• e diel, 22 dhjetor 2024

Kacarska: Nuk do të propozoj asnjë kandidat për kryetar të Gjykatës Kushtetuese

Kacarska: Nuk do të propozoj asnjë kandidat për kryetar të Gjykatës Kushtetuese

Shkup, 29 maj 2024 (MIA) - Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, sonte tha se nuk do të propozojë asnjë kandidat për kryetar të Gjykatës Kushtetuese, që të mos kuptohet se po përcjell mesazhin e dikujt.

"Të mos mendojë ndonjë se po përcjell mesazhin e dikujt, se dikush më ka thënë kë të propozoj, apo diçka të ngjashme. E dini, diçka keqinterpretohet gjithmonë në publik", tha Kacarska në emisionin Top Tema në TV Telma.

Votimi është i fshehtë, thotë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk mund të thotë se për kë do të votojë. Kacarska tha se deri më tani askush nuk e ka thirrur për të lobuar për askënd.

Duke folur për betimin e presidentes Gordana Siljanovska Davkova, Kacarska tha se ndonëse në Maqedoni emri nuk i pëlqen askujt, ai ende është i përcaktuar në Kushtetutë dhe duhet respektuar.

"Jam e bindur se nuk ka maqedonas që është i gëzuar me ndryshimin e emrit, të gjithë do të donim ta ruanim emrin tonë shekullor, por fatkeqësisht ky është realiteti. Emri është ndërruar dhe në vetë Kushtetutë theksohet se si e kemi emrin dhe tani mendoj se jemi të detyruar ta përdorim emrin kushtetues, që është Republika e Maqedonisë së Veriut", tha Kacarska.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, duke folur për rastet në të cilat është sulmuar, tha se nuk ka denoncuar rastet e mëparshme kur është sulmuar, përfshirë edhe sulmin fizik që ka pasur në Greqi.

"Në periudhën kur e kam gjykuar rastin për ish kryeministrin Nikolla Gruevski, kur e shpalla aktgjykimin, pas disa ditësh shkova për një javë pushim në Greqi, me një shoqe. Jam sulmuar fizikisht në plazh, më kanë goditur në këmbë, në zonën e kyçit të këmbës. Kam pasur një ënjtje të madhe, ka pasur një mavijosje dhe me këmbë të tillë kam vozitur për në Shkup. Unë nuk e raportova atë ngjarje. Mendova se ishte një rast i izoluar dhe pikërisht për këtë të nesërmen unë dhe shoqja ime u kthyem në Shkup", tha Kacarska.

Siç tha ajo, sigurimin e ka marrë pas një vlerësimi të mëparshëm të sigurisë dhe ajo personalisht nuk e ka kërkuar një gjë të tillë. Kacarska tha se nuk ndihet e sigurt, por se nuk e di se kush i shkakton këto sulme dhe se çfarëdo që të thotë do të jetë spekulim. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR