BEI: Më shumë se 60 për qind e kompanive evropiane kanë investuar në ndryshimet klimatike, ndërsa mbi 70 për qind në transformimin digjital
- - Kompanitë në Bashkimin Evropian i përballuan relativisht mirë goditjet shëndetësore dhe tregtare, si dhe çmimet gjatë katër viteve të fundit dhe kanë rritur ambiciet e tyre për transformimin e gjelbër dhe digjital, sipas një ankete të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI). Anketa e Investimeve e BEI-t, 2024, e publikuar në takimet vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së në Uashington, përshkruan një pamje të udhëheqjes së bizneseve të BE-së në tranzicionin e gjelbër dhe përforcimin e zinxhirëve të tyre të furnizimit përballë rreziqeve të shtuara gjeopolitike dhe ndërprerjeve të zinxhirëve të furnizimit.
- Post By Fitore Curri
- 17:21, 25 tetor, 2024
Shkup, 25 tetor 2024 (MIA) - Kompanitë në Bashkimin Evropian i përballuan relativisht mirë goditjet shëndetësore dhe tregtare, si dhe çmimet gjatë katër viteve të fundit dhe kanë rritur ambiciet e tyre për transformimin e gjelbër dhe digjital, sipas një ankete të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI). Anketa e Investimeve e BEI-t, 2024, e publikuar në takimet vjetore të Bankës Botërore dhe FMN-së në Uashington, përshkruan një pamje të udhëheqjes së bizneseve të BE-së në tranzicionin e gjelbër dhe përforcimin e zinxhirëve të tyre të furnizimit përballë rreziqeve të shtuara gjeopolitike dhe ndërprerjeve të zinxhirëve të furnizimit.
Shumë firma në Evropë janë të kënaqura me nivelet e tyre të investimeve gjatë tri viteve të fundit dhe janë të përkushtuara për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe për të futur teknologjitë digjitale në përdorim, tregon anketa. Ajo mbulon një total prej rreth 12 000 kompanish në të gjitha vendet e BE-së, si dhe një mostër krahasimi në Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa pjesa e kompanive të BE-së që presin të rrisin investimet në vend që t’i ulin është përgjysmuar në një bilanc neto prej 7% në vitin 2024, krahasuar me vitin e kaluar, bizneset në Evropë vazhdojnë të tejkalojnë homologet e tyre amerikanë dhe të udhëheqin në investime për të ulur emetimet që shkaktojnë ndryshime klimatike, ose të përballen me ndikimin e motit të ashpër. Anketa e fundit e Investimeve tregon se 61% e firmave të BE-së kanë investuar në trajtimin e ndryshimeve klimatike, krahasuar me 56% në vitin 2023 dhe 53% në vitin 2022. Tranzicioni i gjelbër imponon transformim, por sjell edhe mundësi. Më shumë se një e katërta e firmave të BE-së, d.m.th. 27%, e shohin kalimin në një ekonomi neto zero si një mundësi gjatë pesë viteve të ardhshme.
“Angazhimi i firmave të BE-së ndaj tranzicionit të gjelbër dhe digjital ilustron potencialin e ekonomisë evropiane”, tha presidentja e BEI-t, Nadia Calviño. “Anketa konfirmon se partneriteti publik-privat zë një vend qendror në investimet strategjike për të mbështetur konkurrencën, sigurinë dhe autonominë e BE-së në tregjet globale", bëhet e ditur në kumtesë.
Rreth 90% e firmave të BE-së dhe SHBA-së kanë marrë masa për të reduktuar emetimet e gazeve serrë. Strategjitë kryesore të miratuara përfshijnë investimet në reduktimin dhe riciklimin e mbetjeve dhe efikasitetin e energjisë. Kompanitë e BE-së kanë më shumë gjasa se ato amerikane të kenë miratuar opsione të qëndrueshme transporti, të kenë zgjedhur prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe të vendosin objektiva për reduktimin e emetimeve. Një në tri kompani të BE-së, d.m.th. 34%, e sheh tranzicionin e gjelbër si një rrezik biznesi krahasuar me 42% në SHBA.
Në BE, 37% e investimeve totale nga bizneset drejtohen drejt aseteve jomateriale si kërkimi, aftësitë dhe njohuritë, duke theksuar një fokus strategjik në novacion dhe në zgjidhjet digjitale. 74% e bizneseve të BE-së raportuan se përdorin teknologji digjitale, duke shënuar 4% rritje nga viti i kaluar. Ndërkohë, SHBA-ja vazhdon të kryesojë me 81%.
Megjithatë, duke parë përpara për tri vitet e ardhshme, shumë kompani evropiane po u japin përparësi investimeve zëvendësuese kundrejt zgjerimit të kapaciteteve, ku vetëm 26% e firmave të BE-së që planifikojnë të zgjerojnë operacionet në tre vitet e ardhshme krahasuar me 47% të firmave amerikane.
“Fokusi i kompanive të BE-së në novacion është i mirëpritur dhe duhet mbështetur”, shtoi presidentja e BEI-t, Nadia Calviño. “Kjo është arsyeja pse Grupi i BEI-t po punon për një plan të ri veprimi për të përforcuar integrimin e tregjeve të kapitalit të Evropës dhe në këtë mënyrë kanalizimin e kursimeve private në investime produktive në Evropë”.
Mjedisi i biznesit mbetet një shqetësim për firmat në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe pasigurinë për të ardhmen si një nga shqetësimet kryesore në të dy rajonet. Investimet e biznesit ende pengohen nga kostot e larta të energjisë, të cilat përbëjnë pengesa të konsiderueshme për 46% të bizneseve të BE-së.
Shumica (60%) e eksportuesve të BE-së raportojnë se atyre u duhet të respektojnë standarde dhe rregulla të ndryshme për mbrojtjen e konsumatorit nga një shtet anëtar në tjetrin, duke theksuar se fragmentimi i tregut vazhdon.
“Firmat evropiane po bëjnë hapa përpara në adresimin e ndryshimeve klimatike dhe transformimit digjital”, tha shefja e Departamentit të Ekonomisë e BEI-t, Debora Revoltella. “Por nxitja e investimeve të BE-së kërkon një treg të vetëm më pak të fragmentuar të BE-së.”
Raporti i vitit 2024 u shërben politikëbërësve, ekonomistëve dhe drejtuesve të biznesit, duke ofruar njohuri mbi pasqyrën e investimeve dhe duke identifikuar veprimet e nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë. Për më shumë informacion dhe raportin e plotë, vizitoni faqen tonë të internetit këtu.
Më shumë informacione dhe raportin e plotë mund ta shihni këtu.