Fillon Eurovizioni 2023
- - Në Liverpul, të Anglisë sonte do të mbahet gjysmëfinalja e Zgjedhjes së këngës së Eurovizionit. Nata e dytë gjysmëfinale do të mbahet pasnesër, më 11 maj, ndërsa finalja e madhe është të shtunën më 13 maj.
- Post By Fitore Curri
- 17:10, 9 maj, 2023
Liverpul, 9 maj 2023 (MIA) - Në Liverpul, të Anglisë sonte do të mbahet gjysmëfinalja e Zgjedhjes së këngës së Eurovizionit. Nata e dytë gjysmëfinale do të mbahet pasnesër, më 11 maj, ndërsa finalja e madhe është të shtunën më 13 maj.
Mbreti britanik Çarllsi i Tretë e pranoi se dëshiron ta sheh Zgjedhjen, prandaj me bashkëshorten e tij Kamila, në mënyrë simbolike i ndezën dritat në "Arenën banka MS" që në prill, duke shënuar fillimin e përgatitjeve për garën.
Grupi ukrainas "Kalush Orkestra" fitoi Eurovizionin vitin e kaluar me këngën "Stefania". Prandaj, gara e këtij viti ishte menduar të zhvillohej në Ukrainë, por për shkak të luftës, ajo u zhvendos në Liverpull. Britania e Madhe zuri vendin e dytë vitin e kaluar me këngëtarin Sem Rajder. Motoja e këtij viti "United By Music" (Të bashkaur me muzikën) përmban ngjyrat e Ukrainës dhe Britanisë së Madhe.
Në këtë edicion të 67-të të "Eurovizionit" marrin pjesë 37 vende - tri më pak se vitin e kaluar.
Favoriti kryesor këtë vit është Suedia, të cilën e përfaqëson Lorin për herë të dytë. Ajo tashmë fitoi Eurovizionin në vitin 2012, ndërsa këtë vit performon me këngën “Tattoo”. Finlanda ka gjithashtu shanse të mira - reperi Karija performon me përzierje metali, tekno dhe sint-pop dhe thotë se kënga e tij 'Ça Ça Ça' i bën homazh grupit gjerman "Ramshtajn". Ndër më të përmendurit në publik janë dyshja ukrainase “Tvorçi” me këngën “Heart Of Steel” dhe këngëtarja franceze La Zara me “Evidemment”.
Në natën e parë, sonte, në skenë do të ngjitet ylli botëror, Rita Ora si mysafir special e cila njëkohësisht është shprehur se nuk duhet humbur shfaqja që ajo dhe ekipi i saj do të sjellin sonte.
“A ka thënë dikush këngën e verës? Ethet e Ritës po përhapen në Liverpul! Sonte mbrëma, gjysmëfinalja e Eurovizionit, bëhuni gati nga ora 20:00. Nuk duhet të humbisni shfaqjen e bujshme që unë dhe ekipi im kemi krijuar”, shkruan mes tjerash Rita në profilin e saj në Instagram.
Në Eurosongun e këtij viti, Maqedonia e Veriut nuk ka përfaqësues të saj, ndërsa Shqipërinë e përfaqëson këngëtarja nga Kosova, Albina Kelmendi bashkë me familjen e saj.
Albina Kelmendi ishte e mahnitshme në paraqitjen e saj në ceremoninë zyrtare të hapjes së Eurovision, me një fustan të zi me elemente ilire. Me këngën “Duaje”, Shqipëria do të paraqitet në natën e dytë të Eurovisionit, më 11 maj.
Televizioni britanik Bi-Bi-Si për këngën konkurruese të Shqipërisë në "Eurovision Song Contest" shkruan se ajo ka porosi të fortë për rëndësinë e familjes.
"Teatrale dhe dramatike, kënga shqiptare mbart një porosi të fortë për rëndësinë e familjes dhe pranimin e njerëzve që doni për atë që ata janë. Vokali mbresëlënës dhe harmonitë ballkanike ndërtohen në një kor tërheqës, me Albinën e shoqëruar në skenë nga pesë anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe babain e saj", shkruan Bi-Bi-Si. fc/
Fotografia: Fejsbuk Eurovision Song Contest