Konferencë - Ndërtimi i demokracive të shëndosha në bazë të parimeve të lirisë e zvogëlon hapësirën për narrativa të dëmshme dhe dezinformata
- Ndërtimi i demokracive të shëndosha në bazë të parimeve të lirisë dhe gjithëpërfshirjes ëshët me rëndësi kyçe për të gjitha shoqëritë dhe e zvogëlon hapësirën për narrativa të dëmshme politike dhe dezinformata, tha zëvendës ambasadori britanik Daniel Filer në konferencën e sotme "Institucione përgjegjëse përmes transparencës së rritur dhe komunikimit politik" në organizim të Institutit për studime të komunikimeve (IKS).
- Post By Besnik Shuki
- 15:40, 4 dhjetor, 2024
Shkup, 4 dhjetor 2024 (MIA) - Ndërtimi i demokracive të shëndosha në bazë të parimeve të lirisë dhe gjithëpërfshirjes ëshët me rëndësi kyçe për të gjitha shoqëritë dhe e zvogëlon hapësirën për narrativa të dëmshme politike dhe dezinformata, tha zëvendës ambasadori britanik Daniel Filer në konferencën e sotme "Institucione përgjegjëse përmes transparencës së rritur dhe komunikimit politik" në organizim të Institutit për studime të komunikimeve (IKS).
Filer theksoi se Britania e Madhe do të vazhdojë të punojë me partnerët në drejtim të zvogëlimit të hapësirës për dezinformata dhe narrativa të dëmshme.
"Jemi krenarë që së bashku me partnerët tanë nga IKS, punojmë së bashku në promovimin e gazetarisë faktike profesionale, si dhe në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në instituconet shtetërore në Maqedoninë e Veriut. Britania e Madhe është partner i fuqishëm dhe afatgjatë i Maqedonisë së Veriut. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në drejtim të zvogëlimit të hapësirës për dezinformata dhe narrativa të dëmshme, si në dhënien e mbështetjes për institucionet, mediat dhe shoqërinë civile, me qëllim përforcimin e proceseve demokratike dhe mbështetjen e vlerave demokratike në vend", tha ai.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se llogaridhënia dhe transparenca janë prioritet i Qeverisë.
"Këtu jemi të tregojmë se si Qeveri, llogaridhënia dhe transparenca janë prioritet i jonë dhe se do të vazhdojmë të funksionojmë. Normalisht tash gjashtë muaj funksionojmë si qeveri. Çdoherë përpiqemi të jemi sa më transparentë. Unë gjithmonë përpiqem t'u përgjigjem të gjitha pyetjeve. Nuk ka pyetje të dëshiruara apo të padëshiruara. Sa herë që më kanë pyetur nuk i kam shmangur një teme të vetme. Sigurisht që ka vend për përmirësim, ka gjithmonë mundësi për të qenë më mirë. Por e vlerësoj se deri tani kemi treguar një cilësi tjetër që për ne nuk ka pyetje të tilla apo të atilla, media të tilla apo të atilla, tekstualisht, si Qeveri ne gjithmonë përpiqemi t'i japim përgjigje çdo pyetjeje dhe nga çdo media që vjen", tha kryeministri.
Lidhur me pyetjen nëse Qeveria ka program konkret për informimin mediatik në shkolla, Mickoski tha se ky është proces, ku të gjitha aktorët do të duhet të punojnë në përgatitjen e ndonjë zgjidhje për këtë çështje.
"Ky është problem më thelbësor dhe nuk mund të zgjidhet brenda natës. Në periudhën e kaluar, unë si personazh publik, por edhe opinioni në përgjithësi, po përballemi me një stuhi mediatike nga informacionet. Shpesh ky informacion nuk është i vërtetë dhe jo vetëm i pavërtetë, por keqdashës, disa janë sulme ad hominem, konstruksione, disa janë vegla politike. Ky është një proces ku duhet mediumet, opinoni dhe nga ana tjetër Qeveria, pasi ajo është ajo që ka shumicë në dhomën ligjvënëse, të përgatisin ndonjë zgjidhje, por kjo të mos kuptohet si cenzurë ose diçka që mund t'i shkel të drejtat e njeriut, por të jetë diçka që do të jetë vegël demokratike, me të cilën mund t'i katalizojmë informatat e duhura për të arritur në kohën e duhur në vendin e duhur", tha Mickoski. bsh/
Foto: printskrin nga video/Unsplash