• e enjte, 04 dhjetor 2025

KB-ja u ka bërë thirrje talebanëve që ta kthejnë qasjen në internet dhe telekomunikacion

KB-ja u ka bërë thirrje talebanëve që ta kthejnë qasjen në internet dhe telekomunikacion

 Nju-Jork, 30 shtator 2025 (MIA) - Kombet e Bashkuara sot i bënë thirrje qeverisë së talebanëve që menjëherë ta kthejnë qasjen në internet dhe telekomunikacion në të gjithë Afganistanin, 24 orë pasi u ndërpre.

"Ndërprerja pothuajse e ka izoluar plotësisht Afganistanin nga pjesa tjetër e botës dhe rrezikon të shkaktojë dëm të konsiderueshëm për popullin afgan, duke përfshirë minimin e stabilitetit ekonomik dhe përkeqësimin e një prej krizave më të këqija humanitare në botë", bëri të ditur Misioni i Ndihmës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA).

 Shërbimet për internet dhe të telefonisë mobile janë ndërprerë në Afganistan, thanë banorët dhe grupet e monitorimit sot, por administrata talebane nuk ofroi asnjë shpjegim.

 Talebanët paraprakisht kanë shprehur shqetësim në lidhje me pornografinë onlajn, ndërsa autoritetet kanë ndërprerë lidhjet optike me disa provinca në javët e fundit, duke përmendur "shqetësim moral".

 NetBloks (NetBlocks), një organizatë ndërkombëtare që monitoron qasjen në internet, tha se interneti po mbyllet në faza.

 "Afganistani është në proces të një mbylljeje të plotë të internetit, ndërsa autoritetet talebane marrin masa që synojnë ruajtjen e moralit", publikoi NetBloks në faqen e saj të internetit.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR