Instituti ekonomik gjerman: Të paktën 3.3 milionë njerëz në Gjermani kanë punuar ilegalisht vitin e kaluar
- Të paktën 3.3 milionë njerëz në Gjermani kanë punuar ilegalisht vitin e kaluar, bën të ditur Instituti ekonomik gjerman. Sipas hulumtimit të Institutit, 7.5 për qind e burrave dhe 3.5 për qind e grave të anketuara kanë punuar pa paguar taksa në dymbëdhjetë muajt e fundit. Të rinjtë më shumë i drejtohen punës së paligjshme se sa të moshuarit.
- Post By Fami Bajrami
- 10:36, 10 janar, 2025

Berlin, 10 janar 2025 (MIA) - Të paktën 3.3 milionë njerëz në Gjermani kanë punuar ilegalisht vitin e kaluar, bën të ditur Instituti ekonomik gjerman. Sipas hulumtimit të Institutit, 7.5 për qind e burrave dhe 3.5 për qind e grave të anketuara kanë punuar pa paguar taksa në dymbëdhjetë muajt e fundit. Të rinjtë më shumë i drejtohen punës së paligjshme se sa të moshuarit.
"Anketa e kompanive tregon se puna e padeklaruar u kushton kompanive mesatarisht pesë për qind të qarkullimit të tyre. Kjo korrespondon me një qarkullim prej rreth 300 miliardë euro në vit që kompanitë po humbin", thekson Instituti.
Puna e paligjshme, një komponentë e rëndësishme e ekonomisë gri, definohet me shmangien e detyrimeve tatimore dhe sociale, si dhe nga kërkesat e ligjit tregtar. Kjo është gjithashtu një problem relevant për politikën ekonomike, tregun e punës dhe politikën fiskale në Gjermani.
"Rezultatet e hulumtimit tani hedhin pak më shumë dritë mbi këtë çështje dhe tregojnë një pamje çuditërisht të qartë të përhapjes së punës së padeklaruar në Gjermani", thekson Instituti.
Kontrolli financiar i punës së padokumentuar (FKS) është përgjegjës për kontrollin e punëdhënësve dhe ndjekjen penale të punësimit të paligjshëm dhe punës në të zezë sipas Ligjit për luftimin e punës së padokumentuar (SchëarzArbG).
Në vitin 2023 janë kryer 42.631 inspektime, kryesisht në industri me rrezik si ndërtimi dhe hoteleria. Kjo rezultoi me më shumë se 100.000 procedime penale dhe pothuajse 50.000 procedime për kundërvajtje.
“Sipas Monitorimit financiar të punësimit të paligjshëm të doganës (FKS), shteti gjerman ka pësuar humbje prej 615 milionë euro në vitin 2023, edhe pse numri i rasteve të paraportuara është dukshëm më i lartë”, thekson Instituti ekonomik.
foto: arkivi i MIA-s