Ekspertët rekomandojnë futjen e një jave pune katërditore, por bizneset thonë se nuk janë gati
- Mendimet janë të ndara për vendosjen e javës katërditore të punës në vend. Biznesi beson se ne nuk jemi gati për shkak të nivelit ende të ulët të produktivitetit dhe sindikatat mbeten të përkushtuara ndaj kërkesës për uljen e orëve të punës. Sipas psikologes Mirjana Jovanovska Stojanovska, një javë katërditore do të jetë një goditje për ekonominë, veçanërisht në vendet më të varfra dhe të pazhvilluara, por duhet të futet për mirëqenien e punëtorëve dhe për të ruajtur shëndetin e tyre mendor dhe fizik.

Shkup, 16 shkurt 2025 (MIA) - Mendimet janë të ndara për vendosjen e javës katërditore të punës në vend. Biznesi beson se ne nuk jemi gati për shkak të nivelit ende të ulët të produktivitetit dhe sindikatat mbeten të përkushtuara ndaj kërkesës për uljen e orëve të punës. Sipas psikologes Mirjana Jovanovska Stojanovska, një javë katërditore do të jetë një goditje për ekonominë, veçanërisht në vendet më të varfra dhe të pazhvilluara, por duhet të futet për mirëqenien e punëtorëve dhe për të ruajtur shëndetin e tyre mendor dhe fizik.
“Është ende herët për hapa të tillë sepse ka reforma të tjera prioritare që duhet të bëhen në periudhën e ardhshme. Për të zbatuar një javë pune katër ditore, duhet të maksimizoni efikasitetin tuaj për të kapërcyer ditën e pestë pa asnjë pasojë në arritjen e rezultateve. Me një produktivitet kaq të ulët si në Maqedoni, vendosja e javës katërditore të punës do të jetë katastrofike”, thotë për MIA-n, kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angeloski.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) me vendim të prerë, java e shkurtuar e punës është mundësi, jo vetëm dëshirë e punëtorëve. Ata rikujtojnë se gjatë negociatave për Ligjin e ri të Marrëdhënieve të Punës janë avokuar edhe për vendosjen e një jave pune 35 orëshe.
“Në disa vende të Evropës dhe botës tashmë janë bërë analiza dhe kërkime që kanë treguar se një javë më e shkurtër e punës ndikon shumë më mirë në motivimin dhe produktivitetin e punëtorëve, e me këtë edhe në fitimet e punëdhënësve. Qëndrimi ynë është që si vend që aspiron anëtarësimin në BE, duhet të avokojmë për reduktimin e javës së punës në shtatë orë pune në ditë ose katër ditë pune në javë dhe jo të kthehemi pas në histori dhe të futim shfrytëzimin e punëtorëve dhe punë mesatarisht 12 orë”, theksojnë nga LSM-ja.
LSM-ja gjithashtu i referohet ekspertëve të cilët tregojnë se punëtorët duhet të angazhohen me orar realist të punës brenda të cilit ata do të mund të kryejnë detyrat e tyre të punës pa pasoja dhe përkeqësim të shëndetit të tyre dhe pa rrezik për lëndime apo humbje të jetës njerëzore.
“Shprehim shqetësimin se rritja e numrit të orëve dhe ditëve të punës në javë do të rrisë rrezikun e aksidenteve, lëndimeve dhe vdekjeve në punë, si dhe do të rrezikojë aplikimin e Maqedonisë për anëtarësim në BE, pasi propozimet janë në kundërshtim me direktivat e BE-së për kohën e punës. Produktiviteti i punëtorëve lidhet me kushtet e punës, përdorimin e pajisjeve, teknikave dhe teknologjive moderne të punës, kushte të shëndetshme dhe të sigurta të punës, paga adekuate, respektimin e parimeve të punës, të drejtën për pushim dhe përkujdesje për familjen. Vetëm në këtë mënyrë punëtorët mund të jenë të përkushtuar ndaj punës së tyre dhe besnikë ndaj punëdhënësve të tyre. Ndryshe, jemi dëshmitarë të një largimi gjithnjë e më masiv të fuqisë punëtore nga vendi”, theksojn nga LSM-ja.
Ata rekomandojnë gjithashtu se aplikimi i komunikimeve dhe mundësive elektronike, digjitalizimi dhe teknikat dhe teknologjitë e reja në proceset e prodhimit rezulton në arritjen e efikasitetit më të madh në operacione, duke krijuar në të njëjtën kohë një bazë reale për reduktimin e javës së punës në 35 orë.
“Duhen ndryshime ligjore, harmonizimi i legjislacionit të punës me standardet evropiane dhe globale të punës dhe e gjithë kjo mund të sigurohet duke përmirësuar dialogun social, duke promovuar organizimin sindikal dhe duke përfshirë aktivisht sindikatat në krijimin e strategjive dhe politikave kombëtare për zhvillimin ekonomik dhe social”, nënvizojnë nga LSM-ja.
Ideja e një jave pune katërditore po i afrohet të drejtave të njeriut të mbrojtura nga aktet ndërkombëtare
Psikologia Jovanovska Stojanovska thotë se njerëzit shumicën e viteve të punës ia kushtojnë punës. Atyre u mbetet pak kohë për jetën familjare, për rritjen dhe dashurinë e fëmijëve dhe për t'u kujdesur për shëndetin e tyre mendor dhe fizik.
“Java e punës katërditore do të jetë një goditje e madhe për ekonominë, veçanërisht në vendet më të varfra dhe të pazhvilluara, por do të sjellë mundësi të mëdha që njerëzit të shijojnë jetën e tyre. Nëse tashmë kemi akte të tilla gjerësisht të njohura për të drejtat e njeriut, ne duhet t'i respektojmë ato. Por, për fat të keq, interesat politike dhe ekonomike gjithmonë mbizotërojnë mbi interesat e popullit. Si psikologe rekomandoj futjen e një jave katërditore për mirëqenien e punëtorëve, për ruajtjen e shëndetit të tyre mendor dhe fizik dhe për shëndetin e familjeve të tyre, thekson Jovanovska Stojanovska.
Mbi 17për qind e evropianëve të punësuar punojnë me kohë të pjesshme
Qeveria spanjolle, në marrëveshje me sindikatat, por pa mbështetjen e shoqatave më të mëdha të punëdhënësve, miratoi një ulje të javës së punës nga 40 në 37.5 orë pa ulur pagat. Këshilli i Ministrave miratoi më 5 shkurt të këtij viti një projektligj që dy sindikatat më të mëdha, CEOE dhe UGT, e cilësuan si një masë historike që do të përfitonin potencialisht 12 milionë punëtorë.
Në baza eksperimentale, Gjermania prezantoi një javë pune katër-ditore pa asnjë ulje pagash nga 1 shkurti 2024. Në këtë proces janë përfshirë 45 kompani dhe organizata. Rezultatet dhe efekti i arritur ishin të ndryshme.
Një eksperiment i ngjashëm ka pasur edhe në Britaninë e Madhe. Ai përfshinte 2,900 punonjës nga sektorët financiarë, IT dhe të ndërtimit, tregtisë online, animacionit, marketingut dhe kioskave të ushqimit të shpejtë. Sipas studiuesve nga Kembrixhi dhe Bostoni, ditët e raporteve mjekësore u reduktuan me rreth dy të tretat dhe pothuajse 40 për qind e punonjësve thanë se ndjenin më pak stres. Edhe numri i të punësuarve që kanë dhënë dorëheqje ka rënë me 57 për qind, si dhe është shënuar rritje mesatare e shitjeve prej rreth 1.4 për qind. Një total prej 56 nga 61 kompanitë pjesëmarrëse thanë se dëshironin të ruanin javën e punës katërditore pas përfundimit të fazës së testimit.
Tokio njoftoi gjithashtu futjen e një jave pune katërditore.
Në dhjetor të vitit të kaluar, guvernatorja e Tokios njoftoi se donte të prezantonte një javë pune katërditore për nëpunësit civilë në kryeqytetin japonez, si pjesë e një përpjekjeje kombëtare për të inkurajuar të qenit prindër.
Informacioni rreth projekteve pilot për të reduktuar javën e punës është gjithashtu i disponueshëm për Kanadanë, SHBA-në, Australinë, Zelandën e Re, Islandën, Irlandën,.... ls/
Mirjana Çakarova
Foto: MIA