KE: Ukrainës i është dhënë hua prej një miliard euro, e cila do të paguhet me të ardhurat nga pasuria e ngrirë ruse
- – Komisioni Evropian sot njoftoi se ka paguar këst shtesë prej një miliard euro nga huaja për ndihmë makrofinanciare për Ukrainën, e cila do të paguhet me të ardhurat nga pasuria e ngrirë ruse në Bashkimin Evropian.
- Post By Fitore Curri
- 12:54, 20 mars, 2025

Bruksel, 20 mars 2025 (MIA) – Komisioni Evropian sot njoftoi se ka paguar këst shtesë prej një miliard euro nga huaja për ndihmë makrofinanciare për Ukrainën, e cila do të paguhet me të ardhurat nga pasuria e ngrirë ruse në Bashkimin Evropian.
“Me pagesën e sotme prej një miliard euro, e konfirmojmë përkushtimin tonë të fuqishëm të Ukrainës. Ne e ndihmojmë ekonominë e vendit që të rimëkëmbet dhe të rinovohet infrastruktura kritike e dëmtuar nga agresioni rus. Do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën derisa është e nevojshme”, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.
Mbështetja do të ndihmojë për rinovim të Ukrainës pas sulmeve ruse. Mjetet do të shfrytëzohen për mbështetje të tanishme dhe të ardhshme ushtarake, nevoja buxheti dhe nevoja për rimëkëmbje, si dhe për rinovim të infrastrukturës kritike, siç janë kapacitetet energjetike, sistemet e ujit, rrjetet transportuese, rrugët dhe urat.
Pagesa e sotme është pjesë e nismës së G7 e cila ka për qellim të sigurojë rreth 45 miliardë euro ndihmë financiare për Ukrainën deri në vitin 2027.
Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Kaja Kallas tha se mbështetja e BE-së për Ukrainën duhet të shprehet me veprime, veçanërisht me dorëzimin e armëve të nevojshme për Kievin.
“Nëse i dëgjoni deklaratat e liderëve, mbështetja është shumë e madhe, por duhet të shihet edhe me vepra, në numra, në municionin real që i nevojitet Ukrainës. Për këtë, me të vërtetë shpresoj se do të vazhdojmë përpara”, tha Kallas para Samitit të sotëm të BE-së në Bruksel.
Gjatë kohës së Samitit, Kallas do të prezantojë propozim për sigurimin e dy milionë granatave artilerike Ukrainës.
Kancelari gjerman në largim Ollaf Sholls deklaroi se Evropa duhet të vazhdojë me mbështetjen e fuqishme për Ukrainën, pa marrë parasysh atë çfarë bisedime zhvillohen ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës.
“Duhet ta vazhdojmë mbështetjen tonë me qëndrim të qartë se për Ukrainën duhet të mundësohet paqe e drejtë. Kjo nënkupton se Ukraina mund ta mbrojë pavarësinë dhe sovranitetin e saj, se vetë e zgjedh rrugën e saj dhe liderët e saj dhe kuptohet se ka armatë të fuqishme në kohë paqësore”, shtoi Shollci para takimit të liderëve të BE-së. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s