• e diel, 10 nëntor 2024

Blinken: Izraeli dhe Hezbollahu duhet të ndalojnë të shtënat

Blinken: Izraeli dhe Hezbollahu duhet të ndalojnë të shtënat

Nju Jork, 27 shtator 2024 (MIA) - Sekretari shtetëror amerikan, Entoni Blinken, ka bërë sërish thirrje për armëpushim në Liban dhe Gazë, pasi Izraeli sulmon Hezbollahun në Liban, përfshirë edhe selinë e tij ushtarake në periferinë jugore të Bejrutit.

"Gjëja më e rëndësishme është që së pari të përpiqemi që të dyja palët të ndalojnë të shtënat dhe të përdorim kohën gjatë një armëpushimi të tillë për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje më e gjerë diplomatike," tha Blinken në konferencë për shtyp.

Ai shtoi se SHBA ende beson se është e mundur një zgjidhje diplomatike për Lindjen e Afërt.

“Ndoshta në këtë moment është e vështirë të shihet rruga diplomatike, por sipas nesh është e nevojshme. Ne do të vazhdojmë të punojmë intensivisht për këtë”, tha Blinken.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin të gjitha masat e nevojshme nëse sulmohen interesat e tyre në Lindjen e Afërt, ku dhuna po ndizet.

"SHBA-ja do t'i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personelin amerikan dhe interesat amerikane në atë rajon", tha ai.

Dje, Izraeli bombardoi selinë e Hezbollahut në periferi të Bejrutit, dhe më pas kreu sulme të tjera në Bejrut, ndërsa Hezbollahu sulmoi Izraelin me raketa. ls/

Foto; Arkivi i MIA-s 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR