• e enjte, 14 nëntor 2024

Borg nga Tirana: Misioni i rëndësishëm i OSBE-së është të ndërtojë ose të rivendosë sigurinë dhe stabilitetin nga Vankuveri në Vladivostok

Borg nga Tirana: Misioni i rëndësishëm i OSBE-së është të ndërtojë ose të rivendosë sigurinë dhe stabilitetin nga Vankuveri në Vladivostok

Tiranë, 13 nëntor 2024 (MIA) - Kryetari i radhës së OSBE, njëherësh, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Maltës, Jan Borg i cili sot qëndron në Tiranë, pas takimit me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se "misioni i rëndësishëm i OSBE-së është ta ndërtojë ose rivendosë sigurinë dhe stabilitetin nga Vankuveri në Vladivostok".

"Gjatë ditëve të fundit kam pasur biseda produktive me partnerët tanë në rajon ku kemi theksuar misionin e rëndësishëm të OSBE-së për të ndërtuar, apo rivendosur sigurinë dhe stabilitetin nga Vankuveri në Vladivostok".  Motoja e kryesisë këtë vit, forcimi i qëndresës dhe rritja e sigurisë reflektojnë vetëdijen e Maltës për mjedisin sfidues ku ne veprojmë", theksoi Borg në konferencën e përbashkët për media.

Ai rikonfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij për integrimin evropian të Shqipërisë, duke theksuar partneritetin e fortë midis Shqipërisë dhe OSBE-së dhe pohoi se OSBE-ja mbetet e gatshme të ndihmojë Shqipërinë të çojë përpara reformat kyçe zgjedhore.

Borg u shpreh se, "përmes nismave që synojnë reformën në gjyqësor, luftën ndaj trafikimit dhe angazhimin e të rinjve po ndërtojmë demokraci më të forta dhe shoqëri më gjithëpërfshirëse".

Hasani, ndër të tjera, shprehu mirënjohjen që "Malta është një mbështetëse e vazhdueshme e integrimit evropian të Shqipërisë" dhe për angazhimin e presidencës malteze, e cila "e mbajti Ukrainën në qendër të agjendës së OSBE-së".

Ai nënvizoi se paqja dhe siguria do të jenë në fokus të diskutimeve në këshillin e ardhshëm ministror të OSBE-së, që do të mbahet më 4 dhe 5 dhjetor në Maltë.

Sipas tij, kanë diskutuar edhe për nevojën të përmirësohet koordinimi ndërmjet vendeve-pjesëmarrëse, të përforcohen mekanizmat për menaxhim dhe të rritet efektiviteti i politikave të OSBE-së në përballjen me këto sfida. sa/

Foto: MEPJ

QËNDRONI TË LIDHUR