• e mërkurë, 18 dhjetor 2024

Kosova fiton statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë parlamentare të NATO-s

Kosova fiton statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë parlamentare të NATO-s

Prishtinë, 27 maj 2024 (MIA) - Kuvendi i Republikës së Kosovës sot ka fituar statusin e anëtarit në Asamblenë parlamentare (AP) të NATO-s, në sesionin e AP që nga dje mbahet në Sofje.

Lajmin, siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina e ka publikuar deputeti i partisë në pushtet të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje Driton Hiseni i cili së bashku me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës Xhavit Haliti kanë marrë pjesë në Sesionin e AP të NATO-s në kryeqytetin bullgar.

"Me vendimin e Asamblesë parlamentare të NATO-s nga sot, 27 maj 2024, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar të Asamblesë parlamentare të NATO-s. Avancimi i statusit vjen pas bashkëpunimit disavjeçar të shkëlqyer mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë parlamentare të NATO-s....Letrat e shumta dhe përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit serb, por edhe të aktorëve të tjerë politikë në Beograd nuk arritën ta pengojnë Kosovën të avancojë statusin e saj", ka shkruar Hiseni në faqen e tij në Fejsbuk.

Kosova deri më tani kishte statusin e anëtarit vëzhgues në AP të NATO-s.

Sipas mediave të Kosovës, për pranimin e Kosovës si anëtare të asociuar në AP votuan shumica e anëtarëve të Aleancës, një votë ishte kundër ndërsa 14 vende të përmbajtur.

Delegacioni i Kuvendit të Serbisë dje përmes një letre ka kërkuar që të mos avancohet statusi i Kosovës.

Në kumtesën e Kuvendit të Serbisë thuhet se dhënia e një statusi të tillë do të ishte një "shpërblim për Prishtinën", e cila, sipas Beogradit po bën gjithçka që të pengohet statusi i dialogun mes dy vendeve me ndërmjetësim nga Bashkimi Evropian dhe të shmang detyrimet e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR