Durmishi: Reforma e marrëdhënieve të punës është investim për një treg pune të drejtë dhe të qëndrueshëm
- Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mbajti fjalën hyrëse në konferencën “Reforma e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës – sfidat dhe drejtimet”, e cila u zhvillua sot në Aleksandar Pallas në Shkup.
- Post By Besnik Shuki
- 12:35, 2 prill, 2025

Shkup, 2 prill 2025 (MIA) - Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mbajti fjalën hyrëse në konferencën “Reforma e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës – sfidat dhe drejtimet”, e cila u zhvillua sot në Aleksandar Pallas në Shkup.
Konferenca, siç njofton Ministria e Ekonomisë dhe Punës, mblodhi përfaqësues të sindikatave, punëdhënësve, organizatave ndërkombëtare dhe ekspertëve të fushës për të diskutuar drejtimet e mundshme të reformës së ligjit për marrëdhëniet e punës.
Durmishi theksoi se reforma nuk është vetëm një proces teknik, por një vendim për drejtimin që duhet të marrë tregu i punës në vendin tonë.
“Nuk po vendosim vetëm për tekst ligji – po vendosim si duam të duket tregu i punës. Marrëdhënia e punës nuk është vetëm një kontratë – është një raport i gjallë që mbart siguri, dinjitet dhe përparim”, theksoi ministri.
Ai vuri në dukje se sfidat moderne kërkojnë një sistem ligjor të qartë, fleksibil për punëdhënësit, të drejtë për punëtorët dhe funksional për shtetin.
“Asnjë reformë nuk është e lehtë, por nuk ka sukses pa guxim, partneritet dhe vizion. Ky është momenti ynë i përbashkët për të ndërtuar një bazë të fortë për gjeneratat që vijnë,” u shpreh Durmishi. Konferenca shënon një hap të rëndësishëm drejt një procesi gjithëpërfshirës të reformimit të legjislacionit të punës, me qëllim ndërtimin e një tregu pune të drejtë, modern dhe të qëndrueshëm", tha Durmishi. bsh/
Foto: Ministria e Ekonomisë dhe Punës