• e mërkurë, 17 korrik 2024

Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar me disa zgjidhje politike që bëri Qeveria Kurti

Hovenier: SHBA-ja e shqetësuar me disa zgjidhje politike që bëri Qeveria Kurti

Prishtinë, 14 korrik 2024 (MIA) - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Xhefri Hovenier, tha se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është "i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë", informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në konferencën e sotme për media gjatë qëndrimit në Gjakovë, Hovenier theksoi se nuk është fshehtësi se qeveria amerikane, bashkë me partnerë të tjerë, kanë shqetësim të caktuar për disa nga vendimet politike të Qeverisë së Albin Kurtit. 

"Do ta them atë që e kam thënë gjithmonë. Përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë. Prandaj edhe jam sot këtu sot në Gjakovë. Por kjo nuk nënkupton që pajtohemi me çdo zgjidhje të bërë nga çdo qeveri e Kosovës. Dhe nuk është më sekret që qeveria ime bashkë me disa nga partnerët me të cilën punojmë, kemi disa shqetësime për disa zgjidhje politike të cilat i ka bërë Qeveria Kurti dhe të cilat e pamundësojnë atë çka dëshirojmë të arrijmë për Kosovën", ka thënë Hovenier, duke shtuar se shpreson që bashkëpunimi në të ardhmen të jetë sa më të ngushtë në mënyrë që kur të ketë çështje të vështira, të gjendet mundësi që të çohen përpara më lehtë".

Hovenier foli edhe për ligjet të cilat së fundi ishin miratuar në Kuvendin e Kosovës, konkretisht për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), ndërsa të cilët hasën në kritika të ashpra, si nga ekspertët vendorë, ashtu edhe nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. 

Ai tha se qeveria e SHBA-së e këshillon Kosovën që ligjet të cilat i miraton Kuvendi i Kosovës të jenë në përputhje me normat evropiane.

Diplomati amerikan deklaroi se pas miratimit të ligjeve për KPM-në dhe KPK-në ka biseduar me përfaqësues qeveritarë.

"Unë kam pasur rastin që të bisedojë me zyrtarët e qeverisë. Kuptoj që ka ndjenja të fuqishme nëse janë ligjet në përputhje me normat evropiane apo jo. Këshilla është që të sigurohen që çdo legjislacion që të jetë në përputhje me normat evropian, sepse ne natyrisht mendojmë që Kosova të jetë anëtarë e BE-së, NATO-s, prandaj mendojmë që nuk është edhe shumë e mençur që ato organizata evropiane e kanë thënë që këto projektligje nuk janë në përputhje me normat evropiane", shtoi Hovenier. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR