Grosi: Irani ka mundësi që pas disa muajve të vazhdojë me pasurimin e uraniumit
- – Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), Rafael Grosi, deklaroi sot se Irani ka kapacitet ta vazhdojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në afat prej disa muajve.
- Post By Fitore Curri
- 11:31, 29 qershor, 2025
Vjenë, 29 qershor 2025 (MIA) – Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), Rafael Grosi, deklaroi sot se Irani ka kapacitet ta vazhdojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në afat prej disa muajve.
"Ndoshta do të kenë...për disa muaj, ose më pak... disa kaskada centrifugash që rrotullohen dhe prodhojnë uranium të pasuruar... Nuk mund të thoni se gjithçka është zhdukur dhe nuk ka asgjë atje... Irani kishte një program shumë ambicioz, dhe një pjesë e tij mund të jetë ende atje, dhe nëse jo, është e vërteta e qartë se njohuritë janë atje. Kapaciteti industrial është atje. Irani është një vend shumë i sofistikuar për sa i përket teknologjisë bërthamore", tha ai në një intervistë për kanalin televiziv amerikan Si-Bi-Es (CBS).
Sipas tij, Irani ka kapacitet industrial dhe teknologjik për prodhimin e uraniumit të pasuruar.
Megjithatë, shtoi Grosi, Irani ka vonesë të dukshme në lidhje me ato kapacitete sepse objektet bërthamore pësuan “nivel serioz të dëmit”.
"Është e qartë se ajo që ndodhi, veçanërisht në Fordo, Natanc, Isfahan, ku Irani dikur kishte dhe ende ka, deri diku, një kapacitet për të përpunuar, konvertuar dhe pasuruar uranium, është shkatërruar në një masë të konsiderueshme. Diçka ekziston ende. Ka një mbetje të konsiderueshme në lidhje me këto kapacitete. Kjo është e qartë", tha Grosi.
Duke folur për hapat e ardhshëm, ai tha se do të vijojë vlerësim i dëmit, të cilin, siç deklaroi, Irani nuk do të mundet ta konfirmojë vetë.
"Në një moment, ANEB do të duhet të kthehet. Edhe pse puna jonë nuk është të vlerësojmë dëmin, por të rivendosim njohuritë mbi aktivitetet që po zhvillohen atje dhe qasjen në materialin, gjë që është shumë e rëndësishme, materialin që ata do të prodhojnë nëse vazhdojnë me këtë aktivitet... Kjo varet nga negociatat që mund të rifillojnë ose jo", theksoi Grosi.
Drejtori i përgjithshëm i ANEB edhe një herë bëri thirrje për kthim në tryezën e bisedimeve dhe zgjidhje të drejtë teknike në çështjen lidhur me programin bërthamor iranian dhe theksoi se tani ekziston mundësi për këtë.
“Irani do të vazhdojë me programin e tij bërthamor, kornizat e të cilit ende janë të dukshme dhe i cili, jam i sigurt, do të jetë pjesë e këtyre bisedimeve, të cilat, shpresoj, do të vazhdojnë së shpejti”, përfundoi ai. fc/
Foto: EPA