• e premte, 05 korrik 2024

Guteresh e akuzoi Izraelin se me operacionin në Gazë krijon pengesa për ndihmë humanitare 

Guteresh e akuzoi Izraelin se me operacionin në Gazë krijon pengesa për ndihmë humanitare 

Nju Jork, 23 dhjetor 2023 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guteresh sot deklaroi se mënyra se si Izraeli po kryen operacionin e tij ushtarak në Rripin e Gazës “krijon pengesa të mëdha për shpërndarjen e ndihmave humanitare” në enklavën palestineze prej 2,3 milionë banorësh.

Ai gjithashtu u bëri thirrje "autoriteteve izraelite që të heqin menjëherë kufizimet në aktivitetet komerciale".

Në të njëjtën kohë, ambasadori i Izraelit në OKB kritikoi Këshillin e Sigurimit për reagimin e tij ndaj sulmit të 7 tetorit nga Hamasi. Kritikat pasuan pas votimit të mbrëmshëm për rritjen e ndihmës humanitare për Gazën.

“Përqendrimi i vëmendjes së OKB-së vetëm në mekanizmat e ndihmës për Gazën është i panevojshëm dhe i shkëputur nga realiteti – Izraeli tashmë po lejon dërgimin e ndihmave në shkallën e nevojshme”, tha ambasadori i Izraelit në Organizatën Botërore, Gilad Erdan. "OKB-ja duhet të ishte fokusuar në krizën humanitare me pengjet," shtoi ai.

Erdan falënderoi gjithashtu SHBA-në për mbështetjen e fortë për Izraelin gjatë negociatave mbi rezolutën, e cila, siç tha, ruan kompetencat e lidhura me sigurinë e Izraelit për të kontrolluar ndihmën që hyn në Gazë.

Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Eli Koen pas votimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të kontrollojë të gjitha ndihmat humanitare të destinuara për Rripin e Gazës për arsye sigurie.

Përfaqësuesi palestinez në OKB e cilësoi votimin si pozitiv. Ai theksoi se kjo rezolutë duhet të zbatohet dhe të shoqërohet me "presion masiv për një armëpushim të menjëhershëm" në Rripin e Gazës.

Ministria palestineze e Punëve të Jashtme, e cila është pjesë e autoritetit palestinez me bazë në Bregun Perëndimor, e quajti rezolutën "një hap në drejtimin e duhur" dhe shtoi se ajo do të ndihmonte në "përfundimin e agresionit, sigurimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare dhe mbrojtjen e popullit palestinez. .

“Ne besojmë se ky është një hap që mund të lehtësojë vuajtjet e popullit tonë në Rripin e Gazës”, thuhet në kumtesën e ministrisë palestineze të Punëve të Jashtme.

Nga ana tjetër, lëvizja Hamas, e cila qeveris me Rripin e Gazës, e quajti rezolutën "një hap të pamjaftueshëm" për të përmbushur nevojat e enklavës së rrethuar.

Në kumtesën e lëvizjes palestineze thuhet se për pesë ditë administrata amerikane kishte punuar shumë për të zbrazur rezolutën nga përmbajtja e saj dhe më në fund të publikonte këtë formulim më të dobët. Në kumtesën thuhet se këto veprime janë sfidë ndaj dëshirës së komunitetit ndërkombëtar dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të ndaluar agresionin izraelit kundër popullit të pafuqishëm palestinez.

Mbrëmë, në mes të zemërimit në rritje globale për rritjen e viktimave civile në luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Gazë dhe një krize humanitare të thelluar në enklavë, SHBA abstenuan nga votimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke lejuar të miratohet rezoluta e paraqitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). ls/

QËNDRONI TË LIDHUR