• e diel, 22 dhjetor 2024

Komisioni për Sistem Politik do të mbajë mbledhje për propozimin për riorganizimin e administratës shtetërore

Komisioni për Sistem Politik do të mbajë mbledhje për propozimin për riorganizimin e administratës shtetërore

Shkup, 7 qershor 2024 (MIA) - Për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit pët organizimin e punës së organeve të administratës shtetërore, të cilat i propozoi deputeti dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, duhet të debatojnë Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive si organ amë i punës dhe Komisioni Ligjvënës - Juridik, pasi sot Kuvendi e pranoi propozimin e tij që të sillen në procedurë të shkurtër. Seanca e Komisionit për Sistem Politik është caktuar për sonte në orën 18.

Gjatë përcaktimit të rendit të ditës në seancën e dytë të Kuvendit, mbështetje që ligji të sillet me procedurë të shkurtër dhanë 74 deputetë, ndërsa kundër ishin 24. Tërheqje të ndryshimeve të propozuara kërkuan deputetët nga E majta dhe nga LSDM me sqarim se ligje të tilla sistematike nuk guxojnë të sillen me procedurë të shkurtër.

Mickoski, i cili nga dje është mandatar për përbërjen e qeverisë së re, duke kërkuar mbështetje për ndryshimet ligjore, tha se ato janë të nevojshme për shkak të reformave në administratë dhe për zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve me politika efikase dhe vendime që do të sjellin standard më të mirë të jetesës, pensione, arsim më të mirë, mbrojtje sociale efikase, ekonomi dhe bujqësi të zhvilluar. "Për ta bërë këtë, ne kemi nevojë për organizim të mirë të qeverisë", tha Mickoski. Ai e ka dorëzuar ligjin në procedurë të shkurtuar, bazuar në nenin 71 paragrafi 1 të Kushtetutës dhe nenet 139, 144 dhe 175 të Rregullores së Kuvendit.

Kërkoi mbështetje nga të gjithë deputetët në emër të, siç tha, mbështetjes të cilën e morëm në zgjedhje dhe në emër të reformave të cilat duhet t'i bëjmë. "Koalicioni Për Maqedoninë e juaj u angazhua të ndërmarrë aktivitete me qëllim të rishqyrtimit dhe racionalizimit të vendosjes së organeve të administratës shtetërore me mundësi për bashkim ose shfuqizim të organeve të caktuara shtetërore. Sot edhe këtë e bëjmë përmes këtij Propozimi për ndryshime të Ligjit, me çka pres të miratohen në afat sa më të shkurt të mundshëm në bazë të mundësive të rregullores", tha Mickoski.

Sipas Propozimit, Ministrisë së Ekonomisë do t'i shtohet segmenti i punës, ndërsa Ministria e mëparshme e Punës dhe Politikës Sociale do të jetë Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Agjencia për Rini dhe Sport nuk do të ekzistojë dhe do të ketë një ministri të veçantë për sporti. Një pjesë e kompetencave të cilat i kishte më parë ministria e ekonomisë në fushën e minierave dhe energjisë do të jenë pjesë e kompetencave të Ministrisë së re të Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, kompetencat për turizmin do t'i ketë Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Ndër të tjera do të formohet edhe një ministri e digjitalizimit, e cila do të trashëgojë përgjegjësitë e ministrisë së mëparshme për teknologjinë e informacionit dhe administrimin dhe ministri e re do të jetëMinistria e Administratës.

Në seancën e dytë të shtëpisë së re ligjvënëse ishin verifikuar mandatet e deputetëve Adnan Azizi dhe Imërlije Saliu - Fetai nga Koalicioni "VLEN" dhe ishte pranuar Raporti i Komisionit Verifikues i cili më parë në seancë vërtetoi se nuk ka bazë për kontestim të verifikimit të mandateve të tyre. Azizi është deputet në vendin e kryetarit të Tetovës Bilall Kasami, mandati i të cilit me kërkesë të tij nuk ishte verifikuar në seancë konstituive, ndërsa Saliu - Fetai mori mandat për deputet pas rivotimit në disa vendvotime në datën 22 të muajit të kaluar në Njësinë e gjashtë zgjedhore. 

Deputetët e miratuan edhe vendimin për zgjedhjen e kryetarëve, zëvendëskryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive dhe të Komisionit Ligjvënës - Juridik. Aleksandar Veljanovski është kryetar i Komisionit për Sistem Politik, ndërsa Lupço Prenxhov i Komisionit Ligjvënës - Juridik.

Në një fjalim procedural në seancë, deputeti i partisë E majta Dimitar Apasiev pyeti se pse kryetari i Kuvendit Afrim Gashi nuk e ka vënë si pikë të rendit të ditës kërkesën e dorëzuar nga E majta për të konstatuar ndërprerjen e mandatit të deputetit Talat Xhaferi për shkak të papajtueshmërisë së funksionit kryeministër dhe deputet. Gashi ka thënë se kërkesën e ka marrë më 4 qershor dhe menjëherë ua ka përcjellë të gjithë deputetëve, por jo Komisionit parlamentar për çështje të rregullores dhe imunitetit të mandateve, sepse ende nuk është zgjedhur përbërja e tij. "Sa i përket përmbajtjes së kërkesës, theksoj se Kuvendi nuk mund të veprojë sepse kjo kërkesë nuk është dokument me të cilin ky Kuvend mund të përcaktojë ndërprerjen e mandatit të Talat Xhaferit", tha Gashi. fc/

Fotografia: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR