• e mërkurë, 03 korrik 2024

Emri Maqedonia, Mickoski dhe Siljanovska, por edhe porositë nga Athina edhe më tutje në fokus të mediave greke

Emri Maqedonia, Mickoski dhe Siljanovska, por edhe porositë nga Athina edhe më tutje në fokus të mediave greke

Athinë, 23 maj 2024 (MIA) - Dy javë pas fitores së VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e dyfishta dhe dhjetë ditë pas inaugurimit të Gordana Siljanovska Davkovës, mediat në Greqi për çdo ditë ndjekin gjithçka që ndodh te ne, ndërsa ka lidhje me Greqinë, por i transmetojnë edhe porositë nga politikanët vendorë të shprehura në intervista dhe fjalime, të cilat në periudhën e kaluar janë të shumta duke pasur parasysh atë se vendi është në periudhë parazgjedhore në prag të zgjedhjeve evropiane më 9 qershor, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

"Vazhdojnë provokimet nga Maqedonia e Veriut" është komenti më i shpeshtë në media gjatë periudhës së kaluar. 

Të fundit që e transmetojnë mediat është takimi i liderit të VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski me ambasadorin e Austrisë, por jo për shkak të thelbit të takimit dhe temave për të cilat kanë biseduar, por për shkak të asaj që në publikimin në Fejsbuk është përdoruar emri Maqedonia. 

"Lideri i ekstremit të djathtë VMRO-DPMNE dhe kandidati për kryeministër të Maqedonisë së Veriut duket se është gati të vazhdojë provokimet. Duke këmbëngulur se ka të drejtë ta quajë vendin e tij si të dojë, Hristian Mickoski vazhdon me provokimet, duke insistuar që në një takim zyrtar me një funksionar të huaj të quhet 'Maqedonia', transmeton portali informativ "In".

"Pas provokimeve të presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, dhe mandatarit për kryeministër Hristian Mickoski insiston që emri 'Maqedonia', me çka edhe një herë e shkel Marrëveshjen e Prespës", shkruan portali informativ "Ajefimerida".

Gjithashtu, mediat e transmetojnë edhe intervistën e Mickoskit për "Ora 24", më konkretisht pjesën ku e përdor emrin Maqedonia. 

Gjatë ditëve të kaluara në Greqi aktual ishte edhe sajti i ri i presidentes, duke pasur parasysh atë që, siç shkruajnë mediat, nuk është përdorur emri kushtetues.

Televizioni shtetëror "ERT" në tekstin e publikuar të martën në mbrëmje shkruan se "ueb-faqja zyrtare e presidentes Gordana Siljanovska nuk e përmban emrin Republika e Maqedonisë së Veriut".

"Emri kushtetues i shtetit, 'Republika e Maqedonisë së Veriut' figuron në përshkrimin e shtetit në kategorinë 'MK', ku renditen të dhënat gjeografike, demografike dhe të dhëna të tjera. Në kategorinë 'President' përmendet thjesht 'President' pa specifikuar vendin e origjinës. Po ashtu, në informacionet për takimet e saj me ambasadorë të vendeve të huaja, përmendet vetëm se presidentja Siljanovska-Davkova ka pasur takime", transmeton "ERT".

Televizioni "Mega" në artikullin e sotëm komenton se presidentja "duke luajtur me emrin e vendit në faqen e rinovuar të internetit e shmang përdorimin e emrit Maqedonia e Veriut".

"Në sajt nuk ekziston emri i vendit, ndërsa afër emrit të zonjës Siljanovska ekziston vetëm titulli presidente", njoftoi TV "Mega".

Për, siç komentoi, "lojërat e presidentes së Maqedonisë së Veriut" shkruan edhe "Si-en-en Greqia", por jo vetëm për sajtin zyrtar, por edhe për profilin e Siljanovska Davkovës në platformën Iks, ku sipas portalit informativ grek "prezantohet si presidente e Maqedonisë".

Gjithashtu, mediat në Greqi i transmetojnë qëndrimet edhe të Qeverisë greke, por edhe reagimet nga partitë opozitare, ndërsa theksin e vendosin në porosinë nga Athina në Shkup se për perspektivën evropiane parakusht është respektimi i Marrëveshjes së Prespës.

Greqia gjendet pak më shumë se dy javë para zgjedhjeve evropiane, ndërsa liderët e partive po mbajnë tubime, takime me qytetarë dhe japin intervista për mediat, ndërsa përveç se për temat e brendshme aktuale, flasin edhe për marrëdhëniet maqedonase - greke. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR