• e premte, 25 tetor 2024

BP: Norma bazë e interesit mbetet në nivelin 6,30%, rritja ekonomike dhe inflacioni në kuadër të pritshmërive

BP: Norma bazë e interesit mbetet në nivelin 6,30%, rritja ekonomike dhe inflacioni në kuadër të pritshmërive

Shkup, 12 qershor 2024 (MIA) - Vendosja e politikës monetare është e përshtatshme për kushtet në ekonomi. Me këtë norma e interesit për bonot e thesarit mbetet në nivelin 6.30%, ndërsa norma e interesit të depozitave njëditore dhe 7-ditore në nivelet 4.20% dhe 4.25%, në mënyrë adekuate, vlerëson Këshilli ekzekutiv për politikë monetare të Bankës Popullore në seancën e djeshme ku u shqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të fundit për ekonominë globale dhe vendore dhe zhvillimet më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendore në kuadër të përcaktimit të politikës monetare.

Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt është gjithashtu e pandryshuar dhe është 10 miliard denarë. Edhe më tej pritet që niveli aktual i normave të interesit, së bashku me ndryshimet e mëparshme në rezervën e detyrueshme dhe masat makroprudenciale të marra, të kontribuojnë në ngadalësimin e mëtejshëm të inflacionit dhe ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit. Njëherësh, ndryshimet e fundit në instrumentin e rezervës së detyrueshme, aplikimi i të cilit nis në qershor, japin mbështetje shtesë për kujdesin e politikës monetare, njofton BP. 

Theksi kryesor gjatë marrjes së vendimit për ruajtjen e përcaktimit aktual të politikës monetare u vendos mbi nevojën për të stabilizuar inflacionin dhe pritjet inflacioniste në një bazë më të qëndrueshme. Inflacioni në maj të vitit 2024 u përshpejtua mesatarisht dhe arriti në 4.5% në nivel vjetor, me një kontribut pozitiv në rritje si nga inflacioni bazë ashtu edhe nga përbërësit e tjerë. Megjithatë, dinamika e inflacionit në maj nuk devijon nga rruga e lëvizjes e parashikuar në kuadër të projeksioneve pranverore të Bankës Popullore. Sipas këtyre projekteve, për gjithë vitin 2024 pritet inflacion mesatar prej 3,5 për qind. Sa i përket çmimeve të produkteve parësore në bursa, parashikimet e fundit janë rishikuar mesatarisht në rritje, pra pritet një rënie më e vogël e tyre këtë vit dhe konteksti i paqëndrueshëm gjeopolitik vijon të krijojë pasiguri dhe rreziqe rritëse për periudhën e ardhshme. Prandaj, u vlerësua se nevojitet kujdes i mëtejshëm në drejtimin e politikës monetare. Lidhur me politikën e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), në seancën e fundit të muajit qershor u mor vendimi për uljen e normave bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje në përputhje me pritshmëritë e tregjeve. Në të njëjtën kohë, BQE theksoi se pavarësisht uljes, me nivelin e ri të normave të interesit, shtrëngimi dhe kujdesi i politikës monetare vazhdon të ruhet, thekson BP.

Gjendja e tregut valutor është e qëndrueshme dhe lëvizjet janë të favorshme. Niveli i rezervave valutore në fund të muajit maj është 4,293.6 milionë euro që është e përshtatshme për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit të monedhës vendase.

Në sektorin monetar, sipas të dhënave të para për muajin maj të vitit 2024, potenciali depozitues i bankave edhe më tutje vijon në rritje, ngjashëm me pritshmëritë me rritje paksa më të fuqishme të kredisë se sa ishte parashikuar. qa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR