• e diel, 22 dhjetor 2024

Dimitrievski: Deri më tani nuk kemi bisedime për koalicionim të mundshëm me ndonjë subjekt politik

Dimitrievski: Deri më tani nuk kemi bisedime për koalicionim të mundshëm me ndonjë subjekt politik

Shkup, 6 maj 2024 (MIA) - Lideri i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski sot deklaroi se deri tani asnjë përfaqësues i kësaj partie nuk ka zhvilluar bisedime mbi bazë të ndonjë koalicioni të mundshëm me ndonjë subjekt politik.

Në konferencën për media në selinë e partisë në Shkup, Dimitrievski tha se do t'i presin rezultatet e zgjedhjeve të mërkurën me çka pastaj organet e partisë do të vendosin për të gjitha hapat e mëtutjeshëm.

"Deri në këtë moment me shumë përgjegjësi pohoj se asnjë përfaqësues i lëvizjes ZNAM - për Maqedoninë tonë nuk ka zhvilluar bisedime mbi bazën e ndonjë koalicioni të mundshëm me ndonjë subjekt politik. Fatkeqësisht, ne i shtrimë dorën udhëheqësisë së LSDM-së me disa kërkesa ku ata nuk arritën të tejkalojnë veten dhe duke mbrojtur interesat e tyre personale, e vendosën në rrezik frymën socialdemokrate duke na refuzuar neve dhe qytetarët. Nuk kemi biseduar as me VMRO-DPMNE-në, as me ndonjë subjekt tjetër politik në vend", ka thënë Dimitrievski.

I pyetur nëse do ta mbështesin kandidaten e VMRO-DPMNE-së për presidente, Dimitrievski tha se qëndrimi i tij personal është i qartë se nuk do ta përsërisë gabimin që bëri në zgjedhjet e kaluara presidenciale duke votuar për Stevo Pendarovskin, por se anëtarët e partisë duhet të votojnë sipas bindjes personale. Sipas Dimitrievskit nevojitet të zgjidhet presidenti i vendit për të shmangur çfarëdo krize politike.

Pritjet e Dimitrievskit për zgjedhjet parlamentare janë se ZNAM do t'i përsërisë shifrat nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale dhe pret që të rriten.

"Sa do të jetë numri, nuk mund të supozojmë sepse duhet të llogaritet edhe pjesëmarrja. Presim dalje më të madhe nga ana e qytetarëve, por sido që të jetë, përkrahja për Lëvizjen ZNAM në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është përkrahje e qytetarëve dhe do të vihemi ekskluzivisht në funksion dhe koalicion me qytetarët", tha Dimitrievski.

I pyetur nëse ZNAM do të hyjë në qeveri duke pasur parasysh se angazhohen për prolongim të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, ndërsa në përgjithësi të gjitha partitë shqiptare kërkojnë miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Dimitrievski tha se nëse janë pjesë e qeverisë së ardhshme, dëshirojnë që të ketë edhe parti shqiptare që do të pranojnë kushtet e tyre.

"Qëndrimi jonë për ndryshimet kushtetuese është i qartë. Sa i përket bashkëpunimit në qeveri dhe në cilën përbërje do të hynim, dëshirojmë që nëse do të ishim pjesë e qeverisë së ardhshme të kishim edhe parti shqiptare që do t'i pranonin këto kushte. Në të kundërtën, Maqedonia është shtet unitar, e pavarur e cila vendimet i merr në bazë të Kushtetutës dhe ligjit. Gjithçka që nënkupton shumicë prej 61 deputetësh plus është formim i Qeverisë. Çfarë përbërje etnike do të ketë qeveria, do të definohet në bazë të partnerëve të ardhshëm qeveritar", ka thënë Dimitrievski.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR