Ekipe nga Çekia dhe Sllovenia do ta shuajnë zjarrin në Goten, aksioni zhvendoset nga ana e malit të Radovishit drejt asaj të Berovës
- Sot pasdite në aeroportin e Shkupit duhet të arrijë helikopteri "Bllek hok" nga Çekia me kovë të madhe prej tre tonëve dhe ekuipazh prej shtatë anëtarëve, i cili do të marrë pjesë në shuarjen e zjarrit në malin Goten nga ana e Berovës.
- Post By Arta Bunjaku
- 13:06, 29 korrik, 2025
Shkup, 29 korrik 2025 (MIA) - Sot pasdite në aeroportin e Shkupit duhet të arrijë helikopteri "Bllek hok" nga Çekia me kovë të madhe prej tre tonëve dhe ekuipazh prej shtatë anëtarëve, i cili do të marrë pjesë në shuarjen e zjarrit në malin Goten nga ana e Berovës.
Nesër herët në mëngjes pritet edhe ekipi nga Sllovenia, i përbërë prej 61 zjarrfikësve dhe 18 automjeteve speciale për zjarre pyjore, i cili do t'i bashkangjitet aksionit.
Drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov në video deklaratë kumtoi se pas takimit të djeshëm të Shtabit të krizës të Komunës së Berovës është konkluduar që fokusi prej sot të zhvendoset nga ana e Berovës sepse, siç tha, "nga ana e Radovishit rreziku është mënjanuar, jo vetëm zvogëluar".
Theksoi se prej herët në mëngjes po kryhet "aksion të gjerë për ndalje të zjarrit" i cili me ditë është aktiv në malin Goten.
Po vepron helikopteri i MPB-së, krahas forcave në terren - zjarrfikës lokalë, 60 pjesëtarë të ARM-së dhe 30 pjesëtarë special të policisë dhe një numër i madh i ekipeve të NP Pyjet nacionale.
"Katër 'BTR 80' të DMSH-së janë sistemuar në pozita strategjike në rast se zjarri i afrohet fshatit - të mund të veprohet me topa uji të cilat kanë rreze veprimi deri 100 metra. Rreth fshatrave janë sistemuar edhe katër 'hermelinë' dhe tetë 'pincgauerë' si dhe shumë automjete të njësisë territoriale zjarrfikëse, ndërmarrje komunale etj", tha Angellov.
Ai demantoi kumtimet gjatë natës se zjarri i është afruar fshatit Jargulicë, nga ana e Radovishit në malin Goten, dhe tha se në atë pjesë është stopuar.
"Për fat të keq. kjo nuk është garancë rreth mesditës, kur temperaturat rriten, vjen deri te paraqitja e zjarrit. ka erë e cila din të jetë mjaft e papërshtatshme dhe nëse përforcohet, të na shkaktojë probleme të mëdha", deklaroi Angellov.
Drejtori i DMSH-së shtoi edhe se në aksionin për shuarjen e zjarrit në Goten është në nivelin më të lartë bashkëpunimi dhe koordinimi mes të gjitha institucioneve -Shtabit të përgjithshëm për menaxhim me kriza, policisë, Armatës, DMSH-së, QMK-së, NP Pyjet nacionale dhe vetëqeverisjeve lokale. ab/
Foto: МIА arkivi