• e mërkurë, 03 korrik 2024

Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë - simboli i të verbërve dhe atyre me shikim të dëmtuar

Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë - simboli i të verbërve dhe atyre me shikim të dëmtuar

Shkup, 15 tetor 2023 (MIA) - Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, një nismë globale që festohet çdo vit më 15 tetor. Është një ditë kushtuar njohjes së rëndësisë së shkopit të bardhë në jetën e njerëzve të verbër dhe me shikim të dëmtuar. Kjo ditë shërben si simbol i pavarësisë, mobilitetit dhe inkurajimit për komunitetin e të verbërve, si në Republikën e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe në botë.

"Shkopi i bardhë është një mjet ndihmës që u mundëson personave të verbër dhe me shikim të dëmtuar të lëvizin me vetëbesim dhe pavarësi. Ajo jo vetëm që simbolizon lirinë, por tregon edhe suksesin dhe mundësitë e kësaj kategorie të qytetarëve", thuhet në njoftimin e Lidhjes Kombëtare të të Verbërve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, secila prej 18 shoqatave të personave të verbër, anëtarë të Lidhjes Kombëtare të të Verbërve të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të organizojnë në komunat e tyre ngjarje dhe aktivitete të ndryshme për të shënuar këtë ditë të veçantë.

Edhe pse Dita e Shkopit të Bardhë ka një rëndësi të madhe historike dhe kulturore, ajo është gjithashtu një kujtesë e punës së vazhdueshme që nevojitet për të krijuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe më të aksesueshme për të verbrit dhe personat me shikim të dëmtuar. Kjo ditë, theksojnë nga Lidhja Kombëtare e të Verbërve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, inkurajon shoqërinë të pranojë diversitetin, të promovojë vetëdijen dhe të refuzojë keqkuptimet për verbërinë. sa/

foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR