• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bytyqi: Sipërmarrësia sociale është një vlerë që mund të sjellë të mira për të gjithë në Ballkanin Perëndimor

Bytyqi: Sipërmarrësia sociale është një vlerë që mund të sjellë të mira për të gjithë në Ballkanin Perëndimor

Shkup, 13 shtator 2023 (MIA) - Nëpërmjet zhvillimit të sipërmarrësisë sociale do të kontribuojmë në zhvillimin e kohezionit social dhe zvogëlimin e dallimeve, duke u mundësuar shoqërive tona që të respektojnë përparësitë e Bashkimit Evropian për solidaritet dhe kohezion, vlerësoi sot zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi dhe shtoi se sipërmarrësia sociale është një vlerë që mund të sjellë të mira për të gjithë në Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se zhvillimi i sipërmarrësisë sociale do të na bëjë partnerë më tërheqës për Bashkimin Evropian dhe do të forcojë qëndrueshmërinë dhe konkurrencën rajonale të Ballkanit Perëndimor. Ai tha se vendi po punon me përkushtim për krijimin e kushteve për sipërmarrësi sociale dhe shtoi se ligji për sipërmarësi sociale është në fazën përfundimtare, i cili për herë të parë në sistemin tonë juridik do të rregullohet sistematikisht me procedura dhe kritere të përcaktuara qartë për themelimin e sipërmarrjeve sociale dhe me instrumente të përshtatshme financiare për mbështetjen e tyre.

"Nga të gjithë pjesëmarrësit në seancë u vlerësua se sipërmarrësia sociale është një vlerë që mund të sjellë të mira për të gjithë në të gjithë rajonin, të ndihmojë në zgjidhjen e nevojave të pakënaqura sociale, sepse sipërmarrja me funksione të zhvilluara sociale është burim i rritjes dhe zhvillimit ekonomik", deklaroi Bytyqi në pauzë në Forumin e dytë Rajonal për Sipërmarrësi Sociale të organizuar nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor - RIKO.

“Ndërsa shkojmë drejt Bashkimit Evropian, është thelbësore të forcojmë komunitetet duke zhvilluar sipërmarrjen sociale si një model i rritjes gjithëpërfshirëse, në të cilën grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara do të përfshihen në arritjen e suksesit ekonomik. Nëpërmjet zhvillimit të sipërmarrësisë sociale do të kontribuojmë në zhvillimin e kohezionit social dhe uljen e dallimeve, duke u mundësuar shoqërive tona të përafrohen me vlerat e BE-së të solidaritetit dhe kohezionit”, tha Bytyqi.Zëvendëskryeministri Bytyqi nënvizoi se zhvillimi i sipërmarrësisë sociale do të na bëjë partnerë më tërheqës për BE-në, por edhe do të forcojë qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë tonë rajonale.

Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor – RIKO, Albert Hani theksoi se ato janë vetëm një nga institucionet e shumta ndërkombëtare që mbështesin sipërmarrësinë sociale.

"Ne do të vazhdojmë të inkurajojmë dhe mbështesim të gjithë sipërmarrësit socialë që patën guximin të marrin një rol më të madh në shoqëri dhe të punojnë në çështje sociale që kërkojnë ndryshime të brendshme. Për ne në RIKO, sipërmarrësit socialë nuk janë vetëm të rinj të guximshëm, por edhe njerëz krijues që kontribuojnë drejtpërdrejt në uljen e korrupsionit dhe padrejtësisë dhe në zhvillimin e pavarësisë ekonomike", tha Hani.

Pikërisht pavarësia ekonomike dhe kujdesi për shoqërinë, shtoi, do të na vënë në pozitë të kuptojmë se kjo do të pengojë të rinjtë të largohen nga rajoni.

"Të rinjtë thonë qartë se më shumë se 52 për qind largohen nga rajoni vetëm sepse mendojnë se në shoqëritë tona mbizotëron korrupsioni dhe pasiguria. Prandaj, me pavarësinë ekonomike, të rinjtë ngrenë zërin dhe kontribuojnë në ndryshimet në shoqëri, tha Hani dhe shtoi se RIKO do të vazhdojë të mbështesë idetë e të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor për sipërmarrësi sociale.

Deri më tani, siç tha, RIKO ka mbështetur mbi 350 sipërmarrës socialë, ndërsa së shpejti do të hapet një thirrje e re, në të cilën do të mbështeten 200 persona të rinj. ls/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR