Gjashtë zjarre aktive, nëntë janë nën kontroll
- Gjashtë zjarre janë aktive për momentin në mbarë vendin, ndërsa nëntë janë nën kontroll, bën të ditur Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
- Post By Fami Bajrami
- 13:29, 7 gusht, 2024
Shkup, 7 gusht 2024 (MIA) - Gjashtë zjarre janë aktive për momentin në mbarë vendin, ndërsa nëntë janë nën kontroll, bën të ditur Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Në 24 orët e fundit në numrin 112 janë regjistruar 2.601 thirrje në QMK. Janë regjistruar 41 zjarre, ndërsa 26 prej tyre janë shuar.
Sipas të dhënave nga Qendra rajonale për menaxhim me kriza - Manastir në zjarrin aktiv në Plakenska - Ilinska planina në zonën e komunës së Demir Hisarit, digjet bar i thatë nga fshatrat Virovë, Slloeshticë, Bazernik dhe Malo Ilino.
"Më alarmante është në Bazernik dhe Malo Ilino ku zjarri u afrohet sipërfaqeve pyjore. Është kontaktuar kryetari i komunës së Demir Hisarit dhe në terren është dërguar një ekip nga NjTKZ – Demir Hisar me tre zjarrfikës", theksohet në kumtesën e QMK-së.
Të dhënat nga QRMK – Shkup tregojnë se është ende aktiv zjarri në atarin mes fshatrave Draçevicë dhe Cërvena Vodë, vendi i quajtur “Temna Buka” në komunën e Studeniçanit i cili ka filluar më 4 gusht.
"Është djegur bimësi e përzier e ulët dhe e lartë. Gjatë ditës kanë intervenuar katër persona nga NP ‘Karaxhicë’, Shkup. Zjarri është shuar dhe në disa vende vërehet tym. Për shkak të erës zjarri është intensifikuar dhe është përsëri aktiv. Zjarr ka edhe në atarin e vendit ‘Dreshnicë’ mbi fshatin Batincë të Komunës së Studeniçanit ku është djegur bimësi e përzier e ulët dhe e lartë. Gjatë ditës dy persona kanë intervenuar në ‘Karaxhicë’ të rajonit të Shkupit. Sipas informacioneve të fundit, gjatë mëngjesit të sotëm vërehet tym", thuhet në kumtesën e QMK-së.
Nga ora 17:30 në fshatin Bllacë e Mesme është shuar bimësi e përzier. Ndërhyrja është kryer nga një automjet kundër zjarreve dhe tre zjarrfikës.
Zjarri në malin Galiçicë është lokalizuar.
"Në vendin e ngjarjes ndodhen edhe dy persona nga ‘Karaxhicë’. Zjarri është shuar në komunën e Çuçer Sandevës", thuhet në kumtesë.
Zjarri në atarin e fshatrave Latovë – Pllanicë është nën kontroll, ndërsa ka tym vetëm në brendësi, ndërsa në terren gjatë ditës nuk ka pasur persona për intervenim.
Në orën 19 ka rënë zjarr në sipërfaqe pyjore në atarin e fshatit Zajas. Në shuarjen e zjarrit kanë ndërhyrë katër persona nga filiali i NP PK Lopushnik nga Kërçova.
Sipas QRMK – Veles, zjarr është vërejt mes fshatrave Oreshë dhe Papradishtë, komunë e Çashkës. Zjarri ka përfshirë një zonë të mbjellë me plantacione të reja pyjore.
Në deponinë në Dellçevë, sipas QMK-së nuk ka rrezik për përhapjen e zjarrit.
"Në vendin e ngjarjes ndodhet një person - roje i punësuar NKP “Bregallnicë” i cili monitoron situatën me deponinë”, theksohet në kumtesën e QMK-së.
Foto: QMK