• e martë, 12 nëntor 2024

Gërkovska: Progresi në digjitalizim nuk është i barazuar mes institucioneve dhe komunave, vetëm me një qasje gjithëpërfshirëse strategjike do të sigurohet përmbushje e qëllimit

Gërkovska: Progresi në digjitalizim nuk është i barazuar mes institucioneve dhe komunave, vetëm me një qasje gjithëpërfshirëse strategjike do të sigurohet përmbushje e qëllimit

Shkup, 10 maj 2023 (MIA) - Jemi të vetëdijshëm se progresi në këtë fushë nuk është i barazuar, disa institucione janë shumë të avancuara në përdorimin e teknologjive të reja për të përmirësuar punën e tyre, për dallim nga disa që janë ende në fillim. Pikërisht për këtë është e rëndësishme një qasje strategjike, në të cilën të gjitha pjesët e sistemit do të ecin përpara dhe do të modernizohen dhe vetëm me një qasje gjithëpërfshirëse do të arrihet qëllimi, që qytetarët në të gjitha pjesët e vendit të përfitojnë nga dixhitalizimi, theksoi Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politikat për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, në fjalimin e saj në Konferencën e sotme të organizuar nga UNDP me temën "Nga letra në piksele: Transformimi digjital i komunave" në të cilën u diskutuan sfidat që kanë të bëjnë me transformimin digjital të vetëqeverisjes lokale në vend.

Në këtë drejtim, Gërkovska informoi se Këshilli Nacional për Transformim Digjital të Shoqërisë, të cilin ajo e kryeson, së fundi ka miratuar konceptin për transformim digjital të shoqërisë, i cili është miratuar nga Qeveria dhe për të cilin aktualisht është duke u përgatitur udhërrëfyesi i aktiviteteve, duke përcaktuar parimet bazë që duhet të udhëheqin transformimin digjital në të gjitha fushat e shoqërisë.

 

"Duke pasur parasysh shkallën e këtyre ndryshimeve, është e qartë se procesi nuk mund të jetë në duart e një palë të interesuar dhe se ai duhet të zhvillohet në bashkëpunim midis qeverisë, institucioneve publike, sektorit privat dhe civil, si dhe komunitetit akademik. Dhe është edhe më e qartë se investimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe në kuadro profesionale janë parakusht themelor që të mund të realizohen të gjitha këto plane", theksoi Gërkovska.

Por nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja iu referua edhe rreziqeve të digjitalizimit që lidhen me mbrojtjen kibernetike të përdorimit të shërbimeve digjitale.

"Siguria e të dhënave tona personale dhe siguria kibernetike në përgjithësi janë çështje të cilave duhet t'u jepet prioritet i lartë në këtë proces sepse ne kemi detyrim të sigurojmë konfidencialitetin e qytetarëve që ata mund të përdorin në mënyrë të sigurt mjetet digjitale dhe se në atë proces nuk do të rrezikohen të dhënat personale. Përndryshe, mund të përfundojmë në një situatë ku përfitimet e digjitalizimit jo vetëm që do të rrezikohen, por do të jenë më të vogla se dëmi që mund të shkaktohet nga kërcënimet hibride që janë pjesë e realitetit të ri që jetojmë", nënvizoi ajo.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov, në fjalimin e tij tha se sektori publik i përshtatet ndryshimeve më ngadalë sepse ato kushtëzohen nga gatishmëria e brendshme dhe mjaftueshmëria e resurseve teknike dhe njerëzore, por edhe nga gatishmëria e qytetarëve për të pranuar kushtet e reja dhe përdorimin e mjeteve të reja digjitale.

 

"Tani jemi në një fazë ku duhet një qasje më sistematike dhe në vend të komunë për komunë, duhet të aplikojmë qasjen shërbim pas shërbimi. Në këtë mënyrë shërbimi është i barazuar në të gjitha komunat dhe kostot për ofrimin e tij mund të ndahen nga të gjitha komunat përmes blerjes së pajisjeve të përbashkëta. Përveç efikasitetit, qëllimi i digjitalizimit të shërbimeve është zvogëlimi i hapësirës për korrupsion dhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies", tha ai.

Sipas Penovit, kriza shëndetësore që kaluam vetëm sa konfirmoi nevojën për digjitalizimin e shërbimeve.

"Praktika ka treguar se komunat që janë një hap para të tjerave, në këtë mënyrë kanë siguruar një pegesë më të lartë si të taksave ashtu edhe të faturave të shërbimeve. Në të ardhmen kjo mënyrë e ofrimit të shërbimeve duhet të jetë parësore, kurse sporteli vetëm alternativë", theksoi Penov.

Ai shtoi se pabarazia e komunave në aspektin e burimeve njerëzore, financiare dhe teknike, nevoja për standardizimin e formave dhe proceseve, tregon se vetëm përmes një qasjeje sistematike, me koordinim të ministrive kompetente, Ministria e Shoqërisë Informatikee dhe Administratës si kompetent, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, me BNJVL-në dhe me komunat, mund të hyjmë seriozisht në procesin e digjitalizimit.

Zëvendësministri për shoqëri informatike dhe administratë, Aleksandar Bajdevski, tha se digjitalizimi dhe siguria kibernetike janë një nga prioritetet kryesore strategjike të Qeverisë dhe se ministria e tij po punon në mënyrë aktive në këtë fushë.

Ai informoi se Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës tashmë ka krijuar një infrastrukturë TIK dhe se ka ndërtuar sisteme të avancuara TIK që janë në funksion dhe se janë sisteme horizontale që janë në dispozicion të të gjitha institucioneve në vend, pavarësisht nëse janë pjesë e pushtetit qendror ose vendor.

Ambasadorja zvicerane, Veronik Ullman, tha se transformimi digjital i administratës publike është prioritet i Qeverisë i mbështetur nga disa partnerë ndërkombëtarë zhvillimor, ndërsa promovimi i transformimit digjital në nivel komunal është shfaqur si një fokus i ri i Ministrisë së vetëqeverisjes lokale dhe partnerët ndërkombëtarë që promovojnë vetëqeverisjen lokale dhe decentralizimin.

Ajo përsëriti rreziqet e përmendura më parë nga zëvendëskryeministrja Gërkovska dhe se duhet vënë nën kontroll, gjegjësisht teknologjia digjitale duhet të mbrojë të drejtat e njeriut, të mbështesë demokracinë. Sipas Ullman, digjitalizimi nuk duhet të rrisë rreziqet sociale dhe as të vendosë kontroll mbi shoqërinë.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në vend, Armen Grigorian, si folës i fundit, tha se transformimi digjital nuk duhet kuptuar vetëm si një proces trendi, por duhet kuptuar si një kontribut për ofrimin më të mirë, më të qëndrueshëm dhe më efikas të shërbimeve publike për qytetarët.

Ai gjithashtu ndau kontributet e UNDP-së në lidhje me transformimin digjital të komunave dhe informoi se UNDP-ja është duke punuar në hartimin e një modeli për komunat për të cilat hulumtimet tregojnë se ekzistojnë kushte normative por është e nevojshme të vendoset zbatimi konsistent për të arritur transformimi digjital të shërbimeve komunale.  

Foto: MIA/ UNDP

QËNDRONI TË LIDHUR