Franca: Kërcënimi rus për Evropën nuk është teorik
- – Agresioni rus kundër Evropës “nuk është teorik”, deklaroi sot ministri francez i Punëve të Jashtme, Zhan – Noel Baro, duke reaguar në deklaratën e të dërguarit të presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, Stiv Uitkof, se kërcënimi i tillë nuk është real.
- Post By Fitore Curri
- 20:01, 25 mars, 2025

Paris, 25 mars 2025 (MIA) – Agresioni rus kundër Evropës “nuk është teorik”, deklaroi sot ministri francez i Punëve të Jashtme, Zhan – Noel Baro, duke reaguar në deklaratën e të dërguarit të presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, Stiv Uitkof, se kërcënimi i tillë nuk është real.
Në intervistë për Foks njuz të dielën, Uitkof deklaroi se nuk beson se presidentit rus Vladimir Putin ka për qëllim “ta pushtojë gjithë Evropën” dhe se kërcënimi është më shumë “teorik”, sepse sipas tij, lideri rus “dëshiron paqe”.
Gjatë kohës së vizitës në Singapor, Baro në një deklaratë për gazetarët në gjuhën angleze e hodhi poshtë këtë konstatim.
“Shohim fakte: Rusia sot shpenzon 10 për qind të PBB-së së saj për mbrojtje, që është 40 për qind e shpenzimeve të saj të buxhetit”, theksoi ai.
Baro theksoi se agresioni rus gjatë tre viteve të fundit është zgjeruar larg Ukrainës, kryesisht përmes manipulimit me informacione, duke përfshirë ndikim ndaj Francës, por edhe më shumë ndaj vendeve si Rumania, ku zgjedhjet presidenciale ishin anuluar për shkak të fushatës ruse të dezinformatave.
“Për këtë agresioni rus nuk është teorik, ai është konkret dhe shumë shtete evropiane tashmë i ndjejnë pasojat”, theksoi ai.
Ministri francez shtoi se linjat e frontit “u afruan” në kufijtë e Bashkimit Evropian pas pushtimit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.
Baro paralajmëroi se nesër do të udhëtojë për në Indonezi, ndërsa pastaj të enjten dhe të premten do ta vizitojë Pekinin dhe Shangain, që do të jetë vizita e tij e parë zyrtare në Kinë pasi e mori funksionin. fc/
Foto: Arkivi