• e shtunë, 29 qershor 2024

Cipras: "Instituti Aleksis Cipras" fillon rrugëtimin e tij me Konferencën ndërkombëtare në bashkorganizim me "Fondacioni Zaev"

Cipras:

Athinë, 14 qershor 2024 (MIA) - Ish-kryeministri grek Aleksis Cipras sot paradite, përmes Fejsbukut edhe zyrtarisht e ka promovuar Institutin e ri që mban emrin e tij, ndërsa ngjarja e parë publike do të jetë të hënën dhe të martën, përkatësisht Konferenca ndërkombëtare për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm, e cila organizohet së bashku me "Fondacionin Zaev", njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

"Instituti që unë dhe kolegët e mi e kemi përgatitur prej kohësh, ka ardhur koha të nisë rrugëtimin e tij", ka shkruar Cipras në Fejsbuk dhe duke e shpallur zyrtarisht konferencën më 17 dhe 18 qershor, gjegjësisht, siç shkroi, “pikërisht gjashtë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës”.

"Kemi ambicie që Konferencën ndërkombëtare ta organizojmë çdo qershor së bashku me Fondacionin Zaev, për të promovuar mesazhin e paqes dhe bashkëpunimin e kombeve, të thellojmë dialogun, por edhe për të nxjerrë në pah idetë, zgjidhjet dhe konvergjencat progresive për sfidat e mëdha të kohës sonë", shkroi Cipras. 

Ai shpjegoi se për konferencën e parë ftesa për të marrë pjesë është pranuar nga “mysafirë të shquar, politikanë të lartë dhe faktorë shtetërorë, zyrtarë të lartë aktualë dhe ish-zyrtarë, ekspertë, gazetarë dhe analistë nga grupet kryesore të think tenk nga Greqia, Ballkani, Evropa dhe Amerika”.

Në fund të njoftimit, Cipras theksoi se konferenca është e hapur për të gjithë qytetarët për ta ndjekur qoftë me prezencë fizike, qoftë drejtpërdrejt nëpërmjet internetit. qa/

QËNDRONI TË LIDHUR