• e premte, 05 dhjetor 2025

Janev: Trajnimi me forcat amerikane e fuqizon kapacitetin e sigurisë sonë

Janev: Trajnimi me forcat amerikane e fuqizon kapacitetin e sigurisë sonë

Shkup, 17 qershor 2025 (MIA) - Jemi krenarë për profesionalizmin e njësive tona elitare, të cilat, krah për krah me partnerët e tyre të Armatës së SHBA-së, shkëmbejnë përvoja dhe njohuri, theksoi drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, i cili mori pjesë në stërvitjet ushtarake dhe antiterroriste të njësitit special NJSA - Tigrat. 

Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme, Janevi theksoi se ky trajnim është një tjetër konfirmim i nivelit të besimit dhe bashkëpunimit që kemi me aleatët tanë strategjikë. 

"Ky është një tjetër konfirmim i nivelit të besimit dhe bashkëpunimit që kemi me aleatët tanë strategjikë", tha drejtori Janev, duke theksuar se kjo stërvitje e përbashkët është në fakt pjesë e një programi më të gjerë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe forcimin e ndërveprimit të forcave speciale, të organizuar me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Zyrës për Siguri Rajonale.

Sipas Janevit, këto janë aktivitete që jo vetëm forcojnë kapacitetin e forcave të sigurisë, por edhe nxisin lidhjen strategjike midis institucioneve të dy vendeve.

Trajnimi, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me batalionin "Ujqërit" të Armatës së Maqedonisë së Veriut dhe forcat speciale të Armatës Amerikane - Beretat e Gjelbra, u zhvillua në poligonin stërvitor "Krivollak" dhe në selinë e NJSA- Tigrat, si pjesë e një programi disajavor për shkëmbimin e taktikave dhe teknikave.

Nga MPB shtojnë se stërvitja e ngjashme e radhës është tashmë në fazën përgatitore dhe do të zbatohet në gusht të vitit 2025, me theks në teknikat e avancuara antiterroriste. fc/

Foto: MPB

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR