• e shtunë, 07 shtator 2024

Departamenti i Shtetit është në dijeni, por nuk e komenton incidentin në aeroportin e Shkupit

Departamenti i Shtetit është në dijeni, por nuk e komenton incidentin në aeroportin e Shkupit

Uashington, 8 gusht 2024 (MIA) - Ne i kemi parë raportet dhe nuk do të komentojmë hetimet që janë duke u zhvilluar, deklaruan nga Departamenti i Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, në pyetjen nëse kryetari i Kuvendit Afrim Gashi duhet të mbajë përgjegjësi politike për Incidentin në aeroportin e Shkupit me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani javën e kaluar.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) me herët njoftoi se "shefi i sigurimit të Gashit, me dy anëtarë të tjerë të ekipit, me urdhër të kryeparlamentarit, kanë ardhur para VIP sallës në aeroport, madje kanë repetuar armën dhe janë konfliktuar me policët e stacionuar aty, duke kërkuar përgjigje se pse është insistuar që presidentja e Kosovës të kalojë përmes kontrollit të sigurisë në aeroport".

Gashi tha se ka dërguar sigurimin për të qetësuar situatën.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e cilësoi ngjarjen në aeroportin e Shkupit “trajtim të papërshtatshëm dhe të paligjshëm nga pjesëtarët e sigurimit të aeroportit” ndaj Osmanit.

Grupacioni TAV kumtoi se kontrolli i presidentes së Kosovës ishte "në përputhje me Ligjin për Aviacion dhe rregulloret ligjore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sigurinë e aviacionit civil".

Për këtë incident dhe për disa arsye të tjera, opozita kërkon largimin e Gashit, kurse e Majta ka parashtruar një interpelancë për punën e tij.

Sipas koalicionit “VLEN”, nga vjen Gashi, kërkesën për interpelancën e tij e kanë vlerësuar si eksperiment kundër NATO-s.

VMRO-DPMNE-ja në pushtet, nga ana tjetër, konsideron se nuk ka nevojë për ndërrim të kryetarit të Kuvendit, sepse përgjegjësia është lokalizuar dhe institucionet kanë marrë masa të menjëhershme.

Departamenti i Kontrollit të Brendshëm në MPB e ka suspenduar shefin e sigurimit dhe ka hapur procedurë ndaj dy truprojave të tjerë, ndërsa i pyetur nëse do të ketë përgjegjësi për Gashin, kryeministri Hristijan Mickoski është përgjigjur se askush nuk është mbi ligjin. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR