Filipçe: Konsensusi mbipartiak është zgjidhja e vetme, të bisedojmë dhe të përcaktojmë vijat e kuqe
- – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot edhe një herë bëri thirrje për takim të liderëve në të cilin, siç tha, do të përcaktoheshin vijat e kuqe dhe do të arrihej konsensus mbipartiak për çështjet shtetërore kyçe.
- Post By Fitore Curri
- 20:23, 15 korrik, 2025
Shkup, 15 korrik 2025 (MIA) – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot edhe një herë bëri thirrje për takim të liderëve në të cilin, siç tha, do të përcaktoheshin vijat e kuqe dhe do të arrihej konsensus mbipartiak për çështjet shtetërore kyçe.
Filipçe në “Samo intervju” (Vetëm intervistë) në Kanal 5, vlerësoi se humbje e Qeverisë është ajo që në Parlamentin Evropian ishte votuar Raporti për progresin e Maqedonisë pa gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Konsensusi mbipartiak është e vetmja zgjidhje e mundshme për çështjet kyçe, por për ta bërë këtë duhet të ulemi dhe të flasim, pa llogaritje dhe paragjykime, për të parë se cilat janë vijat tona të kuqe. Jam i gatshëm në çdo moment të ulemi të flasim dhe të shohim se si do të ecim përpara. Pse nuk pranojnë një takim kur po bëjnë kaq shumë thirrje për bashkim kombëtar? Jam i gatshëm të përcaktojmë vijat e kuqe dhe të vazhdojmë rrugën evropiane. Ne padyshim kemi qëndrime të ndryshme, kjo është e qartë dhe më vjen keq që është kështu, por duhet të fillojmë t'i zgjidhim problemet”, theksoi lideri i LSDM-së.
Sipas tij, problemin me Bullgarinë nuk do ta zgjidhim as shpejtë, as lehtë, por pyetja është se nëse derisa e zgjidhim do të stagnojmë.
“Pyetja është nëse gjatë asaj periudhe nuk do të kemi reforma, nuk do të bëjmë ndryshimet kushtetuese që të gjithë themi se nuk janë problem për t'i përfshirë bullgarët në Kushtetutë, përfshirë VMRO-DPMNE-në, dhe pastaj të hapim kapitujt, të fillojmë reformën e vërtetë të sistemit ligjor, të miratojmë ligje reformuese në energjetikë, korridore evropiane,..., të marrim fonde evropiane, apo do të presim dhe do të bërtasim ‘ah, bullgarët nuk na njohin, kemi një rrezik në aspektin e gjuhës, në aspektin e identitetit’ dhe nuk do të bëjmë asgjë”, tha Filipçe dhe shtoi se ndonjëherë rruga e drejtë kërkon vendime të forta dhe të guximshme me koston e imazhit politik.
Përshtypje e tij është se Qeveria vetëm po kërkon arsye të mos ecë përpara në rrugën evropiane, si dhe se nuk ka dëshirë të zbatojë reforma në gjyqësor.
“Kjo Qeveri po qeveris njësoj si në kohën e Gruevskit. Edhe Mickoski po shkon drejt bashkimit kombëtar, por nuk thotë se për çfarë bëhet fjalë. Të gjithë palët e interesuara duhet të ulen dhe të përcaktojnë vijat e kuqe, por një punë e tillë, përveçse është paralajmëruar, nuk po zbatohet dhe unë besoj se kjo është qeverisje populiste për të ndarë qytetarët në patriotë dhe tradhtarë. Ne kemi një propozim konkret - francez, është në tavolinë për tre vjet. Oferta është në tavolinë për tre vjet, deri kur do të presim?”, thotë lideri i LSDM-së.
Ai gjithashtu propozoi, të ketë referendum për atë nëse jemi të gatshëm ta vazhdojmë rrugën evropiane, prandaj, siç tha, le të vendosin qytetarët.
“Qeveria është ajo që e udhëheq luftën me gjuhën, identitetin, shtetin. Premtuan se pozita në negociata do të përmirësohet, por nuk arritën t’i përmbushnin premtimet nga periudha para zgjedhjeve”, theksoi Filipçe.
Sa i përket projekteve infrastrukturore, tregoi se është më mirë ta fillojmë hekurudhën me para evropiane, e jo të marrim borxh me kredi të cilën do ta paguajnë fëmijët tanë. fc/
Foto: Printskrin