Fon Der Lajen: Marrëdhëniet BE-Kinë kanë arritur në një pikë kthese
- Marrëdhëniet tregtare midis Kinës dhe Bashkimit Evropian kanë arritur në një "pikë kthese të qartë", tha kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen në Pekin pas një samiti me autoritetet kineze.
- Post By Sara Ademi
- 18:42, 24 korrik, 2025
Pekin, 24 korrik 2025 (MIA) - Marrëdhëniet tregtare midis Kinës dhe Bashkimit Evropian kanë arritur në një "pikë kthese të qartë", tha kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen në Pekin pas një samiti me autoritetet kineze.
Pritjet për takimin në kryeqytetin kinez, i cili shënoi 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, nuk ishin të larta. Takimi u zhvillua pas disa javësh tensione dhe pala kineze vendosi ta përgjysmonte kohën e takimit.
"Ne i kemi shprehur shqetësimet tona sinqerisht dhe hapur në lidhje me çështjet tregtare, të investimeve dhe ato gjeopolitike. Ne kemi identifikuar pjesërisht zgjidhje", tha Fon der Lajen në një konferencë për shtyp pas takimit me presidentin kinez Si Xhinping dhe kryeministrin Li Çiang.
E pyetur në lidhje me një marrëveshje të mundshme tregtare me SHBA-në, Lajen tha se BE-ja është e përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje, por se të gjitha instrumentet janë në tryezë derisa të "arritet një rezultat i kënaqshëm". Ajo theksoi se marrëdhënia midis Kinës dhe BE-së është "e rëndësishme", por edhe "e pavarur" nga marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me aktorë të tjerë.
Si më parë i tha kryetares Fon der Lajen dhe kryetarit të Këshillit Evropian Antonio Koshta se sfidat me të cilat përballet Evropa nuk e kanë origjinën në Kinë. Ai i bëri thirrje BE-së të "menaxhojë siç duhet dallimet dhe mosmarrëveshjet".
Gjatë vitit të kaluar, BE-ja, ndër të tjera, ka vendosur tarifa për importet e makinave elektrike nga Kina, ndërsa zyrtarët evropianë kanë paralajmëruar për deficitin tregtar me këtë vend aziatik, i cili arriti në 306 miliardë euro vitin e kaluar.
Fon Der Lajen tha se autoritetet kineze kanë shprehur gatishmëri për të inkurajuar konsum më të madh midis qytetarëve të tyre.
Udhëheqësit e BE-së në takimin e sotëm shprehën pritjet se Kina do ta inkurajojë Rusinë të ndalojë luftën kundër Ukrainës. sa/
Foto: Lajen në X