• e hënë, 23 dhjetor 2024

Konferencë: Legjislacioni për inteligjencën artificiale në vendin tonë është në fazën e zhvillimit, është e nevojshme të përafrohet me trendet evropiane

Konferencë: Legjislacioni për inteligjencën artificiale në vendin tonë është në fazën e zhvillimit, është e nevojshme të përafrohet me trendet evropiane

Shkup, 19 dhjetor 2023 (MIA) - Shoqëria në Maqedoninë e Veriut mund të përballet me sfidat e inteligjencës artificiale vetëm përmes qasjes gjithëpërfshirëse, ndërsa legjislacioni në vend, i cili është në fazën e zhvillimit, duhet të rakordohet me trendet e fundit të legjislacionit evropian, ku po punohet në normativizim, në mënyrë që kompanitë që e ofrojnë apo e zhvillojnë të jenë përgjegjëse, tha sot drejtori për zhvillim dhe partneritet i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, Filip Stojanovski.

Ai pati fjalimin e tij në edicionin e 19-të të konferencës e-Shoqëria.mk të Fondacionit për Internet dhe Shoqëri "Metamorfozis", me titull "Inteligjenca Artificiale dhe të Drejtat e Njeriut: Kërkimi i ekuilibrit të duhur ndërmjet inovacionit dhe përgjegjësisë", ndërsa përmendi se eventi i sotëm u mbajt në balancimin e asaj që ne e shohim si përparim të shpejtë të teknologjisë me nevojën për të siguruar njëkohësisht një cilësi të mirë jetese për të gjithë qytetarët përmes kësaj teknologjie, duke ruajtur të drejtat e tyre themelore njerëzore.

“Kjo është arsyeja pse në këtë event kemi disa sesione ku fillimisht diskutojmë për ndikimin e përgjithshëm të inteligjencës artificiale, që gjatë zhvillimit të saj, gjatë hartimit të saj, duhet të inkorporohen vlerat e të drejtave të njeriut dhe qytetarisë së përgjegjshme, por edhe për rreziqet që vijnë nga aplikimi i mjeteve të reja që përdorin inteligjencën artificiale, të cilën e shohim veçanërisht në sferën e dezinformimit. Është diçka që prek një pjesë të madhe të popullatës sonë, sidomos përmes rrjeteve sociale, por edhe mediave”, tha ai.

Stojanovski theksoi se dezinformatat që janë rezultat i aplikimit të inteligjencës artificiale janë të pranishme në rajonin tonë, ndonëse pjesa më e madhe e tyre gjenerohet, gjegjësisht krijohet jashtë vendit.

“Kemi situata në të cilat të ashtuquajturat Deepfake, pra video të rreme ose ilustrime që transmetojnë foto të botës, importohen tek ne dhe disa njerëz i përdorin ato për të nxitur përçarje ose për të mashtruar bashkëqytetarët e tyre. Pra, kemi situata në të cilat mesazhet e brendshme ngjiten në përmbajtje të huaja që shpesh janë antievropiane, antidemokratike ose që synojnë të shkaktojnë urrejtje ndaj disa pjesëve të shoqërisë, për shembull për arsye fetare, gjinore apo arsye të tjera”, theksoi ai.

Stojanovski theksoi se në kuadër të projektit që “Metamorfozis” po e zbaton në rajonin e Ballkanit Perëndimor të quajtur “Qendra kundër dezinformimit për Ballkanin Perëndimor” së bashku me partnerët nga të gjashtë vendet, kanë konstatuar se në ciklet e mëparshme zgjedhore, edhe në rajonin tonë, ishin raste të përdorimit të inteligjencës artificiale për të gjeneruar dezinformata. 

Ai shtoi se mjete të tilla e bëjnë gjenerimin e videove dhe imazheve false shumë më të lehtë se më parë dhe gjithnjë e më shumë njerëz po i përdorin ato, qoftë si shaka apo në situata shumë më serioze, si për shembull për të falsifikuar deklaratat e kandidatëve në zgjedhje, dhe theksoi se është shumë e rëndësishme që të gjithë të jemi të edukuar mirë për mundësitë e teknologjive të reja dhe se si në një formë të edukimit mediatik secili prej nesh mund të dallojë nëse ka manipulime apo të dijë se ku të drejtohet.

“Në vendin tonë qytetarët kanë në dispozicion shërbimin e verifikimit të fakteve “Matësi i së vërtetës”, ku mund të shohin të rejat dhe analizat më të fundit në lidhje me ekspozimin e dezinformatave të ndryshme, të cilat më pas u shërbejnë atyre për të ndërtuar sistemin e tyre të mbrojtjes dhe për të mos u mashtruar”, theksoi Stojanovski.

Në konferencë foli edhe shefi i kabinetit të ministrit të Shoqërisë së Informatikës dhe Administratës, Dritan Dauti, i cili prezantoi planet e Ministrisë për përfshirjen e inteligjencës artificiale.

“ Sot, më shumë se kurrë, shoqëria jonë ka mundësinë të mbajë hapin e kohës moderne dhe të krijojë procese inovative optimale me standarde botërore. Së bashku me teknologjitë, inovacionin, etikën, arsimin, ne si vend dhe veçanërisht MSHIA-ja, duhet të krijojmë ligje dhe rregullore për t'i përfshirë në një të tillë, përndryshe nëse mungon njëra prej tyre, nuk do të kemi një ekosistem inovativ dhe kjo mund të shkaktojë më shumë dëm sesa që mund të jape rezultate”, nënvizoi Dauti.

Ai shtoi se për këtë, MSHIA-ja dhe grupet e punës, së bashku me ekspertë nga vendi dhe jashtë, janë duke punuar në hartimin e strategjisë dhe planit të veprimit për zbatimin e inteligjencës artificiale në administratë.

“Fokusi ynë është promovimi i një ekosistemi inovativ që jo vetëm përputhet me standardet botërore, por, përveç teknologjisë, fokusohet edhe në gjithëpërfshirjen dhe mbrojtjen e parimeve bazë etike. Për këtë kemi përcaktuar katër shtylla prioritare për strategjinë për përfshirjen e inteligjencës artificiale në administratën shtetërore”, tha ai.

Ai tha se fillimisht do të analizojnë infrastrukturën teknologjike në nivel të institucioneve shtetërore, më pas do të dalin me një plan investimi dhe në këtë mënyrë do të sigurohen që inteligjenca artificiale të përmbushë standardet teknike dhe etike. Më pas vijon krijimi i ligjeve dhe standardeve për zbatimin e tij në përputhje me nevojat dhe vlerat, ndërsa do të zbatohen përvojat dhe strategjitë e vendeve evropiane. Si shtyllë të tretë, ai përmendi transparencën në zhvillimin e inteligjencës artificiale, duke lejuar qytetarët, bizneset dhe organizatat joqeveritare të jenë pjesë e këtyre proceseve të rëndësishme. Në këtë proces vijojnë trajnimet joformale, të cilat, siç tha Dauti, janë çelësi i përdorimit të inteligjencës artificiale në administratën shtetërore, prandaj po krijojnë akademinë e trajnimit të administratës shtetërore.

Ai bëri të ditur se Ministria do të sigurojë që fuqia punëtore në vend të pajiset me njohuri për të udhëhequr procese inovative duke përdorur inteligjencën artificiale si pjesë integrale të proceseve.

“Përmes kësaj qasjeje dhe këtyre katër shtyllave do t'i hapim rrugë risive që respektojnë dinjitetin dhe të drejtat e çdo individi”, theksoi ai.

Që nga viti 2005, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri "Metamorfozis" organizon konferencën e-Shoqëria.mk, e cila është një ngjarje vjetore ku diskutohen temat më aktuale në zhvillimin e sferës digjitale, të cilat prekin edhe opinionin tonë, në aspektin, para së gjithash, të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe promovimit të qeverisjes së përgjegjshme, promovimit të atyre vlerave që përbëjnë një shoqëri demokratike.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR