• e premte, 05 korrik 2024

Konjufca me të dërguarin slloven Frangesh: Rreziqe për rajonin janë agresioni rus në Ukrainë dhe ekspansionizmi serb

Konjufca me të dërguarin slloven Frangesh: Rreziqe për rajonin janë agresioni rus në Ukrainë dhe ekspansionizmi serb

Prishtinë, 4 korrik 2024 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e priti sot të dërguarin e Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh, me të cilin ka biseduar për ngjarjet në Kosovë dhe rajon, veçanërisht në kontekst të sigurisë dhe nevojës për stabilitet, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Kryetari Konjufca, sipas kumtesës së shërbimit për informim të Kuvendit, në takim ka vlerësuar se "pasiguria në rajon ka dy burime kryesore, agresionin rus në Ukrainë dhe mospajtueshmërinë e Serbisë me kufijtë e saj, përkatësisht ambicien për zgjerim territorial".

"U diskutua po ashtu për gjendjen në të cilën ndodhet dialogu Kosovë-Serbi, përkatësisht nevojën që BE-ja të bëjë më shumë që Serbia t'i rikthehet Marrëveshjes së Brukselit si kornizë bazë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve (Kosovës dhe Serbisë)", thuhet në kumtesë. 

Mysafiri nga Sllovenia, Frangesh, sipas kumtesës e ka shprehur qëndrimin e tij se "Sllovenia, por edhe BE-ja duhet të njohin më shumë perspektivën se si palët, përkatësisht ajo e Kosovës, i shohin gjërat në mënyrë që kjo të reflektojë edhe në qasjen më adekuate të faktorit ndërkombëtar kundrejt zhvillimeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe ngjarjet politike në rajon". fc/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR