykatës është një lloj vendimi në mbështetje të kompromisve politike. Dhe e dyta është çështja e pjekurisë demokratike, nëse bëhemi anëtare të NATO-s, nëse jemi gati të negociojmë me BE-në, do të thotë se tashmë ndajmë vlerat që janë karakteristikë e një demokracie të qëndrueshme dhe në kalimin e një demokracie të pjekur duhet të mësojmë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohen dhe respektohen si vendime në të cilat nuk do të ketë aspekte emocionale, politike, fetare apo etnike, por thjesht argumente juridike.

Kur flasim për paqen në vend dhe për kompromise politike, nuk mund të lëmë jashtë temën e të ashtuquajturve “Rastet e Hagës” që shqetësonin opinionin njëzet vjet më parë. Një tjetër çështje e vështirë për Gjykatën Kushtetuese, e cila është ende aktuale. Kur mund të presim një vendim nga Gjykata?

Lidhur me aspektet e vendosjes për paqen në vend dhe kriteret politike, mendoj se përgjigjen dhe qëndrimin tim për çështje kaq të vështira dhe të rëndësishme e kam dhënë edhe më parë. Qëndrimi im është i njëjtë për të gjithë ata që janë aktualisht dhe për të gjithë ata që do të paraqiten para Gjykatës në të ardhmen.

Vonesat kohore nuk do të zvogëlojnë interesin dhe ndjeshmërinë, përkundrazi, vetëm do të ulin besimin në Gjykatë dhe shtetin e së drejtës. Vendimi, cilido qoftë ai, duhet pranuar dhe respektuar në përputhje me karakteristikat e një demokracie të pjekur, në interes të shtetit ligjor dhe në interes të gjithçkaje që kam vënë në dukje më parë edhe për "Balancuesin" dhe Ligjin e Gjuhëve.

Lënda në vendin tonë u krijua në shkurt të këtij viti pas një nisme të paraqitur nga një politikan. Pres që ekipi që po punon për të ta sjellë atë tek unë së shpejti në mënyrë që të mund ta vendos atë në një seancë për ta diskutuar. Dhe në thelb nuk do të ketë më dhe nuk mund të ketë asnjë manipulim të ruajtjes së lëndëve në sirtar.

Para se të përfundojmë këtë bllok pyetjesh për çështjet aktuale të Gjykatës Kushtetuese, a mund të befasojë Gjykata në një nga seancat e ardhshme me një vendim për dënimet e zyrtarëve të Kodit Penal (KP)?

Në atë moment kur gjyqtari raportues do të më dorëzojë kallëzimin, ai do të vendoset në rendin e ditës për diskutim në përputhje me Aktin e ri. Unë thashë që nuk mbaj më lëndë në sirtar. Në periudhën e ardhshme, çdo lëndë e ashtuquajtur e profilit të lartë apo me interes publik, siç është rasti me Ligjin për Komunikimet Elektronike, Ligjin për Solidaritetin, "Balancuesin", Ligjin për Gjuhët, etj. Pozicionet e mia të mëparshme vlejnë edhe për këtë temë.

Nga rastet e lartpërmendura, më konkretisht për kohëzgjatjen e disa procedurave, ka reagime të shpeshta në opinion dhe kjo krijon disi imazhin se drejtësia në vend është e ngadaltë. Ju njoftuat se nga shtatori me Aktin e ri do të keni mundësi të ndikoni dhe shkurtoni procedurat. Mund të sqaroni se si do ta zgjidhni këtë?

Ju e dini që Gjykata bëri një reformë të madhe në qershor kur miratoi Aktin e ri, i cili praktikisht përmirësoi punën që më parë ishte objekt kritikash për manipulimin e gjyqtarëve, të kryetarit të Gjykatës, për kompromise me rastet e ndeshme politike, për ngadalësinë në veprim dhe në vendimmarrje etj.

Pikërisht në atë Rregullore pune tashmë të vjetëruar kemi gjetur shumë dobësi, aq të motivuar për të përmirësuar funksionimin, kemi ndërhyrë me Aktin e ri në të cilin kemi miratuar dispozita që rrisin efikasitetin e Gjykatës në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe lirive dhe të drejtave, por edhe për të garantuar pavarësinë.

Për shembull, ajo që e kam përmendur tashmë dhe që është e njohur në drejtësinë kushtetuese, "që vendimi i Gjykatës për të mos vendosur është vendim", për shkak të ndjeshmërisë së çështjes që është parashtruar në Gjykatës, tani merr një kornizë kohore.

Një nga risitë më të rëndësishme janë kufizimet dhe afatet kohore për gjyqtarët dhe Kryetarin e Gjykatës në procedimin e çështjeve. Parashikohet një afat që gjyqtari raportues të dorëzojë abstrakt për një seancë gjashtëmujore, në të kundërtën ai duhet të shpjegojë arsyet e tejkalimit të afatit. Gjithashtu është paraparë afat që Kryetari i Gjykatës t'i paraqesë në seancë abstraktet e dorëzuara brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit, në të kundërt të njoftojë Gjykatën për tejkalimin e afatit. Me këtë ndryshim të rëndësishëm, kompetenca e gjyqtarit raportues dhe e kryetarit të gjykatës kufizohet dhe kompetenca i kalon Gjykatës, në vendosjen e argumenteve nga nëntë gjyqtarë. Procedurave u jepet një afat kohor i caktuar. Më herët këtë ndërhyrje në Ligj e kam quajtur “masë antimanipuluese”. Theksoj publikisht se do të respektoj vazhdimisht dispozitat e Aktit që hyn në fuqi sot (1 shtator).

Për herë të parë në vend, jo vetëm qytetarët, por edhe personat juridikë do të mund të paraqesin kërkesë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave. Mund ta shpjegoni këtë ndryshim?

Rrethi i kërkuesve për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave po ndryshon dhe në vend të atij të mëparshëm që shkruan “çdo qytetar”, kërkuesit do të mund të jenë edhe persona juridikë. Gjithashtu, për herë të parë shtetasit e huaj mund të ankohen në Gjykatën Kushtetuese nëse u hiqet një e drejtë.

A mund të monitorojë Gjykata Kushtetuese nëse dhe si respektohen vendimet tuaja?

Dhe kjo çështje është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e lidhur me Aktin e ri të Gjykatës. Ai parashikon mundësinë që Gjykata të kërkojë ekzekutimin e vendimeve që ka marrë me propozimin e kujtdo që ka interes juridik në të. Përveç seriozitetit të vendimeve tona, të cilat janë fjala e fundit në shoqëri, fakti që mosbindja ndaj vendimeve tona shkakton përgjegjësi penale, tregohet edhe në Ligjin Penal. Kjo është një temë jashtëzakonisht e rëndësishme për garantimin e sundimit të ligjit. Nuk është rastësi që pikërisht kjo temë është objekt i librit tim të ri, Besnikëria ndaj Kushtetutës 4, ekzekutimi, zbatimi dhe respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Akti rregullon kur ndodh ekzekutimi, parashikon detyrimin e Gjykatës për të monitoruar ekzekutimin e vendimeve të saj, parashikon mundësinë për të kërkuar ekzekutimin e vendimeve jo vetëm nga vetë Gjykata, por edhe nga kushdo që ka një interes ligjor në të, gjykata mund të përcaktojë mënyrën dhe afatin e ekzekutimit të vendimit ose të marrë vendim të veçantë për mënyrën e ekzekutimit, mundësinë për të vërtetuar se vendimi i tij nuk është ekzekutuar etj.

Duket se disa çështje e kanë munduar opinionin prej kohësh dhe janë në kufirin mes ndërhyrjes politike në pavarësinë e gjyqësorit dhe vendosmërisë së Qeverisë për të pastruar joprofesionalizmin dhe paaftësinë. Këtu po aludoj në njoftimet për shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit për Prokurorë Publikë. A do të gabojë qeveria nëse i shpërbën ?

Unë tashmë e kam shprehur publikisht qëndrimin tim. Nëse apeloj dhe kërkoj nga të gjitha autoritetet që t'i përmbahen kompetencave të tyre, unë jam i pari që duhet të bëj të njëjtën gjë. Nuk ka dyshim se qeveria e re ka ardhur me një program që ka marrë legjitimitet nga qytetarët dhe është plotësisht legjitime që organet që kanë autoritet kushtetues dhe kompetencë kushtetuese të normalizojnë marrëdhëniet shoqërore ose nëse tek marrëdhëniet shoqërore tashmë të normalizuara, shohin dobësi, duhet të bëjnë ndryshime apo plotësime në vendime të caktuara kushtetuese apo ligjore. Është e drejtë legjitime dhe autoritet kushtetues i këtyre autoriteteve.  
Ajo që është e rëndësishme për mua si kryetar i Gjykatës Kushtetuese është të mos vlerësoj përshtatshmërinë e qëllimit të tyre, as nuk jam i autorizuar të propozoj zgjidhje që do të ishin zgjidhje kushtetuese, kjo nuk është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, kompetenca jonë është që të normatizojmë nëse vlerësohet që në këtë fushë apo në ndonjë fushë tjetër do të ketë nevojë për ndryshime dhe që këto ndryshime të jenë në përputhje me Kushtetutën. Detyra parësore e çdo qytetari, e çdo institucioni është respektimi i Kushtetutës. Kjo vlen për mua, vlen për ju, për Qeverinë, Parlamentin, për të gjithë. Për shtetin e së drejtës është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo zgjidhje ligjore të jetë në përputhje me Kushtetutën. Unë dhe Gjykata jemi kompetentë të mbrojmë Kushtetutën. 

Nuk do të dëshiroja që ne të gjendeshim në një situatë që ai që propozon dhe ai që sjell ndryshime të risive për këtë temë të përshëndetet nga qytetarët që i legjitimojnë për këtë dhe nga Gjykata Kushtetuese, nëse zgjidhjet janë nga ana kushtetuese problematike, të perceptohet si frenues i reformave apo ndryshimeve.Është e thjeshtë, shpresoj që qeveria dhe ligjvënësi, jo vetëm për këtë apo për ndonjë temë tjetër, t'i përmbahen kuadrit të Kushtetutës dhe vlerave të saj themelore, siç është ndarja e pushteteve në këtë rast.  


Nga ana tjetër, Kushtetuta jonë në nenin 58 e përcakton ekspertizën dhe kompetencën si parim kushtetues. Është e qartë se nëse një numër i madh i bashkëqytetarëve tanë shohin dhe mbështesin ndryshimet, ato duhet të adresohen në përputhje me rrethanat.  


Megjithatë, përgjegjësia kolektive e organeve të tëra në shtetin juridik është jashtëzakonisht problematike. Gjithmonë pa përjashtim, përgjegjësia individuale nëse konstatohet, mbi çfarëdo baze, korrupsion, tregti me ndikim, shpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, shkelje të ligjeve etj., brenda çdo organi, jam i bindur se do të ketë efekt më të mirë për rritjen e parimeve të përgjegjësisë në përgjithësi, do të ketë një efekt pozitiv mbi besimin dhe sundimin e ligjit sesa përgjegjësia kolektive, e cila, si një precedent i keq, mund të na fusë në një labirint nga i cili nuk do të mund të dalim për një kohë të gjatë.  


Legjislacioni ynë është në masë të madhe në rakordim me legjislacionin evropian.Unë besoj se ekzistojnë mundësi dhe mekanizma kushtetues dhe ligjorë për t'u përballur me të këqijat në drejtësi dhe në çdo fushë tjetër, pa u shmangur nga kuadri kushtetues. Dhe kjo kërkon një vullnet dhe një qasje të përgjegjshme.  
Por ajo që mendoj se është edhe më domethënëse se një reformë e mundshme që do t'i referohej zgjidhjeve të reja ligjore kushtetuese, është reforma e kodit mendor, duhet një reformë në mentalitet, që do të respektojë si duhet kulturën kushtetuese, ligjore, gjyqësore, politike, institucionale, në çdo fushë. 

Gjithashtu, një nga çështjet më të gjata aktuale është edhe rritja e pagave të zyrtarëve për 78%, e cila u shkaktua pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e dy dispozitave të atij ligji. A mund të ndërhyhet sërish tani? 

Shikoni, mendoj se Gjykata Kushtetuese u sulmua për atë vendim pa arsye dhe pa argument. E kuptoj revoltën e qytetarëve, kritikat e tyre, por nuk i pranoj reagimet dhe kualifikimet e disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit, të cilët për të kënaqur qytetarët kritikuan vendimin dhe gjyqtarët kushtetues me deklarata të pahijshme. 


Së pari, si për shumë çështje, para Gjykatës u ngrit çështja e kushtetutshmërisë së dispozitave të Ligjit për pagat e zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar. Gjykata Kushtetuese vlerësoi kushtetutshmërinë dhe vendosi, dhe vendimi është absolutisht i shëndoshë ligjërisht. 


Ndryshimet dhe plotësimet që i janë bërë Ligjit pa hequr rregullin e vlefshëm për llogaritjen e pagave, kërcënojnë sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit, në atë mënyrë që autoritetet mund të zbatojnë njërën ose tjetrën në mënyrë arbitrare dhe kjo çon në shkelje të sigurisë juridike, pabarazisë së qytetarëve etj. 


Së dyti, Gjykata Kushtetuese, e vetëdijshme për realitetin tonë ekonomik, ishte edhe shoqërisht korrekte në një farë mënyre, mori vendim për shfuqizimin me efekt në të ardhmen, jo anulues, megjithëse një vendim i tillë do të ishte i saktë vetëm për të neutralizuar pasojat për të drejtat e qytetarëve, të cilat do të kishin shkaktuar një implikim të rëndë fiskal për shtetin. Më tej, askush nuk u ka shpjeguar qytetarëve se pa rregullin e dytë ligjor, pagat e asaj kategorie të punëtorëve natyrisht do të arrinin vlerën e arritur pas vendimit tonë. 


Së treti, nëse më pyesni nëse është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të vendosë sërish, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur. Pas vendimit tonë, kompetenca për çdo veprim i kalon organeve të autorizuara, propozuesve, ligjvënësve, pra Qeverisë dhe Kuvendit dhe ne pamë që ata ndërhynë në ligj duke ulur koeficientët për të ulur revoltën e qytetarëve. Ata e patën këtë mundësi ditën e parë pas vendimit tonë. Kemi parë që janë bërë ndryshime, janë sfiduar për uljen e koeficientëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që nuk ka antikushtetutshmëri. Pra, po, në rastin konkret kemi qenë dëshmitarë të një kulture të ulët kushtetuese-juridike, politike nga disa aktorë, por edhe manipuluese ndaj qytetarëve nga ata aktorë. 

Keni paralajmëruar transparencë më të madhe duke transmetuar drejtpërdrejt seancat, ky është një synim strategjik. Çfarë do të thotë kjo mënyrë e rikthimit të besimit për reputacionin e Gjykatës dhe për sistemin?  


Unë e kuptoj transparencën si një domosdoshmëri dhe e perceptoj atë nga disa aspekte. Nevoja për të informuar publikun, paralelisht me këtë dhe për të edukuar qytetarët. Punë transparente dhe e përgjegjshme do të thotë një prezantim i plotë i punës sonë dhe në këmbim pritshmëri për një reputacion më të mirë dhe ngritjen e reputacionit të Gjykatës. 


Në të njëjtën kohë, është një mjet për të luftuar lajmet e rreme. Gjykata Kushtetuese është e sinqertë në synimet e saj për t'u hapur plotësisht ndaj qytetarëve dhe fakti është se transparenca vendoset në nivelin e një prioriteti strategjik. Dhe se jemi në rrugën e duhur, e kanë konfirmuar edhe gazetarët që kanë marrë pjesë në sondazhin e zhvilluar nga Gjykata Kushtetuese. Nuk është për t'u nënvlerësuar fakti se 98% e 90 gazetarëve të anketuar shprehen të kënaqur me informacionin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Ne ndjekim udhëzimet e dhëna në atë hulumtim dhe shumica e tyre tregojnë  se duhet ndjekur kjo mënyrë informacioni, për të vazhduar konferencat për shtyp si një praktikë e mirëpranuar. 


Por ajo që është vendimtare, të cilën e kam vendosur si prioritet, është mundësia e regjistrimit live të seancave të Gjykatës në seksionin e praktikës gjyqësore. Jam i bindur se përfitimet e kësaj risie që unë mbroj, e që ndër të tjera ka ekzistuar në të kaluarën janë të shumta. 


Së pari, qytetarët kanë të drejtë të dinë dhe të dëgjojnë se cilët janë gjyqtarët kushtetues dhe si diskutojnë dhe vendosin për liritë dhe të drejtat e tyre. Së dyti, vetë gjyqtarët do të mbrohen nga mundësia e transmetimit selektiv, manipulativ të opinioneve të tyre në publik. Së treti, kur edhe gjyqtarët edhe shërbimi profesional e dinë që puna e tyre do të transmetohet live, jam i bindur se qasja dhe përgjegjësia ndaj punës do të jetë në një nivel më të lartë. Së katërti, jam i bindur që një përqindje e madhe e qytetarëve tanë nuk i njohin kompetencat e Gjykatës, kjo është një mundësi që ata të njihen me kompetencat dhe arsyetimin ligjor të veprimeve të Gjykatës, etj. 


Jam i bindur se kjo risi do të rrisë pa mëdyshje reputacionin dhe besueshmërinë e Gjykatës dhe si rrjedhojë do të rritet besimi tek Gjykata dhe shteti i së drejtës. Unë do të vazhdoj me këto argumente të diskutoj me gjyqtarët dhe shpresoj që ky vendim të merret së shpejti. E di që Gjykata Supreme po shqyrton seriozisht një qasje identike dhe përshëndes vendosmërinë dhe synimin e tyre. ls/
 

Деновиве од печат излезе книгата „Лојалност кон Уставот” од уставниот судија Дарко Костадиновски.

Gazetare: Daniela Markoska Aleksovska 

Foto: Frosina Naskoviq

 

QËNDRONI TË LIDHUR