• e shtunë, 22 shkurt 2025

As nuk kam nënshkruar, as nuk ka ndonjë marrëveshje sipas përkatësisë etnike, thotë ministrja e Financave

As nuk kam nënshkruar, as nuk ka ndonjë marrëveshje sipas përkatësisë etnike, thotë ministrja e Financave

Shkup, 21 shkurt 2025 (MIA) - Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska sot i hodhi poshtë si të pasakta informatat se gjoja ka pasur ndonjë marrëveshje për punësimin e 2.000-3.000 shqiptarëve në administratën publike.

"Nuk e di kush ç'farë ka thënë. E dini si funksionon dhënia e lejeve për punësim. Çdo pëlqim jepet në bazë të planit vjetor për punësim të miratuar vitin e kaluar. Planet vjetore për punësim nuk parashikojnë gjëra të tilla, as nuk kam nënshkruar marrëveshje punësimi sipas përkatësisë etnike ose aq shumë sa dëgjova si numër. Diçka e tillë nuk ekziston. Për momentin sektori më aktual është ai i shëndetësisë, nënshkruhej, por për njerëzit të cilët veçse punonin atje, u vazhduan kontratat. Nuk ka asgjë më shumë se kaq, as nuk kam nënshkruar, as nuk ka kërkesë, as ç'farëdo lloj marrëveshje për diçka të tillë", tha Dimitrieska Koçoska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas takimit në Lidhjen e Odave Ekonomike (LOE).

Lidhur me eurobondet, përkujtoi se është paguar me mjete të kredisë hungareze. Transha e parë ishte tërhequr vitin e kaluar, ndërsa e dyta këtë vit.

"Kemi tërhequr dy transha me nga 500 milionë euro me normë interesi prej 3,25 për qind. Në bazë të këtyre mjeteve që i kemi marrë si hua vetëm për një vit kemi kursime në Buxhet prej 30 milionë euro. Siguruam mjete me kushte më të volitshme. Nëse Maqedonia dëshiron të dalë në tregjet ndërkombëtare dhe të huazojë mjete përmes dhënies së eurobondeve, norma e interesit nuk do të jetë më e ulët se 6,25 për qind dhe kjo është shumë lehtë e verifikueshme. Kontrolloni me cilat norma interesi fqinjët i kanë marrë mjetet dhe do të shihni se nuk janë më të ulëta se 6 për qind. Do të thotë, dallimi është tre për qind pikë. Vetëm për një vit në bazë të këtyre mjeteve të huazuara kemi kursime në Buxhet prej 30 milionë euro. Secili që e njeh mirë matematikën, mund t'i bëjë llogaritjet vetë. Secili që tenton ta njollosë gjithë këtë proces, supozoj se e shfrytëzon vezëm për PR lëvizje dhe kur të ulet në shtëpi do të vlerësojë sa kanë qenë kursimet në Buxhet", theksoi Dimitrieska Koçoska.

Sa i përket kontabilistëve, ajo tha edhe një herë se edhe pse kanë masa disiplinore, do të mund të nënshkruajnë llogaritë përfundimtare për vitin 2024, por më pas do të duhet të kryejnë orët e trajnimit profesional të kërkuara me ligj. Paralelisht do të kontrollohet situata në Institutin e Kontabilistëve dhe Kontabilistëve të Autorizuar (ISOS) dhe nëse konstatohet ndonjë keqpërdorim do të merren masat e duhura. Për vitin 2025, siç tha ministrja, do të miratohet një ligj i ri. sa/

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR